Ministri Tahiri: Një projektligj për të kthyer besimin e qytetarëve tek policia

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri prezantoi në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut projektligjin “Për Shërbimin për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Projektligji synon një reformim rrënjësor të strukturës aktuale të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, e cila do të jetë Shërbimi për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme.

Fjala e ministrit Saimir Tahiri në Komisionin parlamentar:

Faleminderit z. Kryetar,

Të nderuar deputetë

Kam nderin t’ju paraqes projektligjin e miratuar nga qeveria, për “Shërbimin për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme” në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ajo që gjerësisht ndër qytetarët, deri dje ishte njohur si Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm.

Ky p/ligj është një reformë tërësore e ish-SHKB-së, nisur nga vetëdija jonë se ky instrument, është një instrument i fuqishëm për të garantuar ligjshmërinë e punës së punonjësve të Policisë së Shtetit edhe njëkohësisht garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ne besojmë që efektiviteti në luftën kundër krimit të organizuar dhe mbi të gjitha kundër korrupsionit, varet më së pari nga garantimi i distancës klinike të punonjësve të Policisë së Shtetit nga praktikat korruptive apo nga lidhjet me botën e krimit.

Në këtë kuadër, Shërbimi për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme është një mekanizëm i cili do të kontribuojë fuqishëm në mbajtjen dhe ruajtjen e standardeve të punës në Policinë e Shtetit dhe jo vetëm.

E dyta, ne besojmë që ky shërbim, duhet, më së pari të jetë demokratik, apolitik në fuksionim, duhet t’u përgjigjet interesave dhe të mos kthehet në një mekanizëm për t’u keqpërdorur në dorën e cilitdo epror.

Nuk janë të pakta praktikat kur ish-SHKB-ja është keqpërdorur nga eprorët, si kamzhik, shpeshherë dhe politik.

Ndërkohë, me ligjin e ri, Shërbimi për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme, në Ministrinë e Punëve të Brendshme kthehet më së pari në një mekanizëm në dorë të qytetarëve, duke siguruar një platformë të konsoliduar komunikimi konstant me qytetarët, për të adresuar ankesat e tyre dhe për të monitoruar vazhdimisht punën e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Deri më sot, nga momenti që qeveria ka filluar detyrën janë referuar në Prokurori 154 kallëzime penale për 211 punonjës policie, ndër të cilët, një punonjës policie i nivelit të lartë drejtues, 6 punonjës policie të nivelit të mesëm drejtues, 70 punonjës policie të nivelit të parë drejtues, 113 punonjës të nivelit zbatues, 21 punonjës civilë dhe 14 shtetas, të cilët kanë qenë të lidhur me referimet që ka bërë SHKB-ja në Prokurori.

Veprat penale për të cilat është referuar në prokurori janë: shpërdorimi i detyrës, korrupsioni pasiv, trafiku i armëve, treafiku i drogës, shfrytëzim prostitucioni, vjedhje duke shpërdoruar detyrën, falsifikim dokumentesh, ndikim i paligjshëm i personave, veprime arbitrare dhe veprime të tjera.

Mjafton të shohësh këtë pasqyrë të këtyre 7 muajve për të konkluduar që ka nevojë vërtet shumë për të bërë lidhur me pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga punonjësit të cilët kanë trashëguar lidhje me botën e krimit apo praktika korruptive në mënyrën e punës së tyre.

Me ligjin e ri, Shërbimi për Ankesat dhe Çeshtjet e Brendshme, vendos në qendër të veprimtarisë ankesat e qytetarit për të garantuar ligjshmërinë në punën

e Policisë së Shtetit, transparencën dhe mbi të gjitha llogaridhënien e punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve, si dhe shmangien maksimale të shkeljes së drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ky ligj synon sigurisht rritjen e besimit të publikut te Policia e Shtetit, duke ndërtuar këtë mekanizëm kontrolli mbi Policinë, që është mbi të gjitha i besueshëm dhe i paanshëm dhe që heton ankesat e publikut në mënyrë të drejtë dhe objektive.

