/ATSH/ - Ministria e Mjedisit ka nisur projektin për trajtimin e sëmundjes së pishave "Procesionarja".
Prej njëzetë vitesh është neglizhuar tërësisht kjo sëmundje, duke bërë që shumë sipërfaqe pyjore të dëmtohen prej saj, dhe nëse nuk bëhet diçka për ta ndaluar ajo i dëmtonë rëndë pyjet.
Tashmë u bënë disa ditë që në ambientet e Ministrisë së Mjedisit, ka nisur trainimi i strukturave të cilët do të drejtojnë, monitorojnë dhe supervizojnë punën në kuadër të Programit Kombëtar për luftimin mekanik të "Procesionares", në katër rajone të vendit tonë: Shkodër, Dibër, Elbasan dhe Korçë.
Trajnimi ka si objektiv, përgatitjen e koordinatorëve rajonalë të emëruar nga Ministri i Mjedisit, trajnimin e drejtuesve teknikë dhe supervizorëve të këtij operacioni.
Financimi i projektit është bërë i mundur nga Programi "Mbrojtja e Mjedisit" miratuar për vitin 2015 për Ministrinë e Mjedisit, nëpërmjet VKM Nr. 104, datë 4.2.2015, të miratuar nga Kryeministri.
Në total janë planifikuar t'i nënshtrohen këtij operacioni 6335 Ha pyje në grumbujt pyjor të pishës së zezë, në katër rajonet e sipërpërmendura dhe në projekt përfshihen 33 Njësi të Qeverisjes Vendore, Komuna dhe Bashki. Nga Njësitë e Qeverisjes Vendore, në bashkëpunim me Zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, do të punësohen mbi 6000 forca pune.
Tre ministri do të jenë të përfshira në zbatimin e këtij programi kombëtar, për të garantuar zbatimin me sukses të tij: Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ministria e Mjedisit është iniciatore e këtij projekti dhe mbart peshën kryesore në zbatimin e tij