Ministria e Brendshme njofton të gjithë qytetarët të cilëve u ka skaduar mjeti i identifikimit të aplikojnë. Përmes një postimi në rrjete sociale, ministria bën me dije se ditën e nesërme, 30 janar, do të jenë të hapura të gjitha zyrat e aplikimit për pasaporta apo karta identiteti.

Gjithashtu ministria njofton qytetarët që kanë aplikuar gjatë 2019-ës dhe 2020-ës dhe nuk kanë mundur të tërheqin ID kartat, të paraqiten pranë zyrave të aplikimit, pasi afati për nxjerrjen jashtë përdorimit të tyre është shtyrë deri në fund të prillit 2021

Rreth një muaj më parë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se numri i personave që u ka skaduar dokumenti i identifikimit biometrik (kartë identiteti ose pasaportë) dhe nuk e kanë rinovuar deri më datë 31 dhjetor 2020, është 873 mijë qytetarë.

Duke qenë se jemi në prag zgjedhjesh, edhe politika shqiptare si dhe ambasadorët e huaj u kanë bërë apel të gjithë shqiptarëve që të aplikojnë.

“Ministria e Brendshme njofton qytetarët se të gjitha zyrat e aplikimit për karta ID dhe pasaporta janë të hapura edhe nesër, datë 30 janar 2021. MB fton qytetarët që u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit, të kryejnë sa më parë procedurat për rinovimin e saj. Rikujtojmë se riaplikimi për kartë mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit. Gjithashtu njoftojmë qytetarët që kanë aplikuar përgjatë vitit 2019 dhe 2020 dhe nuk kanë mundur të tërheqin ID kartat, të paraqiten pranë zyrave të aplikimit, pasi afati për nxjerrjen jashtë përdorimit të tyre është shtyrë deri në fund të prillit 2021” – njofton Ministria e Brendshme.