PRISHTINË, 7 Tetor /ATSH/. Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, priti sot në takim një delegacion të përbërë nga personeli i kursit të lartë të sigurisë dhe të mbrojtjes, i cili është duke u zhvilluar në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Gajtë këtij takimi ministri Rexhepi, informoi për gjendjen e përgjithshme të sigurisë, kërcënimet e ndryshme për sigurinë e përgjithshme, si dhe nevojën për bashkëpunim rajonal në fushën e sigurisë.
Agjenica KosovaPress duke iu referuar njoftimit për shtyp të MPB-së, bën të ditur se në këtë takim morën pjesë kolonelë nga shtetet e rajonit si, Mali i zi, Shqipëria dhe Greqia. Ushtarakët u interesuan për situatën e sigurisë në Kosovë dhe u njohën nga ministri Rexhepi për bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë, rishikimet strategjike të sektorit të sigurisë, rolin e EULEX-it në situatën e sigurisë, si dhe situatën e përgjithshme në veri të vendit.
Gjithashtu ministri Rexhepi e njoftoi delegacionin edhe për fillimin e studimeve të nivelit Baçelor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, që pritet nga 15 tetori i këtij viti./k.s/