Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me një kompani globale, organizuan një tryezë të rëndësishme për gratë sipërmarrëse, si pjesë e Javës Globale të Sipërmarrjes.
Tryeza e diskutimit, e titulluar “Women Leaders Breakfast”, u mbajt në Shtëpinë e Biznesit, në Piramidën e Tiranës, dhe mblodhi gra lidere nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare për të diskutuar mundësitë dhe sfidat që hasin ato në fushën e biznesit.
Tryeza ofroi një mundësi për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave mes grave sipërmarrëse dhe ekspertëve të industrisë, duke nxitur një dialog konstruktiv mbi mënyrat se si mund të fuqizohet më tej pjesëmarrja e grave në ekonominë shqiptare.
Gjatë tryezës, zv.ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Blerta Rama, theksoi angazhimin e ministrisë për të krijuar mundësi të barabarta dhe për të mbështetur gratë në zhvillimin e bizneseve të tyre përmes politikave të qëndrueshme dhe programeve mbështetëse.
"Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit është e përkushtuar të mbështesë çdo grua që dëshiron të ndërtojë dhe zhvillojë biznesin e saj. Përmes politikave të duhura, programeve të ndërtimit të kapaciteteve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, ne synojmë të krijojmë një mjedis ku gratë sipërmarrëse mund të kontribuojnë fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit", u shpreh zv.ministrja Rama.
Suksesi i sipërmarrësve femra është i lidhur ngushtë me mundësitë që ato kanë për të lidhur rrjete, për të marrë mentorim dhe për të pasur qasje në financa të përshtatshme për nevojat e tyre.
Një moment i veçantë i tryezës ishte njoftimi i fitueses së Hackathon-it “She’s Next” 2025, PressShield, një startup që po krijon zgjidhje inovative për mbrojtjen e gazetarëve dhe përmirësimin e sigurisë digjitale për ata që mbajnë publikun të informuar.
Diskutimet gjatë eventit theksuan disa çështje kyçe për forcimin e bizneseve të drejtuara nga gratë në Shqipëri, përfshirë përmirësimin e qasjes në financa, digjitalizimin dhe zhvillimin e aftësive digjitale, mentorimin dhe rrjetëzimin ndërkombëtar, si dhe krijimin e strukturave mbështetëse për rritjen e bizneseve (scale-up).
Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu nevojën për bashkëpunim të ngushtë mes sektorit publik dhe privat, për të adresuar barrierat strukturore që ndikojnë në rritjen e numrit të grave sipërmarrëse dhe për të ndihmuar në krijimin e mundësive të barabarta për gratë në biznes.
Gratë liderë shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në zhvillimin e iniciativave të reja që mundësojnë përparim në këto fusha.
Ky event ishte një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi më gjithëpërfshirës dhe mbështetës për gratë sipërmarrëse në Shqipëri, në kushtet kur fuqizimi i tyre konsiderohet një element kyç për rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe zhvillimin e komunitetit.
Rreth 30% e bizneseve aktive janë në pronësi ose menaxhim të grave, veçanërisht në turizëm, shërbime, agrobiznes dhe industri kreative. Bizneset e drejtuara nga gratë janë kryesisht mikro dhe të vogla, duke reflektuar barrierat strukturore për rritje. Vetëm 11% e këtyre bizneseve kanë akses në kredi formale.
Pjesëmarrja e grave në forcën punëtore është rreth 53.5%. Sfidat përfshijnë mungesën e mentorimit, digjitalizimit, aksesit në rrjete dhe mundësive për zgjerim.
Komente








