Ndonëse miratimi i hartës së re territoriale u shoqërua me kritika nga vetë radhët e Partisë Socialiste, përfshirë deputetin Erion Braçe i cili ishte ndër më të ashprit, kryeministri Edi Rama e cilëson miratimin e reformës si një tjetër shtysë modernizuese për Shqipërinë.
Pasi Territorialja mori 85 vota pro në Kuvend, në një reagim të shkurtër në platformën X, Rama përcolli një mesazh për ata që sipas tij kishin bërë llogari të gabuara për qëndrimin e socialistëve. Kryeministri shkroi se votimi tregoi edhe një herë se askush nuk duhet të bëjë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste.
“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese. Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste”, shkroi Rama.
Harta e re territoriale që shkrin 15 bashki solli debate të ashpra në mbledhjen e grupit të PS, para se drafti të kalonte për votim në Kuvend. Braçe i cili ishte një ndër zërat më të ashpër, u përplas me kryeministrin Edi Rama në mbledhje i cili e paralajmëroi se do të largohej nga grupi nëse votonte kundër. Kritika kishin edhe deputetët Vullnet Sinaj dhe Elisa Spiropali, por të tre ngritën kartonin jeshil në sallë duke respektuar vendimin politik të grupit.





Komente
Komento