Lufta kundër piraterisë online, përgjegjësitë e platformave që publikojnë video në youtube apo rrjetet të tjera dhe forcimi i të drejtave ekonomike të autorëve janë në fokus të ndryshimeve të propozuara në ligjin e të drejtave të autorit. Në fokus të projektligjit të diskutuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, janë edhe të drejtat në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, digjitalizimi dhe trashëgimia kulturore, duke synuar një ekuilibër mes mbrojtjes së pronësisë intelektuale dhe interesit publik.

Për këtë çështje ishte depozituar edhe një nismë nga deputetja Evis Kushi, e cila kërkon t’i bashkëngjitet këtij projektligji.

“Në ligjin ekzistues të vitit 2016 mund të luftohet shkelja e të drejtave të autorit, por nuk ekziston hapësira ligjore për shkeljen e të drejtave nga pirateria online. Kjo ka qenë arsyeja kryesore pse e kam marrë këtë inisiativë. Ndryshimet që kam sjellë plotësojnë këtë hendek.”, tha deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi.

Në projektligj parashikohet edhe riorganizimi i Drejtorisë për të Drejtën e Autorit në një drejtori të përgjithshme, rritja e stafit nga 8 në 19 punonjës, krijimi i një sektori të posaçëm kundër piraterisë online dhe një platforme elektronike për trajtimin e ankesave.

“Ky projektligj përfaqëson një hap vendimtar drejt përputhshmërisë së plotë të legjislacionit shqiptar me ‘acquis’ të Bashkimit Evropian dhe përmbush një nga piketat kryesore të Kapitullit 7 për pronësinë intelektuale.”, tha Esmeralda Demiraj, këshilltare juridike në Minsitrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, ngriti shqetësime për ritmin e përshpejtuar të procedurës dhe mungesën e konsultimeve të mjaftueshme parlamentare.

“Ky proces legjislativ kaq i shpejtë, pa kohë dhe pa konsultime parlamentare është shqetësues. Duhet të sigurohemi që ligji të zbatohet në praktikë dhe që mbrojtja e të drejtës së autorit të mos cenojë të drejtën e informimit.”, tha Tabaku.

Përfaqësuesit e Ministrisë sqaruan se Drejtoria e Përgjithshme e të Drejtës së Autorit do të ketë rol rregullator, ndërsa AMA dhe AKEP-i do të vijojnë të ushtrojnë kompetencat e tyre sipas fushës përkatëse. Pas diskutimeve, Komisioni miratoi projektligjin nen për nen dhe në tërësi, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në seancë plenare.