Iku Ardian Klosi. Humbja është e madhe, e madhe është tronditja e kolegëve dhe miqve të tij në vendet gjermanofone. Një nga fushat e tij të shumta veprimi i ishte kushtuar mu kontaktit mes dy hapësirave gjuhësore. Falë rrënjëzimit të tij të thellë e të dyfishtë si në kulturën shqiptare ashtu dhe në atë gjermane, Ardian Klosi vite me radhe ishte një nga ndërmjetësve më të rëndësishëm në mes të këtyre dy kulturave gjuhësore. Ky fakt rezultoi, nga një anë, në shtysat për debate shqiptare me këndvështrime shoqërore dhe shkencore nga Gjermania. Nga tjetra anë Ardian Klosi zhvilloi një veprimtari shkencore e cila në Shqipëri nuk është perceptuar si duhet: ai nuk ishte vetëm publicisti dhe përkrahësi i njohur i shoqërisë civile shqiptare, siç thuhet shpesh në nekrologjitë e para. Hulumtimet e tij në lëmenjtë e ballkanologjisë dhe albanologjisë kanë vlerë të qëndrueshme, duke filluar nga puna e tij filologjike mbi mitologjinë te Kazantzakis, Andriq dhe Kadare (1991, fryt e doktorimit në Innsbruck) dhe puna leksikologjike bashkë me Wilfried Fiedler deri te edicioni i teksteve të vjetra arvanite të mbledhura nga Karl Reinhold (2005).
Në përgjithësi, Ardian Klosi ka qenë një intelektual i dorës së parë dhe për këtë ka qenë dhe jashtëzakonisht kureshtar dhe i hapur, gjë që doli sheshit qartazi në interesimin e tij për gegnishten letrare për të cilin nuk e nxiti ndonjë lidhje familjare por patriotizmi i tij ndaj shqipes dhe të gjitha varieteteve të saj dhe një gjerësi mendore që i mungon shumëkujt tjetër në këtë mes. Gjatë viteve të veprimit të tij në Mynih, Ardian Klosi jo rastësisht u spikat si ndërmjetës i trashëgimisë intelektuale dhe letrare të Martin Camajt pas vdekjes së atij të fundit fill pas rrëzimit të diktaturës. Botimi i parë i madh i veprës camajane në Shqipëri (1995/1996) është merita e Klosit. Edhe pas kthimit në Shqipëri (1998/1999) dhe angazhimit si drejtor i televizionit shqiptar në një periudhë sidomos të vështirë kthese, Ardian Klosi ishte jo vetëm një publicist i angazhuar por i mishëronte ashtu si padashur marrëdhëniet kulturore shqiptaro-gjermane. Për politikën e jashtme kulturore të Gjermanisë kjo e kishte pasojën e këndshme që mungesa e një instituti "Goethe" në Tiranë (dhe në mbarë hapësirën shqipfolëse) nuk ishte aq e dhimbshme sa do të kishte qenë pa Klosin. Ashtu si qëndronin punët, ai si drejtor i Shoqatës Kulturore "Robert-Schwartz" i personifikonte marrëdhëniet kulturore, ku bashkëpunonte ngusht me Institutet "Goethe" në Greqi dhe Gjermani.

Përkthimet e shumta Ardian Klosi i lidhte me një orientim kulturor – tekstet që i përkthente ishin në fund të fundeve edhe shprehje e një programi kulturor dhe shoqëror. Në rastin e përshkrimit të shtetit të Ali Pashës nga Pukvili (Pouqueville), Ardian Klosi e zbërtheu admirimin për despotin Ali në Shqipërinë e Enver Hoxhës si shprehje e ideologjisë së sundimit totalitar.

Kush pati rast ta përjetonte Ardianin si mik, do të mbajë mend diskutime të gjalla me një intelektual të formatit europian. Kush ndëgjonte leksionet e tij, kush udhëtonte me të nëpër Shqipëri, deri në Qafën e Luginës së Cemit, kush qëndronte me të mbi rrënimet e Drishtit apo i kërkonte mbeturinat e Balezos nën diellin e qershorit, i admironte godinat romanike të Shasit nën shiun e imët dimëror, takoi jo vetëm një njohës të hollë të kulturës shqiptare e të Europës juglindore por një njeri që e dashuronte vendin e vet dhe kulturën e pasur të tij.

