Miratohet Fondi i Ekselencës, kriteret për mbështetje financiare për studentët e shkëlqyer

Miratohet Fondi i Ekselencës, kriteret për mbështetje financiare për studentët e shkëlqyer

Këshilli i Ministrave ka miratuar mbështetjen monetaret përmes bursave për studentët dhe nëpunësit civilë të shkëlqyer përmes fondit të ekselencës. Për të kryer studimet në një nga universitetet më të mira në botë, me ndihmën e qeverisë shqiptare janë përcaktuar kategoritë dhe kriteret që duhet të plotësojnë studentët dhe nëpunësit civil për të përfituar nga fondi i ekselencës. Fillimisht studentët duhet të jenë pranuar në njërin prej universiteteve më të mira ndërkombëtare duke iu referuar renditjes botërore nga “Timer higher education” dhe nota mesatare duhet të jetë mbi 9 për shkencat natyrore dhe teknike, dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore. Kriter për përfitimit të bursës nga shteti shqiptar është dhe që studentët të pranojnë të kthehen dhe të punojnë në institucionet e administratës buxhetore shtetërore dhe institucionet e pavarura publike në Shqipëri, për së paku 2 (dy) vjet, pas përfundimit të studimeve të doktoratës në fushën e studimeve të kryera. Për zbatimin e këtij vendimi do të merret Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer dhe të nëpunësve civilë (fondi i ekselencës)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 4, dhe 112, pika 4, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

v e n d o s i:

1. Financimin nga buxheti i shtetit, brenda fondeve buxhetore të miratuara për vitin përkatës për Fondin e Ekselencës, dhe nga donacione ose të ardhura të tjera, nga burime të ligjshme, për mbështetjen financiare të studentëve shqiptarë të shkëlqyer, i cili përdoret nga ministria përgjegjëse për arsimin për bursa për:

a) studentët, të cilët ndjekin studimet e ciklit të dytë apo të tretë jashtë vendit, në universitetet më të mira të botës;

b) nëpunësit civilë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Nga fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përfitojnë mbështetje financiare kandidatët që plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon:

a) Studentët, që ndjekin jashtë vendit programe studimi të ciklit të dytë kur:

i. janë shtetas shqiptarë;

ii. kanë përfunduar studimet e ciklit të parë me notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore dhe teknike, dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore;

iii. janë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së përgjithshme për vitin përkatës të aplikimit dhe/ose asaj specifike, sipas fushave, nga “Times Higher Education” – Renditja botërore e universiteteve, për të ndjekur një program studimi të ciklit të dytë;

iv. pranojnë të punojnë në institucionet e administratës buxhetore shtetërore dhe institucionet e pavarura publike në Shqipëri, për së paku 2 (dy) vjet, pas përfundimit të studimeve dhe diplomimit në ciklin përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën;

v. nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar.

b) Studentët, të cilët ndjekin studimet e plota të doktoratës, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve universitare, kur:

i. janë shtetas shqiptarë;

ii. janë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës në shkencat shoqërore dhe ekonomike ose në njërin nga 50 universitetet më të mira të botës në shkenca natyrore e teknike, sipas renditjes së fundit të përgjithshme dhe/ose asaj specifike, sipas fushave, të “Times Higher Education” – Renditja botërore e universiteteve, ose janë pranuar në njërin prej universiteteve të mirënjohura ndërkombëtare për studime në albanologji;

iii. nuk përfitojnë financim apo shpërblim të plotë ose bursë të plotë për punën kërkimore apo mësimore që bëjnë gjatë këtyre studimeve në universitetin pritës, në vlerë më të madhe se ajo e parashikuar për financim nga Fondi i Ekselencës;

iv. pranojnë të kthehen dhe të punojnë në institucionet e administratës buxhetore shtetërore dhe institucionet e pavarura publike në Shqipëri, për së paku 2 (dy) vjet, pas përfundimit të studimeve të doktoratës në fushën e studimeve të kryera;

v. nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar.

