Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu priti në një takim homologun e tij belg Theo Francken, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë.
Gjatë takimit, mësohet se dy ministrat diskutuan mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e Mbrojtjes, me fokus të veçantë në stërvitjet e përbashkëta, rritjen e ndërveprimit operacional dhe zhvillimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes. Këto elemente konsiderohen thelbësore për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe për forcimin e sigurisë rajonale.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu vlerësoi partneritetin me Belgjikën dhe rolin e saj si aleate e besueshme në kuadër të NATO-s, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me vendet mike dhe aleate:
“Kënaqësi të prisja në Tiranë homologun belg Theo Francken, një mik i vyer i vendit tonë. Me Belgjikën po punojmë për të thelluar bashkëpunimin në stërvitje të përbashkëta, ndërveprim operacional dhe industrinë e mbrojtjes, si pjesë e përpjekjes për të rritur kapacitetet tona dhe sigurinë rajonale”, - u shpreh ministri Vengu.
Në këtë takim u ritheksua se thellimi i partneritetit me aleatët mbetet një prioritet strategjik për Shqipërinë, në funksion të stabilitetit, sigurisë rajonale dhe perspektivës europiane të vendit.
Komente