Ligji parashikon mbikëqyrje të jashtme mbi policinë, gjë që do të thotë funksionim demokratik më së pari i vetë Shërbimit, i orientuar nga qytetarët.

Ne synojmë, me ligjin e ri, që të mos jenë punonjësit e policisë që kontrollojnë punonjësit e policisë.

Deri më sot, në ish-SHKB-në, punonin kryesisht punonjës policie, të cilët e kishin fatin dhe karrierën të lidhur domosdoshmërisht me karrierën policore. Do të thotë që mund të dilnin nga radhët e Policisë së Shtetit, të punonin në ish-SHKB-në dhe më pas të ripunësoheshin Policinë e Shtetit.

Kjo cënonte paanësinë, në vlerësimin tonë, ka cënuar kapacitetin për të përmbushur detyrën ashtu siç duhet dhe ka krijuar premisa të mira për të krijuar lidhje të shkurtra ndërmjet punonjësve të SHKB-së dhe Policisë së Shtetit.

Ky ligj parashikon që në harkun kohor të dy viteve, SHKB-ja të reformohet tërësisht nga pikëpamja e burimeve njerëzore, duke parashikuar që në përfundim të reformës, të mos ketë më asnjë lidhje ndërmjet karrierës në Policinë e Shtetit dhe karrierës në SHKB, duke parashikuar këtë mekanizëm të jashtëm për kontrollin mbi Policinë e Shtetit.

Ky ligj zgjeron bazën e veprimit lidhur me performancën e punonjësve të policisë. Pra në qoftë se deri dje, ish-SHKB hetonte veprat penale në përmbushje të detyrës së punonjësve të Policisë së Shtetit, qoftë për korrupsion

apo vepra të tjera penale, ligji i ri e zgjeron veprimtarinë e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat e Qytetarëve, duke përfshirë dhe Inspektimin për përmbushjen e detyrës dhe performancën në detyrë.

Ministri i Punëve të Brendshme sot ka një zyrë inspektimi që varet prej tij, e cila ushtron kontroll lidhur me kriteret e performancës, përmbushjen dhe indikatorët e përmbushjes së detyrës.

Me ligjin e ri, Shërbimi për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme, merr edhe këtë dimension pune pra që është inspektimi lidhur me performancën në detyrë të punoënjësve të Policisë, duke parashikuar që nga njëra anë të hartojë plane inspektimi mbi struktura të veçantë të Policisë së Shtetit, por jo vetëm, të shqyrtojë në detaj përmbushjen e objektivave dhe planeve të punës dhe të përshkrimit të detyrës nga punonjësve të policisë, por nga ana tjetër të përgjithsojë praktikat e kontrollit dhe inspektimit mbi çështjet e ngritura, t’i përgjithsojë në formën e rekomandimeve të cilat jo si ç’deri dje që mbeteshin në copa letre të shkruara.

Por me ligjin e ri kemi parashikuar të jenë rekomandime kuazi të detyrueshme për strukturat e policisë të jenë të detyrueshme për t’u marrë parasysh, kuazi të detyrueshme, do të thotë që Policia e Shtetit mbi rekomandimet e përgjithsuara të Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme është i detyruar të marri shqyrtim rekomandimet dhe të kthejë përgjigje ose jo rekomandimeve dhe arsyet përkatëse dhe në rastin kur merren parasysh të vlerësojë planin e punës dhe mënyrën se si do të përvetësohen këto në performancën e punonjësit të Policisë së Shtetit.

Parashikohet si instrument dhe kjo është një praktikë e disa vendeve në BE parashikohet testi i integritetit.

