Një fazë e re e marrëdhënieve pritet të nisë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali nisi sot një vizitë dyditore në Athinën zyrtare me ftesë të homologut grek, George Gerapetritis. Vizita e Ministres Spiropali nisi në Presidencën greke, ku u prit nga Presidenti Konstantinos Tasoulas.
Gjatë takimit Spiropali theksoi se "Shqipëria beson fort se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane".
"Ne e shohim zgjerimin si një investim strategjik në stabilitet, mundësi dhe konsolidim demokratik, veçanërisht ndërsa Greqia përgatitet për Presidencën e Këshillit të BE-së në vitin 2027", tha Spiropali.
Ministrja shtoi gjithashtu se "marrëdhëniet shqiptaro-greke, të ndërtuara mbi lidhje të forta njerëzore, duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymë të mirë, të lidhura nga interesat tona të përbashkëta strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO dhe perspektiva e përbashkët evropiane".
Presidenti Tassoulas përgëzoi Ministren për investimin në reformat serioze që kanë shtyrë përpara progresin dhe zhvillimin e Shqipërisë, duke e afruar vendin me objektivin strategjik për integrim në BE.
Në orën 12.45, Spiropali do të ketë një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Në një intervistë për gazetën greke TA NEA ministrja Spiropali tha se “po shkon në Athinë për të diskutuar 360 gradë.” Pritet që Spiropali dhe ministri i Jashtëm helen të hartojnë një udhërrëfyes të ri të marrëdhënieve me Tiranën.
Në krye të axhendës së takimit do të jenë diskutimet mbi “Çështjen e Detit”, përcaktimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive që mbetet ende një dosje e pazgjidhur mes dy vendeve. Ndërsa, kryeministri Edi Rama në disa takime me shqiptarët në Greqi ka ngritur edhe çështjen e ligjit të luftës, të cilin ka kërkuar nga Greqia që ta heqë.
Mëngjesin e së mërkurës, në orën 09.00, Spiropali do të takohet me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias. Në orën 09.45, Spiropali do të takohet me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për potencialin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Komente











Shyqyr qe e more ti ne dore moj e bekuar
Përgjigju