c) Nëpunësit civilë, të cilët ndjekin jashtë vendit një program 1-vjeçar, “Master” të ciklit të dytë apo të tretë, kur:

i. janë shtetas shqiptarë;

ii. janë pranuar në njërin nga 300 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së fundit të përgjithshme ose në njërin nga 100 universitetet më të mira të botës, sipas fushave, nga “Times Higher Education” – Renditja botërore e universiteteve, në vitin më të fundit, për të ndjekur në ciklin e dytë apo të tretë të studimit një program “Master” me kohëzgjatje 1-vjeçare në fushat: politika publike, administrim publik, politika ekonomike, politika arsimore, politika shëndetësore, urbanistikë dhe zhvillim urban, menaxhim i financave publike, e drejtë administrative/publike dhe studime evropiane;

iii. pranojnë që pas përfundimit të studimeve të kthehen dhe të punojnë për së paku 2 (dy) vjet, pas përfundimit të studimeve, në institucionin e mëparshëm;

iv. kanë marrë aprovimin e titullarit të institucionit ku punojnë për kryerjen e studimeve jashtë vendit dhe aplikimin për përfitimin financiar nga Fondi i Ekselencës;

v. nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar.

3. Për kandidatin që plotëson kriteret e njërës prej kategorive të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, në rastet kur përfiton një financim të pjesshëm nga universiteti pritës apo nga donatorë të tjerë, financimi nga Fondi i Ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës, deri në vlerën maksimale të parashikuar nga universiteti pritës, për vitin akademik, për shpenzime si tarifa e regjistrimit dhe/ose shpenzime të tjera të jetesës e udhëtimit, në varësi të masës së fondit në dispozicion.

4. Përfituesi ka detyrimin për të kthyer masën e bursës së përfituar në rastet kur:

a) përjashtohet nga universiteti pritës;

b) ndërpret studimet, për të cilat është mbështetur financiarisht;

c) pas përfundimit të studimeve nuk është punësuar, sipas kushteve të parashikuara në këtë vendim;

ç) nuk ka përmbyllur apo përfunduar studimet në ciklin përkatës brenda 1 viti, pas përfundimit të afatit zyrtar të studimeve, me përjashtim të rasteve të sëmundjeve, të vërtetuara, të rasteve të fatkeqësive familjare apo kur parashikohet nga universiteti pritës.

5. Rregullat e hollësishme për afatet e aplikimit, të zbatimit të kritereve e procedurave, për përcaktimin e masës dhe të mënyrës së financimit si dhe për numrin e anëtarëve dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë komisioni, për secilën nga bursat e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin, i cili miratohet brenda 30 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

6. Përzgjedhja e kandidateve kryhet para fillimit të vitit akademik, nga komisione përzgjedhëse të ngritura me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin. Komisioni përzgjedhës kryesohet nga ministri përgjegjës për arsimin ose nga personi i deleguar prej tij, në nivel zëvendësministri ose nëpunësi civil i nivelit të lartë drejtues. Kur Fondi i Ekselencës plotësohet edhe nga donacione, në komision ka të drejtë të marrë pjesë edhe një përfaqësues i donatorëve.

7. Studentët e ciklit të dytë, të cilët nuk i japin të gjitha provimet apo e përfundojnë vitin me notë mesatare më të ulët se nota 8 (vlerësimi ndërkombëtar, sistemi anglosakson B), nuk përfitojnë bursë për vitin e dytë.

8. Studentët e ciklit të tretë “Doktoratë”, të cilët nuk i shlyejnë të gjitha detyrimet akademike të vitit përkatës, për të cilin përfitojnë bursë, nuk mbështeten nga Fondi i Ekselencës për vitet në vijim.

9. Studentët e përcaktuar në pikat 7 e 8, të këtij vendimi, depozitojnë në ministrinë përgjegjëse për arsimin certifikatën/listën e notave dhe detyrimet e shlyera për vitin e parë të studimeve si dhe dokumentacionin justifikues financiar të shpenzimeve që mbulojnë vlerën e bursës së akorduar. Afatet për dorëzimin dhe shqyrtimin e aplikimeve për këta përfitues përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.

