Brenda muajit do të hapen aplikimet për fermerët që të përfitojnë nga skema kombëtare 2022. Qëllimi është mbështetja e bujkut për të përballuar çmimet e plehrave kimike dhe jo vetëm.
“Si pasojë e konjukturës ndërkombëtare ne jemi përball një realitetit ku duhet t’ju ndihmojmë”, tha ministrja Frida Krifca.
Fermerëve të Lushnjës ministrja e Bujqësisë Frida Krifca u kërkoi të bashkojnë tokat për të përfituar mbështetje nga skema.
“Fermerët që kanë 1 dynym, 2 dynym të bashkohen së bashku dhe të marrin mbështetje për prodhimin e tyre, për fara e fidanë. Ata të prodhojnë veçmas ama bashkohen në koncept për të marrë mbështetjen pranë AZHBR, aplikimet do të hapen brenda muajit, dhe mund të merren 200 milionë lekë për sezon”, tha Krifca.
Në 5 bashki aktualisht po punohet për krijimin e tregjeve të reja që do të ndikojnë në konkurencë.
“Të çlirohen fermerët nga abuzimi i tregtarëve të mëdhenj që diktojnë çmimin. Duke pasur konkurrencë në treg, fermerët do të kenë mundësi të zgjedhin ku do ti çojnë produktet e tyre. Po punojmë për një hulumtim për të pasqyruar çmimet ditore të prodhimeve bujqësore që ti vijmë në ndihmë në ndihmë fermerëve, pra një platformë online e prodhimit bujqësor”, tha Krifca.
Për vitin 2022 për mbështetjen e fermerëve është parashikuar të jepen 3.2 miliardë lekë ku përfshihet garancia sovrane dhe skema e naftës.