TIRANË, 9 Dhjetor / ATSH / - Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, gjatë vizitës në Romë, dha një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Nova, ku përveç sektorit të turizmit dhe zhvillimeve të kësaj industrie në Shqipëri gjatë vitit të fundit, foli edhe për zhvillimin urban dhe përqasjen e integruar të të dyja fushave, për të garantuar modele zhvillimi të qëndrueshme.
Gjatë gjithë këtij viti - u shpreh Gjermeni - kemi punuar fort për promovimin dhe njohjen e vlerave kulturore dhe potencialeve turistike që ka Shqipëria, duke marrë pjesë në më shumë panaire ndërkombëtare, organizimin e media tour dhe tureve familjarizuese me gazetarë të huaj dhe operatorë turistikë.
Në kuadrin e aktiviteteve promocionale për vitin 2014 ne hapëm ekspozitën "Shqipëria nga Qielli dhe nga Thellësitë e Kaltra" në Palazzo Vittoriano, si pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Bashkia Romë "Roma verso Expo", theksoi ajo. /a.ke/










