TIRANË- Ministria e Mbrojtjes deklaroi sot se "qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë luftën ndaj krimit të organizuar dhe narkotikëve duke e hequr Shqiperinë nga lista e zezë, ku e kishte futur qeveria e mëparshme".
Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Mbrojtjes duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike të bëra sot përmes deputetit Helidon Bushati, se Ministrja Kodheli ka shkelur ligjin theksohet se "të sulmosh Forcat e Armatosura pse mbështesin me mjete logjistike Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme në këto operacione, do të thotë të sulmosh shtetin për të mbrojtur krimin dhe trafikun e drogës".
"Sa për prokurorinë, e ftojmë të thellojë hetimin mbi të gjitha rastet kur mjetet apo më keq akoma Forcat Speciale dhe ato Komando të FA-ve, janë keq përdorur në kërkim floriri apo ruajtje biznesesh private si Kampionati Mundjes, për të mos folur për transport këngëtarësh", thuhet në njoftimin e MM-së.
Ministria e Mbrojtjes siguron qytetarët se bazuar në ligjet e shtetit shqiptar, mjetet e FA-ve do të vazhdojnë të jenë në mbështetje të operacioneve në luftën pa kthim ndaj krimit dhe narkotikëve ashti sic kanë qenë e do të jenë në mbështetje të cdo aksioni civilo-ushtarak në shërbim të tyre.
"Ndërkaq ftojmë përfaqësuesit e PD-së të distancohen nga mbrojtja e trafikantëve, kultivuesve të hashashit apo çdo krimineli që i sponsorizon", përfundon njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes./ATSH/