Ministria e Financave i anulon licencën gruas së Gjin Gjonit për dyqanet në Rinas, tani bie edhe vendimi i gjykatës

Merr një tjetër rrjedhë lufta për dyqanet në Aeroportin e Rinasit. Ministria e Financave ka vendosur më në fund t’i anulojë autorizimin kompanisë së bashkëshortes së gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi (Albania Duty Free Distribution), për ushtrimin e aktivitetit në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit. Vendimi vjen disa ditë pasi Shqiptarja.com dhe Report Tv denoncuan skandalin Duty Free në Rinas, ku kompania e gruas së Gjin Gjonit tentoi të merrte ‘peng’ ambientet tregtare në aeroport me një vendim arbitrar gjykate dhe rinovim të dyshimtë licence, pasi kishte humbur tenderin e shpallur nga kompani koncesionare TIA si dhe në kushtet kur kontrata me TIA-n i mbaronte në 27 gusht 2019.

Sipas burimeve të sigurta, vendimi par anulimin është marrë ditën e hënë, në 30 shtator 2019, pas verifikimeve të ligjshmërinë e procedurave të ndjekura për rinovimin e licencës. Vendimi i anulimit të autorizimit për operimin e Duty Free Shop do të thotë që Albania Duty Free Distribution nuk e mban më të drejtën e operimit të dyqaneve pranë Aeroportit të Rinasit. Gjithashtu kjo drejtë është anuluar nga data e lëshimit te autorizimit, firmosur në datën 16 gusht nga zëvendësministri i Ekonomisë Elton Haxhi. Efektet kohore të anulimit të autorizimit konfirmohen nga VKM nr. 651, datë 10.11.2017, përkatësisht neni 644 i aktit, i cili shprehet që vendimi për anulimin i shtrin efektet që nga data e hyrjes në fuqi të vendimit fillestar, pra në rastin konkret ky vendim, i shtrin efektet nga data e lëshimit të autorizimit (16.08.2019).

Bie vendimi i gjykatës
Vendimi i Ministrisë së Financave për t’i anuluar licencën kompanisë së gruas së Gjin Gjonit, i heq bazën argumentuese edhe vendimit të gjykatëses Mimoza Kajo-Brahimi, e cila vendosi në 7 gusht që kompania të vijonte aktivitetin e Duty Free deri në zgjidhjen e konfliktit  midis kompania e familja Gjoni dhe firma koncensionare e aeroporti TIA për vazhdimësinë e aktivitetit. Në padinë e depozituar në gjykata, Albania Duty Free Distribution pretendoi se licenca i ishte rinovuar automatikisht, pasi nuk ishte njoftuar 60 ditë para nga Ministria e Financave. Gjykata e pranoi këtë pretendim, edhe pse në fakt Albania Duty Free Distribution duhet të informonte ministrinë, pasi kishte humbur tenderin dhe po i skadonte kontrata. Megjithatë duke pretenduar që kompania e kishte licencën, gjykata e kishte autorizuar për një vazhdimësi të përkohshme të aktivitetit. Por tani që kompania e Çaushit nuk ka një licencë për ushtrimin e aktivitetit tregtar Duty Free, edhe vijimi i aktivitetit të autorizuar nga gjykata bie.

Arsyet e anulimit
Nga informacionet paraprake, mësohet se vendimi i Ministrisë së Financave e vë theksin tek sjellja aspak korrekte dhe joligjore e subjektit e Albania Duty Free Distribution gjatë ushtrimit të veprimtarisë, sidomos kjo lidhur me faktin e dhënies se informacioneve të pasakta në lidhje me marrëdhënien kontraktuale me TIA-n. Neni 644 i vendimit të qeverisë nr. 651, datë 10.11.2017, për zbatimin e kodit doganor, parashikon që ministri i përgjegjës për financat, anulon një autorizim për magazinë doganore private (duty free shop), në qoftë se autorizimi është dhënë bazuar në informacion të pasaktë ose të paplotë dhe kur personi, ndaj të cilit është dhënë vendimi, ishte në dijeni ose objektivisht duhej të ishte në dijeni që informacioni i dhënë ishte i pasaktë ose i paplotë. Në rastin konkret kompania e Çaushit duket se i ka fshehur doganave faktin e humbjes së tenderit për duty free me TIA, për të cilin është informuar në 22 shkurt 2019 nga TIA, si dhe mbarimin e kontratës me TIA në 27 gusht 2019 për dyqanet ku zhvillohet aktiviteti tregtar.

Si e mori autorizimin kompania e gruas së Gjin Gjonit
Shoqëria Albania Duty Free Distribution shpk (ADFD) e Elona Çaushit ka patur një kontratë “koncesioni” me shoqërinë TIA, e cila i ka mundësuar të zhvillojë tregtinë ‘Duty Free’ në zonën e tranzitit të Aeroportit Nënë Tereza të Tiranës. Kjo kontratë ka patur si afat të fundit datën 27.08.2019. Duke i paraprirë mbarimit të kontratës, TIA Aeroport nisi në nëntor të vitit 2018 procedurat e tenderit për Duty Free-n e aeroportit. Në 22 shkurt të 2019, kompania e Elona Çaushit u njoftuar nga TIA se kishte rezultuar humbëse në tender. Të drejtën për menaxhimin e hapësirës “Duty Free” në aeroport për 5 vitet e ardhshme e fitoi kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF). Megjithatë, kompania e Elona Çaushit paraqet një kërkesë në gjykatë, duke kërkuar lejimin e aktivitetit tregtar në të njëjtat ambiente, për të cilat kishte fituar tenderin kompania amerikane, duke iu imponuar kësisoj TIA-s.