Në Shqipëri shpesh ia denigronin Ardian Klosit këtë dashuri kulturore dhe qytetare, qoftë për shkak të marrisë qoftë për ndonjë interes. Klosi ka qenë një ndër luftëtarët e kulluar për një shoqëri civile shqiptare, për një shoqëri shqiptare humane, më të denjë për të jetuar dhe për njerëzit e saj. Për këtë angazhimi i tij e tejkalonte fushën e mirëfillte të veprimit të tij – historinë e letërsisë e të kulturës. Ai hynte në radhet e përfaqësuesve kryesorë të lëvizjes ambientaliste shqiptare: guximshëm iu kundërvu shkatërrimit të monumenteve të natyrës për interesa thjesht komerciale si në rastin e pyllit bregdetar vlonjat; e kritikonte prishjen e natyrës si humbje të themeleve natyrore dhe kulturore të shoqërisë shqiptare. Dashuria e tij për peizazhin shqiptar dhe ndërlidhjet e tij kulturore pasqyrohej në esetë dhe reportazhet e shumta si dhe në kontributin e tij për albumet fotografike të bashkëshortes Jutta Benzenberg. Është për të shpresuar që kultura shqiptare në të ardhmen do ta njohë e do ta çmojë më shumë pasurinë e këtyre përshkrimeve letrare. Ardian Klosi ka qenë një burrë i guximshëm, gjë që e dëshmoi p.sh. me librin për tragjedinë e Gërdecit ku u shua gjysma e fshatit. Sypatrembur i shkroi emrat e përgjegjësve edhe nëse i ushtronin funkcionet më të larta. Në këtë mes e kishte hallin për luftën për shtetin juridik në të cilin e fitojnë të drejtën e vet edhe vegjëlia, njerëzit pa lidhje me të fuqishmit. Ardian Klosi kishte kuptuar qartas se sistemi funkcionues juridik që e ka besimin e popullsisë është baza e ndërtimit të shoqërisë demokrate dhe pluraliste në Shqipëri.

Ardian Klosi ka qenë në shënjestër të sulmeve nga më të ashprat nga qarqet e fuqishme politike dhe letrare, sulme këto që u përkisnin edhe aspekteve krejtësisht private. Disa nxitnin urrejtje kundër tij, e fyenin si tradhtar. Mirëpo, Ardian Klosi ka qenë një patriot i madh, aq patriot sa dhe kozmopolit. Jetën dhe krijimtarinë ia dedikoi rikthimit të Shqipërisë së traumatizuar nga diktatura komuniste te Europa duke i prurë Shqipërisë letërsinë europiane dhe para së gjithash mendimin europian. Ai ka qenë një patriot i cili e dashuronte vendin e vet, kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare – mirëpo jo në versionin nacionalstalinist që edhe sot e kësaj dite e mbajnë lart pjesë të elitave të vjetra si trashëgimi e pakapërdirë. Armiqësia që e shfaqnin aq shpesh ndaj Ardian Klosit ishte një tregues i qartë se në çfarë mase Shqipëria ende s' ia doli të kryejë kalimin deri te një shoqëri me respekt ndaj tjetrit që mendon ndryshe.

Mirëpo, vepra e tij prej intelektuali dhe shkrimtari do të qëndrojë. Nëse Ardian Klosi dhe vepra e tij një ditë do të hasin konsideratën e gjerë të shoqërisë – ndoshta duke filluar me momentin e tashëm dhe shokimin e gjërë për vdekjen e tij – kjo do të jetë një mugull dhe një tregues për zhvillimin e një demokracie të konsoliduar e të shtetit në të vërtetë juridik në Shqipëri.
Ardian, miqtë dhe kolegët tanë do të të kujtojnë me mirënjohje.

Peter Bartl (Mynih)
Ruediger Bolz (Instituti "Goethe", Moskau)
Erika Camaj (Lenggries)
Konrad Clewing (Instituti për Hulumtimin e Europës Lindore dhe Juglindore, Regensburg)
Antje Contius (Fondacioni "S. Fischer", Berlin)
Bardhyl Demiraj (Universiteti "Ludwig-Maximilian", Mynih)
Wilfried Fiedler (Universiteti "Friedrich-Schiller", Jena)
Hans-Joachim Lanksch (Shoqata "Martin Camaj", Mynih)
Aylin Rieger (Fondacioni "S. Fischer", Berlin)
Michael Schmidt-Neke (Shoqata e Miqësisë Gjermano-Shqiptare, Kiel)
Oliver Jens Schmitt (Universiteti i Vjenës, Vjenë)

(shqiptarja.com)