Gra, burra e fëmijë protestuan së fundmi në kantierin ku ndërtuesi dhe botuesi Bashkim Ulaj po ndërton resortin “Blu Borgo” në vijën bregdetare të Velipojës.
Një i mitur iu bashkua protestës dhe tha se kishte ardhur nga Anglia, ndonëse e ka sëmurë të ëmën.
Ai deklaroi se nuk do e lëshojë tokën e të parëve dhe nëse është e nevojshme, do e mbrojë me jetë.
“Kam ardhur nga Anglia këtu, e kam mamin sëmurë në Angli dhe kam ardhur këtu për ta mbrojtur tokën. Tokën e gjyshit tim. Nuk e lëshojmë tokën pa vdekur”, shprehet i mituri.
Banorët kërkojnë nga biznesmeni Bashkim Ulaj që të mos ndërtojë mbi tokat e tyre pa marrëveshje për kompensim, duke paralajmëruar se grabitja e tokave te trashëgimisë mund të çojë në përshkallëzim e tension të situatës. Ata shtuan se do të mbrojnë tokën me të gjitha mjetet.
Me herët dhe organizata mjedisore PPNEA deklaroi se projekti rrezikon të betonizojë një zonë të mbrojtur, ku strehon qindra shpendë shtegtarë, duna bregdetare të paprekura, laguna, habitate të rralla dhe korridore ekologjike.
Oligarku Bashkim Ulaj ka marrë statusin e investitorit strategjik nga Qeveria për të ndërtuar “Blue Borgon”, resortin turistik me 33 struktura akomodimi me nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë.
Komente










