Në mbyllje të vitit, ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka zhvilloi një takim me strukturën speciale për eliminimin e materialeve të rrezikshme (EOD) të Batalionit Xhenios (bXh) në Komandën Mbështetëse. Një kontigjent i kësaj strukture u kthye pak ditë më parë nga Letonia, ku Shqipëria përfaqësohet me efektivët e saj, pjesë e misioni të NATO-s që prej Qershorit të këtij viti.

Gjatë fjalës së saj ministrja Xhaçka përgëzoi kompaninë kompaninë e Asgjësimit të Municioneve dhe Eksplozivëve si pjesë shumë e rëndësishme e Forcave të Armatosura të Shqipërisë për kryerjen më përgjegjësi të misionit në Letoni dhe Mali.

“Kontributi juaj i vlerësuar edhe nga drejtues të misionit nga vendi ku ju vinit është një tjetër provë e profesionalizmit të Ushtrisë shqiptare”, u shpreh ajo. Xhaçka nuk harroi sërish të vlerësojë edhe një herë punën e palodhshme të efektivëve si brenda dhe jashtë vendit.

“Këto ditë është folur shumë për FA dhe efektivët tanë që në ditët e motit të keq ju gjendën pranë  mijëra familjeve, për djemtë dhe vajzat nën uniformë  që në pak muaj shpëtuan mbi 1000 jetë njerëzish në detin Egje, apo për ushtarakët tanë që kontribuojnë përkrah aleancës  në Afganistan, Kosovë, Bosnje Hercegovinë. Prej qershorit  të këtij viti flamuri shqiptar valvitet krah flamujve  të vendeve anënate të NATO edhe në Letoni dhe në Mali. Profilizimi dhe modernizimi i FA sot është temë e ditës për të qenë atje ku të tjerët e kanë të pamundur të hyjnë. Sepse Shqipëria është NATO, është vendi i djemve dhe vajzave që gjenden aty ku ka më shumë nevojë për të garantuar sigurinë e jetës”, tha ministrja Xhaçka.

Në fund të fjalës së saj, ministrja theksoi se përballimi me sukses i sfidave të reja kërkojnë rritjen e kapaciteteve operacionale. “ Jam krenare të pohoj se, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Mbrjotjes është e angazhuar në një proces modernizimi të FA, me synim rritjen dhe përmirësimin cilësor të kapaciteteve operacionale të strukturave tona ushtarake dhe veçanërisht, të atyre strukturave që janë pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Besojmë fort se, investimi në  të ardhmen e FA është investimi i duhur, që Shqipëria të jetë një vend më i mirë, më i sigurtë dhe më i begatë për fëmijët tanë”, përfundoi Ministrja Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes mori pjesë edhe në analizën vjetore të Komandës Mbështetëse të FA, e cila mbajti një peshë të madhe, në përballimin e emergjencave të pak javëve më parë në disa rajone të vendit. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në takimin e fundvitit me atashetë ushtarakë shqiptarë u kërkoi angazhim dhe vëmendje maksimale për projekte të reja bashkëpunimi me vendet, ku ata ushtrojnë misionin e tyre.

“Roli dhe puna juaj gjatë vitit të ardhshëm duhet të përqëndrohet gjithnjë e më shumë në nxitjen e projekteve të përbashkëta mes vendit tonë dhe vendeve ku ju jeni të atashuar, në funksion të fuqizimit të Forcave të Armatosura. Profilizimi i efektivëve tanë dhe avantazhi krahasues janë dy tiparet që ditë pas dite pa karakterizojnë Forcat tona të Armatosura, ndaj dhe kontributi juaj dhe roli proaktiv në drejtim të arsimimit dhe stërvitjeve të përbashkëta do të rriste cilësinë e performancës së FA”, tha ndër të tjera Ministrja.

Ministrja Xhaçka porositi atashetë ushtarakë që të kujdesen maksimalisht për çdo pjesëtar të Forcave të Armatosura që gjendet në zonat e tyre të përgjegjësisë, që nga studentët deri tek efektivët e dislokuar në misione.

[gallery]25168[/gallery]

Er.K/Shqiptarja.com