Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka shpallur nismën ‘për krijimin e Rezervës së Strukturuar të Talenteve’.
Përmes një njoftimi, Ministria bën të ditur se kjo nismë synon të mbështesë dhe të plotësojë Shërbimin e Jashtëm, si dhe të mundësojë mobolilizimin e kapaciteteve shtesë për realizimin e prioriteteve të politikës së jashtme.
Në këtë rezervë talentesh, Ministria fton të përfshihen profesionistë me profile të ndryshme, të cilët, pas një procesi testimi dhe certifikimi, do të mund të angazhohen për periudha kohe të caktuara, sipas nevojës, për përmbushjen e detyrave specifike në kuadër të Shërbimit të Jashtëm shqiptar.
Kandidatët për t’iu bashkuar Rezervës së Strukturuar të Talenteve preferohet të kenë eksperiencë në fusha, si: ‘marrëdhëniet ndërkombëtare, drejtësia, ekonomia, siguria, komunikimi publik, diplomacia digjitale dhe shkencat sociale.’
Ndërkohë, më poshtë në njoftimin e Ministrisë bëhen të ditur të gjitha hapat dhe procedurat që duhet të ndjekun personat e interesuar për të qenë pjesë e kësa nisme.
Njoftimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme:
Thirrje për shprehjen e interesit për t’iu bashkuar rezervës së strukturuar të talenteve për forcimin e kapaciteteve të shërbimit të jashtëm:
Me qëllim forcimin e kapaciteteve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) shpall nismën për krijimin e Rezervës së Strukturuar të Talenteve.
Kjo nismë synon të mbështesë dhe të plotësojë Shërbimin e Jashtëm, duke krijuar një mekanizëm fleksibël që i përgjigjet sfidave të një mjedisi ndërkombëtar gjithnjë e më dinamik dhe kompleks. Në një kohë kur zhvillimet globale kërkojnë reagim të shpejtë, ekspertizë të specializuar dhe qasje kreative, kjo nismë do të mundësojë mobilizimin e kapaciteteve shtesë të nevojshme për realizimin e prioriteteve të politikës së jashtme.
Në këtë rezervë talentesh ftohen të përfshihen profesionistë me profile të ndryshme, të cilët, pas një procesi testimi dhe certifikimi, do të mund të angazhohen për periudha kohe të caktuara, sipas nevojës, për përmbushjen e detyrave specifike në kuadër të Shërbimit të Jashtëm shqiptar.
Kandidatët për t’iu bashkuar Rezervës së Strukturuar të Talenteve preferohet të kenë eksperiencë në fusha, si: marrëdhëniet ndërkombëtare, drejtësia, ekonomia, siguria, komunikimi publik, diplomacia digjitale dhe shkencat sociale.
Përzgjedhja e kandidatëve do të bazohet në kritere të qarta profesionale, integritetin dhe eksperiencën përkatëse të kandidatëve, ndërsa certifikimi do të garantojë përgatitjen e nevojshme për angazhim në kontekstin diplomatik dhe ndërinstitucional .
MEPJ mbetet e përkushtuar për të ndërtuar një Shërbim të Jashtëm modern, të aftë dhe të hapur ndaj ekspertizës së re, në funksion të avancimit të interesave kombëtare dhe të përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Kandidatët duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme dhe të posaçme për t’u pranuar në Shërbimin e Jashtëm, si vijon:
Të jenë shtetas shqiptar deri në 35 vjeç;
Të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
Të zotërojnë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
Të jenë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
Të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
Ndaj tyre të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil, që nuk janë shuar sipas ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar;
Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike në Shkenca Shoqërore ose Shkenca Juridike. Edhe diploma e nivelit “Bachelor” duhet të jetë në të njëjtën fushë;
Të kenë të paktën 3 vite eksperiencë profesionale;
Të zotërojnë të paktën dy gjuhë të huaja, një prej të cilave të jetë gjuha angleze dhe një ndër gjuhët zyrtare të OKB-së ose të Bashkimit Evropian, ose gjuhë të rrallë, të vërtetuar me certifikatë nga teste të njohura nga Ministria e Arsimit, sipas Udhëzimit nr. 52 datë 3.12.2015 (https://arsimi.gov.al/ëp-content/uploads/2019/01/Udhezimi-nr.-52-dhe-ndryshimet-e-tij.pdf ) ose të zotërojnë diplomë nga një universitet me gjuhë bazë anglishten.
të mos bëjnë pjesë në asnjë parti apo shoqatë politike.
të mos kenë qenë persona në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 dhe të mos figurojnë në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas legjislacionit në fuqi për të drejtën e informimit për dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Kandidatët që aplikojnë, duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:
Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me dokumentin tip që e gjeni në linkun: http://ëëë.dap.gov.al/legjislacioni/udhezime-manuale/60-jeteshkrimi-standard
Kopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën Bachelor). Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njehsimi nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit;
Kopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
Kopje të letërnjoftimit (ID);
Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
Deklaratë personale me anën e së cilës të deklarojë se nuk bën pjesë në asnjë parti apo shoqatë politike, si dhe faktin që nuk ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit;
Çdo dokumentacion tjetër që vërteton mesataren e ponderuar të diplomës (listë notash, vërtetim nga fakulteti), trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
Aplikimi dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve të cituara më sipër do të bëhet online, brenda datës 30.04.2026 nëpërmjet postës elektronike, në adresën: [email protected].
Kandidatët do të testohen në lidhje me:
Njohuritë mbi ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
Njohuritë mbi ligjin nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”;
Njohuritë mbi ligjin nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”;
Njohuritë mbi ligjin nr. 9131, datë 08.09.2003, “Për rregullat e etikës në administratën shtetërore”;
Njohuritë mbi ligjin nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar;
Njohuritë mbi ligjin nr. 24/2026, “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”;
Njohuritë mbi Vendimin nr. 420, datë 8.6.2016 “Për miratimin e Ceremonialit Shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
Njohuritë mbi Konventën e Vjenës për “Marrëdhëniet Diplomatike” dhe Konventën e Vjenës për “Marrëdhëniet Konsullore”;
Njohuritë mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimit Evropian, https://integrimi-ne-be.punetejashtme.gov.al.
Kandidatët, gjatë intervistës së strukturuar me gojë, do të vlerësohen në lidhje me:
Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me pozicionin e punës;
Eksperiencën e tyre të mëparshme;
Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Në përfundim të vlerësimit, të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këtë procedurë do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail).
Komente











