Sali Berisha akuzoi SPAK dhe KLP se po heshtin përballë ndryshimeve të prezantuara në Kodin e Procedurës Penale, që sipas tij synojnë të bllokojnë hetimet e korrupsionit dhe të mbrojnë kryeministrin Edi Rama. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Berisha tha se dispozitat e reja kufizojnë nisjen e hetimeve pa njoftuar personin nën hetim dhe zhvlerësojnë provat e siguruara pa vendim gjykate.
“E vërteta është, organizatës socialiste të partisë që quhet SPAK, partia ia hoqi dhëmbë dhe dhëmballë. Dhe ajo që më bën përshtypje, Muharrem, është se kjo paketë ligjore, e cila bën të pamundur hetimin, kjo paketë ligjore, e cila de facto bllokon hetimin, ka krijuar shqetësim ndërkombëtar dhe nuk ka asnjë fjalë nga organizata e partisë, SPAK-u, për këtë paketë. Nuk ka asnjë fjalë nga KLP-ja e partisë, Këshilli i Prokurorëve.
Prokurorëve u është hequr e drejta të nisin hetime pa njoftuar personin, mbi bazën e informacioneve të mjaftueshme për të nisur hetimin. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë: mos bëj më asnjë hetim. Kjo është tallje, përqeshje. Por tani që është Edi Rama në shigjetë dhe rrethi i tij, tani nuk quhet më i vlefshëm asnjë hetim që mund të kenë filluar kundër tij, meqenëse nuk e kanë njoftuar”, tha Berisha.
Berisha pretendon gjithashtu se ndryshimet synojnë të nxjerrin jashtë përdorimit prova të rëndësishme për hetimet. Ai kundërshton edhe dispozitat që kufizojnë publikimin e materialeve hetimore nga mediat.
“SKAP-istët nuk flasin, por ata duhet ta dinë që kanë një përgjegjësi të madhe para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Dhe heshtja e tyre është heshtje turpi. Nuk flasin për faktin se provat u zhvlerësohen me ligj. Çfarë do të thotë kjo? Të gjitha mesazhet e Edi Ramës dërguar Lubi Ballukut, Ergys Agasit, Vlora Hysenit e të tjerë me radhë, meqenëse janë marrë pa vendim gjykate, nuk kanë vlerë.
Tani Edi Rama po i zhvlerëson provat e marra nga celularët dhe në servera, pa vendim gjykate nuk vlejnë për proces. Pra, mbron veten e tij. Po mbron Olsin e tij, po mbron Lindën e tij, po mbron narko-qeverinë e tij.
Tjetër, kjo paketë është paketë absolutisht staliniste. Kjo bllokon totalisht, censurë totale ndaj mediave. Mediat tani nuk mund të japin asnjë informacion, përkundrazi dënohen në qoftë se botojnë. Por anëtarët e organizatës së Partisë Socialiste, SPAK, nuk shqiptojnë një fjalë të vetme. Histori turpi, histori nënshtrimi. KLP-ja, qeveria e prokurorisë së akuzës, nuk shqipton një fjalë të vetme. Këto janë dëshmi të një kontrolli të plotë dhe total të Edi Ramës mbi institucionet e drejtësisë”, vijoi Berisha.
Lajmi kryesor:
SHBA e shmang, Berisha-ambasadorit Wendt: Mos e vizitoni SPAK, është armik i pluralizmit! SHISH? Rama përgjoi opozitën dhe rivalët në PS (VIDEO)