10. Përfituesi dërgon në ministrinë përgjegjëse për arsimin diplomën e studimeve, të financuara nga programi i Fondit të Ekselencës, dhe jetëshkrimin e tij, brenda 30 ditëve, nga marrja e diplomës nga universiteti përkatës.

11. Brenda 30 ditëve, pas diplomimit, deri në përmbushjen e detyrimit për punësim, përfituesit duhet të aplikojnë për çdo pozicion të lirë pune në institucionet e administratës buxhetore shtetërore dhe institucionet e pavarura publike. Në institucionet, në të cilat marrëdhëniet e punës rregullohen me Kodin e Punës, rekrutimi në pozicionet përkatëse i përfituesve të Fondit të Ekselencës kryhet me prioritet. Përfituesit e Fondit të Ekselencës punësohen nga Departamenti i Administratës Publike, në përputhje me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për punësimin e përkohshëm të studenteve të ekselencës në institucionet e administratës shtetërore, për gjithë kohëzgjatjen e detyrimit për punësim.

12. Studentët, të cilët kanë përfituar bursë dhe nuk kanë realizuar detyrimet e programit përkatës dhe/ose i ndërpresin ato, sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim dhe në aktmarrëveshjen e lidhur ndërmjet përfituesit dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin, duhet t’i kthejnë ministrisë përgjegjëse për arsimin shumën e përfituar në formë burse nga Fondi i Ekselencës brenda 6 (gjashtë) muajve, nga dita e njoftimit. Në rast të moskthimit të shumës apo refuzimit nga ana e përfituesit brenda këtij afati, do të ndiqen procedurat ligjore për zgjidhjen e çështjes, sipas legjislacionit në fuqi.

13. Kandidatët e përcaktuar në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, financohen për tarifën e studimit dhe shpenzimet e akomodimit e të ushqimit për kohëzgjatjen e vitit akademik.

14. Studentët doktorantë mbështeten financiarisht nga ky fond për shpenzimet e jetesës dhe sigurimet shëndetësore, në masë jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Këta studentë nuk mbështeten për tarifën e studimit. Në rastet kur studenti përfiton një financim tjetër nga universiteti pritës ose nga donatorë të tjerë, financimi nga Fondi i Ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës, deri në vlerën maksimale të parashikuar nga ky fond.

15. Me përjashtim të kategorisë “nëpunës civil”, për përfituesit e kategorive të tjera, të përcaktuara në këtë vendim, që angazhohen në projekte kërkimore në fushën përkatëse të diplomimit jashtë Republikës së Shqipërisë, shlyerja e detyrimit të punësimit në Shqipëri pezullohet për kohëzgjatjen e një projekti kërkimor, pasi të kenë marrë, më parë, miratimin nga ministria përgjegjëse për arsimin. Pas përfundimit të projektit kërkimor, përfituesi duhet të kthehet për t’u punësuar në Republikën e Shqipërisë, sipas afateve dhe përcaktimeve të pikës 11, të këtij vendimi.

16. Për studentët e shpallur fitues të Fondit të Ekselencës përpara datës 31.12.2019, zbatohen dispozitat e vendimit nr.483, datë 16.7.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer dhe të nëpunësve civilë të administratës shtetërore (Fondi i Ekselencës)”, dhe aktet e tjera nënligjore në zbatim të tij, deri në përfundim të studimeve përkatëse.

17. Vendimi nr.483, datë 16.7.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer dhe të nëpunësve civilë të administratës shtetërore (Fondi i Ekselencës)”, shfuqizohet.

18. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


Lajmi kryesor:

Nga kreu i AMF, plani kombëtar i integrimit tek lëvizja e lirë me një vend të Europës! Vendimet që u morën në mbledhjen e qeverisë


  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë