Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, gjatë vizitës së saj në Vjenë zhvilloi një takim me homologen austriake, Korinna Schumann.
Sala dhe Schumann diskutuan për bashkëpunim në disa fusha, përfshirë hartimin e një Marrëveshjeje të re Bashkëpunimi në Shëndetësi për periudhën 2026–2030. Gjithashtu, u diskutua edhe për modernizimin e infrastrukturës shëndetësore.
Sala u shpreh se Shqipëria mbetet e angazhuar për të thelluar më tej partneritetin me Austrinë.
"Në vijim të vizitës zyrtare në Vjenë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala zhvilloi një takim me homologen austriake, ministren Federale për Punën, Çështjet Sociale, Shëndetësinë, Kujdesin dhe Mbrojtjen e Konsumatorit të Austrisë, Korinna Schumann.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi fusha të mundshme për bashkëpunim, përfshirë hartimin e një Marrëveshjeje të re Bashkëpunimi në Shëndetësi për periudhën 2026–2030, si dhe modernizimin e infrastrukturës shëndetësore, me investime strategjike në shërbimet e urgjencës mjekësore, teknologji të avancuar mjekësore dhe reformën e sistemit spitalor.
Shqipëria mbetet e angazhuar për të thelluar më tej partneritetin me Austrinë, me synim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët.", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Komente








