Ministria e re Kulturës, mes
modernitetit e antikuarëve

Ministria e re Kulturës, mes<br />modernitetit e antikuarëve
TIRANE- “Ndërtesa ku ndodhemi sot është skena ku do të luajë sot e tutje rolin shumë të rëndësishëm Ministria e Kulturës,.. jo vetëm me zyra dhe holle, por me shpirtra  njerëzorë”. Kështu është shprehur dje ministrja Mirela Kumbaro në promovimin e selisë së re të Ministrisë së Kulturës.

Duke nisur që nga dje, stafi i Ministrisë së Kulturës la përfundimisht ish godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për t’u zhvendosur në mjediset e restauruara të ish Kinostudios “Shqipëria e re”. Selia e re e MK-së sipas m inistres Kumbaro “do të jetë në funksion të njerëzve të artit dhe kulturës, të cilëve do t’u jepet mundësia të shprehin artin e tyre të materializuar në ekspozita, galeri apo shprehje të tjera të artit”.

Pas restaurimit, arkitekti Shkreli ka ruajtur një linjë arkitekturore midis klasikes, modernes dhe klasit të përdorimit të antikuarëve, pa e prishur autencitetin e godinës. Disa prej objekteve dhe mobilieve të ruajtura në ish Kinostudion “Shqipëria e re”, arkitekti Shkreli ia ka përshtatur stilit pompoz të godinës, duke iu rikthyer edhe funksionin. Me shumë finesë selia e MK-së është arreduar edhe me llambadarë apo pasqyra të vjetra kristali, të shpëtuara tashmë nga moria e grabitjeve gjatë rrënimit të institucionit të kinemasë shqiptare.

Ndërsa dje mund të shijoje mbresat që lë stili arkitekturor i kësaj godine, nuk mund të mos kujtoheshe për fatin e dhjetëra e qindra objekteve të tjera që janë grabitur, ose dëmtuar gjatë periudhës 20-vjeçare të tranzicionit.
Shkreli pohon për gazetën Shqiptarja.com se prej vitesh objektet e institucioneve shtetërore me vlera antikuari apo muzeore “kanë pësuar një rrjedhje hemorragjike drejt tregut të zi”, por ai thekon hapin e dytë që pritet të hidhet nga MK; inventarizimin e plotë dhe kërkimin e zbulimin e këtyre objekteve që duhen rikthyer dhe vënë në funksionet që duhet të kenë.

Promovimin e mjediseve të reja të Ministrisë së Kulturës dje e kanë pritur mirë edhe kienastët, të cilët shprehen se kanë pëlqyer faktin që ish Kinostudioja merr funksionin e një qendre kulturore. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Filmit, Ilir Butka, u shpreh se “më vjen mirë që u bë këtu institucioni i Ministrisë së Kulturës, sepse është shumë pranë funksionit që ka pasur dikur”.

Ndërsa aktori i njohur Ndriçim Xhepa, i cili që në rininë e hershme ka realizuar me dhjetëra filma në ish Kinostudion “Shqipëria e re” e vlerëson projektin e restaurimit dhe kthimin në një institucion kulture, ku sipas tij “është shumë i pëlqyeshëm edhe restaurimi me kaq elegancë dhe finesë”. Por arkitekti Shkreli thotë se puna nuk mbaron këtu. Ai thekson se çfarë duhet bërë më tej që objektet dhe orenditë të mund të gjenden e të rikthehen si vlera të trashëgimisë kulturore.
 
Zoti Shkreli, në projektin tuaj restaurues bie ne sy, jo vetëm ruajtja e autencitetit të ambienteve, por edhe rikthimi në funksion i disa objekteve e mobilieve që fare mirë mund të kenë vlerën e antikuarëve ose atë muzeore. Sipas jush, cilat janë ato objekte që ju kanë lënë personalisht mbresë, por edhe që kanë përmbushur funksionin e duhur?
 