Në 1 gusht të 2019, gjyqtari i Tiranës Arjan Aliaj ka marrë në shqyrtim kërkesës së Albania Duty Free Distribution (ADFD) për të vijuar aktivitetin tregtar në Aeroportin e Rinasit. Çuditërisht, përfaqësuesi i Albania Duty Free Distribution nuk është paraqitur në gjykim, pa shkaqe të arsyeshme, sipas vendimit të gjykatës. Nga ana tjetër, Tirana International Airport ishte njoftuar dhe përfaqësohej në gjykim nga Ilir Alimema. Në mungesë së përfaqësuesit të palës paditëse, gjyqtari Aliaj ka vendosur pushimin e çështjes. Dështimi i këtij gjyqi duket se është i qëllimshëm për arsye të dyshimta, pasi në të njëjtën datë, pra me 1 gusht  hidhet një padi tjetër me të njëjtin objekt gjykimi, me një kërkesë për sigurim padie, sërish nga kompania e gruas së Gjin Gjonin. Në lojë shfaqet një tjetër gjyqtare, konkretisht Mimoza Kajo-Brahimi, e cila shqyrton të njëjtën kërkesë dhe vendos që kompania e Elona Çaushit të vijojë aktivitetin tregtar në Aeroportin e Rinasit. Por ne gjyqe, ndryshe nga rasti i pare, nuk është ftuar TIA, pra pala e tretë interesuar për këtë çështje.

Dy ditë pasi gjyqtarja Mimoza Kajo-Brahimi (7 gusht 2019) vendosi që Albania Duty Free Distribution të vijojë përkohësisht kontrollin mbi dyqanet duty free të Rinasit, edhe pse kishte humbur tenderin te shpallur nga TIA, kompania e Elona Çaushit i është drejtuar me një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (9 gusht 2019), për t’u pajisur me autorizim për vijimin e aktivitetit. Drejtoria e Doganave ka aplikuar tek Ministria e Financave për licencën e Duty Free në Aeroportin e Rinasit në datën 15 gusht, pra vetëm 4 ditë pune pas kërkesës së ADFD, ndërsa Ministria e Financave e ka firmosur rinovimin e licencës një ditë më pas, pra në 16 gusht. Në kulmin e pushimeve verore këto struktura shtetërore janë vënë në lëvizje në urgjencë, duke hapur rrugë në kohë rekord bashkëshortes së Gjin Gjonit, për të vijuar ‘pushtimin’ e ambienteve duty free në Aeroportin e Rinasit, kundër vullnetit të koncesionarit, i cili ka një kontratë me shtetin shqiptar. Licenca është firmosur nga zëvendësministri Elton Haxhi.

Letra arrogante
Pasi është njoftuar nga TIA në datën 22 shkurt 2019 se ka humbur tenderin për menaxhimin e dyqaneve pa taksa në Rinas, në datën 17 maj 2019, administratori i kompanisë së gruas së Gjin Gjonit i ka dërguar një letër TIA-s, në të cilën thotë se Albania Duty Free Distribution e merr licencën më shpejt se sa kompanitë e tjera. Kjo letër e siguruar nga Shqiptarja.com konfirmon influencat e çiftit Gjin Gjoni-Elona Çaushi mbi strukturat shtetërore, por edhe vendimin e tyre për të mos lëshuar ambientet e TIA-s në Rinas, edhe pse tenderin e kishte fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e mirënjohur dhe me eksperiencë në këtë fushë, ndërsa kompania e Çaushit kishte rezultuar humbëse. Në letër thuhet se për Albania Duty Free Distribution është shumë e lehtë për të marrë një licencë për aktivitetin Duty Free në një kohë të shpejtë, ndërsa kompanive të tjera u duhen gjashtë muaj. “Siç e kemi theksuar dhe më parë, për sa i përket ligjit, ne posedojmë licencën dhe për ne është shumë e lehtë dhe shumë e shpejtë rinovimi formal i licencës.

Ndërkohë që nëse vjen një operator tjetër, atij do t’i duhen të paktën 6 muaj për të marrë licencën, gjithmonë në qoftë se dogana ia miraton atë”, thuhet në letër, përmes të cilës bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjonit kërkon t’i imponohet TIA-s për të vijuar biznesin e saj në aeroport. Ndërkaq, katër ditë pasi ka marrë rinovimin e licencës, pikërisht në 20 gusht 2019, administratori kompanisë së gruas së Gjin Gjonit, Erjon Hastoçi, i dërgon një letër tjetër kompanisë koncesionare TIA, që menaxhon Aeroportin e Rinasit, ku thekson se Albania Duty Free Distribution e ka licencën. Letra është dërguar në një kohë kur TIA kishte firmosur një kontratë që në korrik me kompaninë amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e cila kishte fituar tenderin për menaxhimin e hapësirave. “Siç iu kemi informuar në letrën e datës 30.07.2019, sa i përket licencës, ne ishim 100 % të sigurt se ne e kemi licencën edhe për 5 vitet e ardhshme për të njëjtin ambient”, thuhet në krye të letrës. Tani ajo licenca u anulua.

/xy/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale