Buxheti i përcaktuar për Ministrinë e Infrastrukturës nuk është i mjaftueshëm për të gjitha projektet që janë parashikuara për vitin 2021. E pranishme në një seancë dëgjimore në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ministrja e Infrastrukturës ka shprehur shqetësimin se mungesa e fondeve mund të krijojë detyrime të prapambetura dhe të cenojë ecurinë e projekteve. Balluku ka kërkuar 14.3 miliardë lekë shtesë për të realizuar nevojat e tyre.
“Ky buxhet i akorduar për programin e transportit rrugor është 26.2 miliardë lekë, ndërsa nevoja është 60.5 miliardë lekë, pra vetëm 45% e nevojave është plotësuar. Më pas do të tregoj se çfarë problemesh kemi pasur në plan dhe çfarë janë miratuar. Një problematik që do nënvizoj është mungesa e financimit për projektet ekzistuese, projekte që mbyllen në vitin 2020 apo 2021. Në kërkojmë për këtë program transportin rrugor rritjen e tavaneve buxhetore në shpenzimet korrente me 2 miliardë lekë për të mbuluar mirëmbajtjen e rrugëve. Dhe rritje për shpenzimit kapitale me 10 miliardë lekë për të mbuluar shpenzimet e projekteve ekzistuese dhe për ti mbyllur në vitin që vjen, dhe për të mos krijuar detyrime të prapambetura. Transporti detar, mbulon funksionimin me kapacitete dhe infrastrukturë të porteve është buxhetuar me 155 milionë lekë, ndërsa nevoja llogaritet 534 milionë lekë, pra nga kërkesa jonë janë mbuluar vetëm 30% e fondeve të nevojshme. Shtesë për shpenzimet kapitale me financim të huaj 10 milionë lekë.
Programi i furnizimit me uji dhe kanalizime, ky program mbështet reformën e ujit është buxhetuar 12.7 miliardë lekë nga nevoja në 15.1 miliardë lekë. Kërkojmë një rritje të tavanit me 2 miliardë lekë shpenzime kapitale. Pas bërjes funksionale të strukturës së eficiencës energjetike ne do të kërkojmë 65 milionë lekë shtesë. Programi për industrinë, ka qëllim zhvillimin e industrisë së rëndë. Është buxhetuar 406 milionë lekë nga nevoja totale 411 milionë lekë. Ky program nuk plotëson nevojat reale për shpenzime korrente lidhur me ISHTI-n për shtimin e personelit me 200 punonjës. Rritja e shpenzimeve me 5 milionë lekë për punonjësit. Programi për burimet natyrore, për zbulimin e mineraleve buxhetor 260 milionë lekë nga nevoja prej 730 milionë lekë, pra janë realizuar 30% të kërkesave tona. Kërkesa jonë për këtë program është rritja e shpenzimeve korrente me 5 milionë lekë dhe për shpenzimet kapitale me 50 milionë lekë. Programi i planifikim, menaxhim dhe administrim, është buxhetuar 503.5 milionë lekë, nga nevoja me 558 milionë lekë, pra me 90% të mbulimit të nevojave. Shqetësim është programi i infrastrukturës digjitale krijuar në muajin shtator të këtij viti, dhe duhet të mbështetet pasi nuk ka asnjë fond, nga nevoja që është 121.4 milionë lekë”, ishin këto të gjitha kërkesat e ministres Balluku.
Edhe pse fondet për këtë institucion nuk janë në nivelin e kërkuar Balluku tha se projekte të tjera pritet të marrin dritën jeshile që këtë vit.
“Jemi të përgatitur të hapim ankandin në 15 nëntor në zonën e Spitallës që është e destinuar për të qenë një zonë ekonomike, dhe ndërtimi i një impianti 100 megavat, duke i dhënë mundësinë konkurrentëve për të treguar fuqinë e tyre dhe për ti siguruar qeverisë shqiptare energji me çmim të ulët”, tha Balluku.
Projekti Milot-Fier është ndër veprat më të rëndësishme infrastrukturore të vitit të ardhshëm, ndërsa ministrja zbuloi se pjesë e saj mund të bëhet edhe aksi rrugor Fushe-Krujë-Krujë.
“Rruga Fushe-Krujë-Krujë është një rrugë që tashmë e ka projektin pasi mendojmë se është akt i rëndësishëm. Është duke u menduar që edhe për këtë duhet të shikojmë edhe projektin që do të dalë për rrugën Milot-Fier, që të shohim mundësi që të jetë pjesë e kësaj rruge”, tha Balluku.
Përveç projekteve infrastrukturore të prezantuar është drejt përfundimit edhe projekti i Baypass të Elbasanit ndërsa në 2021 pritet një tjetër rehabilitim i rrugës Kombinat-Plepa.