-Këtu në ish-Kinostudion “Shqipëria e re”, gjatë viteve të ndryshimeve të sistemit, humbi një pasuri e madhe, jo vetëm e objekteve, por edhe e mobilieve që ka pasur kjo Kinostudio. Kështu, në këtë pikëpamje, ajo që kishte ngelur nga inventari ishte aq pak sa nuk mund të mobilohej gjithë ky objekt i restauruar vetëm me pajisjet apo mobiliet e vjetra. Gjithsesi, pasi bëmë një lloj inventarizimi të objekteve që kanë ngelur dhe arritëm të grumbullojmë dyer të të njëjtit stil që ishin në pjesë të tjera të Kinostudios, pra duke përfshirë edhe ato që nuk i përkasin ambientit të Ministrisë së Kulturës jemi munduar të funksionojë në nivelin më të lartë ky element.

Kemi marrë edhe abazhurë të ndryshëm, që kanë qenë në godina të tjera shtetërore, ku një pjesë të fondit e morën edhe tek ish godina e Ministrisë së Kulturës, të cilat nuk kanë lidhje me ndërtesën, por megjithatë ne mundëm të restaurojmë edhe disa objekte nga rekuizita që kishte Kinostudioja, që janë disa pasqyra prej kristali dhe disa tavolina apo objekte të tjera të arredimit. U munduan me pak fjalë që ta bënim arredimin e ri dhe bashkëkohor, të cilin e kërkon Ministria e Kulturës, në harmoni me disa gjurmë dhe objekte apo mobilie që nga e kaluara e kësaj godine.
 

Është fakt që për sa u përket mobilieve të vjetra të ish Kinostudios ka pasur nga ato që kanë vlera antikuari, siç është kjo pasqyrë kristali. Shumica e tyre kanë qenë edhe mobilie të familjeve të pasura të shpronësuara nga regjimi komunist. Ku mund të jetë sot destinacioni i tyre?
 
-Këto nuk gjenden më për fat të keq, kanë humbur. Do të ishte interesante edhe sikur të gjenin mobiliet e kohës dhe të bënin një projekt arredimi me to, të cilat nëse do të certifikoheshin edhe për origjinën e pronarëve nga janë marrë, të paktën do të mbeteshin si pasuri e këtij objekti, por ndoshta në një të ardhme, dhe unë e theksova edhe në fjalën time gjatë promovimit se ky nuk është një kapitull i mbyllur, edhe vetë institucioni do të bëjë një shikim të fundit të depozitave dhe rekuizitave të ish Kinostudios së madhe, të objekteve të cilat edhe pse kanë një vlerë mobilimi, duhen të merren dhe të vendosen në harmoni me objekte e tyre.
 
A mendon se janë futur shumica e këtyre objekteve të humbura në tregun e zi të antikuarëve?

-Me siguri që janë futur. Këtë madje e them me shumë bindje se janë futur. Për fat të keq në tregun e zi të antikuarëve janë futur jo vetëm objektet e ish pronarëve të cilët janë konfiskuar pa të drejtë kur janë marrë nga shteti, por janë konfiskuar edhe objekte të Hotel Dajtit, por edhe ato të Pallatit të Brigadave, të cilat pasi janë grabitur janë futur në këtë treg. Pra rrjedhja dhe hemorragjia e objekteve të institucioneve po shkon drejt tregut të zi të antikuarëve. Vazhdon të rrjedh në drejtim të tregut të zi. Por ky është momenti ku po bëhet një katalogim, sepse janë vlera trashëgimore këto që humbasin, në mënyrë që kjo rrjedhje të ndalohet definitivisht.
 
Cilat janë objektet e vjetra më interesante të ish Kinostudios që janë ripërdorur në projektin tuaj restaurues?
 
-Këtu janë restauruar të gjithë llambadarët të cilët shpeshherë janë bërë edhe me teknikat që ishin bërë më përpara përmes gërvishtjeve artizanale. Pra një objekt me shumë rëndësi që e kemi ripërdorur është llambadari qendror, i cili ka të gdhendur edhe një ikonografi të periudhës së socializmit, një yll pesëcepësh.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Himara nesër në zgjedhje, policia publikon planin e masave: 52 efektivë ruajnë 36 qendrat e votimit 

Himara nesër në zgjedhje, policia publikon planin e masave: 52 efektivë ruajnë 36 qendrat e votimit