Testi i integritetit është një seri instrumentash sigurie që do të marri në shqyrtim veprimtarinë e punonjsëve të Policisë së Shtetit për të vlerësuar

përputhshmërinë e veprimtarisë së tyre me përshkrimin e punës me detyrën që duhet të përmbyshin përballë publikut duke siguruar testet e një pasnjëshme të cilat vlerësojnë integritetin e punonjësit të Policisë së Shtetit dhe përmbushjen e detyrës në Policisë së Shtetit.

Ligji zgjeron dhe objektin e veprimtarisë duke përfshirë kontrollin dhe hetimin për vepra penale por dhe inspektimin për përmbushje të detyrës jo vetëm në Policisë së Shtetit por dhe atë që deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit për policinë është Garda e Republikës më pas Drejtoria për Ruajtjen e Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe gjithashtu Zjarrfikësit.

Këto agjensi deri tani nuk i kontrollonte njeri. Nuk kontrolloheshin mbi veprimtarinë e tyre përsa i përket përmbushjes së ligjit, nuk kontrolloheshin gjithashtu përsa i përket potencialit për të konsumuar vepra penale.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri pra për Shërbimin dhe Ankesat e Çështjeve të Brenshme, këto agjensi do t’i nënshtrohen kontrollit dhe inspektimit nga ky Shërbim.

Ligji i ri parashikon hetimin e gjithanshëm të personave objekt hetimi duke shkuar deri tek hetimi i pasurisë të pajustifikuar i punonjësve të policisë që janë objekt hetimi.

Nuk besoj e them unë i pari, por është konstatim gjerësisht i pranuar eventualiteti i punonjësve të policisë, të cilët kanë pasuri të pajustifikuar dhe e shfaqin këtë në publik.

Ky shërbim me hyrjen në fuqi të ligjit të ri parashikon që përveç hetimit lidhur me çështjet konkrete qoftë me korrupsionin qoftë shkelje të tjera të ligjit, të hyjë edhe në hetimin e pasurisë të pajustifikuar të policisë.

Siç e thashë edhe më lart projektligji parashikon mundësinë që Shërbimi për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme të kthehet në një instrument jo vetëm hetues

dhe inspektues por të kthehet edhe në një instrument rekomandues që do t’i shërbejë më së miri Policisë së Shtetit në radhë të parë për të përmirësuar veten në tërësi për praktika që do konsiderohen të përgjithësuara si probleme në nivel strukture apo protokolli standard të punës, por mbi të gjitha në një instrument që do të unifikojë dhe standartizojë çështje të cilat duhet të merren parasysh në përmbushjen e detyrave nga punonjësit e Policisë së Shtetit.

Këto janë pak a shumë risitë që sjell ligji i ri për Shërbimin dhe Ankesat e Çështjeve të Brendshme, por edhe natyrisht do diskutojmë në detaj lidhur me çdo dispozitë dhe mbetemi të hapur për komentet dhe vlerësimet e deputetëve të këtij Komisioni të nderuar.

Në përfundim të prezantimit tim dua të falenderoj të gjithë ekspertët që kanë punuar për këtë projekt ligj dhe në mënyrë të veçantë misionin ICITAP i cili ka ndihmuar në draftimin e dispozitave të këtij ligji duke besuar që kështu përmbushim edhe rekomandimet e BE lidhur me mbikqyrjen civile ndaj Policisë së Shtetit.

Sfida për të luftuar korrupsionin brenda rradhëve të Policisë dhe për të pastruar rradhët e policisë nga lidhjet potenciale me botën e krimit mbetet një sfidë permanente.

Ky ligj shtron bazat për të patur një luftë efektive ndaj të gjithë atyre që në Policinë e Shtetit dhe me rrobën e Policisë së Shtetit mund të abuzojnë me detyrën, duke pasur në qendër të vëmendjes qytetarin dhe ankesat e qytetarit në lidhje me punën e Policisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Redaksia Online

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Librazhd- Prrenjas, trajleri del nga rruga, s'ka të lënduar

Aksident në aksin Librazhd- Prrenjas, trajleri del nga rruga, s'ka të lënduar