Miratohen te 'Ekonomia' ndryshimet e buxhetit 2021, Ministria e Financave: Shtohen shpenzimet, japim bonusin për pensionistët! Braçe: Ka jo eficencë në përdorimin e parasë publike

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar ndryshimin e buxhetit të shtetit për herë të 6 brenda këtij viti. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka thënë se me këtë rishikim të buxhetit do të shtohen të ardhurat dhe shpenzimet me 18.2 miliardë lekë. Po ashtu me këtë rishikim vendoset të jepet edhe bonusi prej 5 mijë lekësh për pensionistët.

“Nëpërmjet këtij akti normativ rriten me 18.2 miliardë lekë shtesë që është shifra më e lartë historike në raport me PBB. Do jepet bonusi për 5 mijë lekësh për të gjithë pensionistët 688 mijë, me vlerë 3.5 miliardë lekë, që është vënë në dispozicion të ISSH, dhe do të bëhet efektive pas miratimit të projektvendimit përkatës. Kemi rritur me 7 miliardë lekë për rindërtimit, janë vendosur 1.7 miliardë lekë për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore. Po ashtu financim shtesë me 1.9 miliardë lekë për projektet me financim të huaj, 800 mln lekë menaxhimin e emergjencës së pandemisë projekt në mbështetje me BB, 600 mln për rrugën Qukës- Qafë Plloçë 500 mln lekë për baypas Vlorë”, ka thënë në komision ndër të tjera ministrja Ibrahimaj.

Ibrahimaj ka pohuar se këtë vit ka pasur një rritje të ndjeshme të të ardhurave doganore dhe tatimore. Sa i takon të ardhurave të mbledhura nga doganat ndikim të rëndësishëm ka pasur edhe rritja e çmimeve.

“Rritja e të ardhurave doganore ka ardhur 20% si pasojë rritjes së çmimeve në tregjet e huaja, ndërsa 80% e rritjes së të ardhurave ka ardhur si pasojë e rikuperimit ekonomik”, tha Ibrahimaj.

Por prezantimi i ndryshimeve të buxhetit të vitit 2021, ka ngritur një sërë pikëpyetjesh nga deputeti socialist Erion Braçe.

“Në fund të nëntorit sa është realizimi i investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj?

-Vlera e investimeve shkon në 1.4 miliardë dollarë, mund të më thoni nëse kjo shumë do të jetë e ezauruar deri në fund  të vitit?

-Nëse investimet nuk realizohet çfarë do të ndodh me të ardhurat e parashikuara?

-Në fund të nëntorit në ca mase është realizuar deficiti? A parashikoni që deficiti të bjerë më poshtë se 6.9%?

- Sa është fatura e rindërtimit deri më tani dhe sa miliardë do na duhet për ta mbyllur plotësisht procesin e rindërtimit?

- Do të shtoni 1.7 mld lekë për MIE, mund të dimë se sa do të jetë vlera e detyrimeve në 31 dhjetor?

- Shtohen 800 mln lekë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 500 mln lekë për pagesën e furnizimit me rapid test dhe 300 milionë lekë për shlyerjen e vendimeve gjyqësore referuar detyrimit të papaguar të indeksimit të aftësisë së kufizuar ndër vite. Kjo shifër i referohet blerjes së testeve të reja? Nëse është kështu a ka ndonjë plan qeveria do vazhdoni të paguani për ata që nuk vaksinohen, ne kemi shpenzuar para për blerjen e vaksinave blerjen e testit,ka ndonjë plan që të stimuloj vaksinimin dhe jo bërjen e testit javë për javë, për ata që janë të pavaksinuar dhe që e refuzoj vaksinimin?

Shtesë 340 milionë lekë për Ministrinë e Bujqësisë për skemën e fermerëve, për cilën skemë dhe në ça niveli do të mbështeten fermerët këtë skemë?”, pyeti Braçe.

Për shumicën e këtyre pyetjeve ish-zëvendëskryeministri Braçe nuk mori përgjigje në Komision, por që do i vihen në dispozicion nga Ministria e Financave me shkrim. Ndërkohë Ibrahimaj ju përgjigj sa i takon shpenzimeve, duke thënë se deri në nëntor jashtë shpenzuar 53.1% e fondit të parashikuar për shpenzime kapitale.

Pas kësaj përgjigje Braçe u shpreh se ka in-eficencë në përdorimin e parave publike.

“Të realizohen investimet me 53% në fund të nëntorit tregon in-eficencë totale të përdorimit të parasë publike. Bëjmë gjithë këtë sakrificë, mbledhim paratë dhe nuk i përdorim atje ku kanë nevojë njerëzit sepse kanë paguar taksa e tatime, kanë mbajtur edhe peshën e borxhit e të deficitit dhe të mos përdorim paratë publike. Për ju do jetë problem i madh sepse për të realizuar këto shpenzime do të paguani 60-70 miliardë lekë deri në fund të këtij muaj  dhe kur inflacioni ka shkuar 3.1% imagjinojeni vetë sesa do të jetë ndikimi dhe ky është shqetësimi real i ngritur nga Banka e Shqipërisë dhe FMN-ja”, tha Braçe.

Sa i takon rialokimeve të fondeve dhe shpenzimeve për pensionistët, Braçe i konsideron lëvizje pozitive por bonusi i fundvitit nuk është i mjaftueshëm.

“35 milionë dollar natyrisht janë pagesë e mirë për pensionistët, për të përballuar shpenzimet e tyre në prag të festave. Nuk mjafton dhe e kemi thënë këtë, ndaj atij brezi askush nga ne nuk mund të ndjehet i vetë-mjaftueshëm për situatën që kemi sot dhe nën kërcënimin e inflacionit që ne e kemi prezent edhe përtej tragetit të BSH. Bëhet mirë që do të paguajmë për aftësinë e kufizuar, apo për mirëmbajtjen e akseve rrugore sidomos tani me këto kushte klimatike, bëhet mirë që po investohet në investimin me uji të pijshëm”, pohoi Braçe.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:47
Shtohet buxheti i rindërtimit me 7 mld lekë për 2021, Braçe: Duhet transparencë, sa është fatura totale e rindërtimit?

 

Me rishikimin e fundit të buxhetit të shtetit shtohet fondi për rindërtimin pas tërmetit të nëntorit 2019, me 7 miliardë lekë por nga ana tjetër do të shtohen edhe shpenzimet me 308 milionë lekë për Entin Kombëtar të Banesave për qiratë për familjet e mbetura të pastreha. Sa i takon rindërtimit deputeti Erion Braçe ka kërkuar informacion të detajuar për pagesat e bëra për këtë proces. 

“Do jepen 308 mln lekë për Entin Kombëtar të Banesave për strehimin e familjeve që janë prekur nga tërmeti. Sa është pagesa për qiratë e familjeve që kanë dalë të pastreha nga tërmeti?”, pyeti ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe

“Sot shtojmë 308 milionë lekë për qiratë, ndërkohë në buxhetin fillestar ishin parashikuar 1.5 miliardë lekë për qiratë. Pastaj ka pasur shtesë për fondin e qirave me aktet normative të buxhetit dhe në total për këtë vit shpenzimet për qiratë 3.1 miliardë lekë. Shkak është bërë rritja e kërkesave të paraqitura nga bashkitë që për gjithë vitin 2021, pasi është rritur numri i banesave që shemben, pas vlerësimeve që po bëhen. Aktualisht janë rreth 13 mijë familje që marrin qiratë”, tha Ibrahimaj.

Sa i takon këtyre shtesave në buxhetin e rindërtimit Braçe tha se duhet transparencë.

“Bëhet shumë mirë që shtohen paratë për rindërtimin, por 28 milionë dollarë fatura për qiratë është shumë, është shumë dhe duhet të ketë disiplinë dhe transparencë këtu. Bashkitë janë kyçi i përgjegjësisë dhe transparencës në këtë histori. Janë 55 miliardë lekë për rindërtimin këtë vit dhe vitin e ardhshëm por duhet të dimë faturën e saktë sa kemi paguar deri tani dhe sa do të paguajmë për të gjithë rindërtimit”, tha Braçe. 

Ndërsa në vitin e kaluar për bonusin e qirasë janë dhënë 3 miliardë lekë. Procesi i rindërtimit pritet të mbyllet përfundimisht në shtator të vitit 2022.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 15/12/2021 13:15

    Bracja kerkon gjene me elementare qe duhet te kete nje qeveri.Kerkon transparencen e shpenzimeve te rindertimit.Ahmetaj duhet te deklaroj sa para jane shpenzuar nga shteti per rindertimin.Populli ka te drejte te kerkoj llogari per parane e tij.Ndertomi falas i banesa te demtuarve nga termeti eshte ndihme oer qytetarwt pir eshte pasuri e shtetit shqiptar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka qenë Vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve proces i besueshëm?



×

Lajmi i fundit

Mori 50 mijë lekë që të ndërhynte tek prokurori dhe gjyqtari për të mos dënuar një person, oficeri gjyqësor  dënohet me 3 vite burg

Mori 50 mijë lekë që të ndërhynte tek prokurori dhe gjyqtari për të mos dënuar një person, oficeri gjyqësor dënohet me 3 vite burg