Duke risjellë edhe njëherë ndryshimet që parashikon ligji i miratuar ditën e djeshme në Kuvend, deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe shkruan në faqen e tij në "FB" se “kështu do u hetohet, sekuestrohet, pasuria e vënë në mënyrë korruptive edhe Presidentit, kryetarit të Kuvendit, deputeteve, kryeministrit, ministrave, gjykatësve të lartë, familjarëve të tyre deri tek i fundit në rrethin e dytë që zotëron pasurinë e paligjshme të zyrtarit.
Ditë më parë, ish-qeveria e Sali Berishës gënjeu në Shqipëri e Strasburg duke thënë se kemi përjashtuar veten nga hetimi, gjykimi dhe sekuestrimi i pasurisë së paligjshme”.
Me votimin në Parlament të këtij ligji parashikohet ndryshimi që plot 21 vepra penale, që kanë në bazë të tyre “korrupsionin”, do të hetohen dhe gjykohen nga Prokuroria e Gjykata për Krimet e Rënda.
Në fakt, baza është ligji aktual “Antimafia”, i miratuar në vitin 2009, që parandalon dhe godet krimin të organizuar dhe trafikimin, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë.
Mirëpo, me 4 ndryshimet në këtë ligj, nëse bazuar te “Antimafia”, hetohej një person që pas verifikimit rezulton se zotëron pasuri apo të ardhura, që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, në ndryshimet e sotme parashikohet edhe hetimi i familjarëve, duke nisur nga bashkëshortët e deri te kunatat apo njerkën.
Ligji prek edhe ata persona që kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me personat nën hetim.
Ndërkaq, funksionarët që propozohen të jenë nën kompetencën e Gjykatës për Krime të Rënda mund të përfshijnë zv/ministrat, prefektët, zyrtarët që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi si për shembull Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, etj. Ndërkaq, përfshihen në hetim edhe të zgjedhurit nga Presidenti i Republikës, si p.sh. Ambasadorët, etj; si dhe të zgjedhurit nga Kryeministri si p.sh. Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, etj.
Në listën e të hetuarve potencialë për korrupsion nuk mbeten jashtë të zgjedhurit nga ministrat, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve publike në varësi të institucioneve qendrore në nivel qarku.
JA ÇFARË PARASHIKON LIGJI “ANTIMAFIA”
Ashtu siç zbatohen dispozitat e këtij ligji për bandat dhe organizatat kriminale, për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, parashikuar në fushën e veprimit të nenit 3, do të veprohet dhe për veprat penale të korrupsionit, të cilat shtohen si vijon:
•neni 164/a “Korrupsioni aktiv në sektorin privat”; Këtu përfshihen:
Personat që ushtrojnë funksion drejtues në shoqëri tregtare.
•neni 244 “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
Personat që ushtrojnë funksione në administratën shtetërore, dhe që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, ku përfshihen:
a)sekretar i përgjithshëm;
b)drejtor departamenti;
c)drejtor drejtorie të përgjithshme;
ç)pozicionet e barasvlershme, etj.
•neni 245 “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë të shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”;
si dhe
•neni 260, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”; ku përfshihen:
•Presidenti i Republikës si dhe drejtuesit e institucioneve të emëruar prej tij,
•Kryeministri si dhe personat e emëruar prej tij apo nga Këshilli i Ministrave,
•Anëtarët e Këshillit të Ministrave,
•Kryetari i Kuvendit,
•Deputetët,
•Drejtuesit e institucioneve të emëruar prej Kuvendit.
•Kryetarët e Bashkive dhe Komunave
•neni 319 “Korrupsioni aktiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”;
•neni 319 Ç/ “Korrupsioni pasiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”;
•Kjo dispozite i referohet subjekteve te posaçme si:
•anëtaret e Gjykatës së Lartë
•anëtarët e Gjykatës Kushtetuese,
•Gjyqtarët dhe,
•Prokurorët në të gjitha nivelet,
•subjektet e tjera që ushtrojnë detyrën në drejtësi, si: oficerët e policisë gjyqësore, etj.
Dispozitat e këtij ligji, siç zbatohen për bandat dhe organizatat kriminale, do të zbatohen dhe ndaj veprave penale të korrupsionit për pasuritë e personave të afërm:
a)bashkëshorti,
-fëmijët,
-të paralindurit,
-të paslindurit,
-vëllezërit,
-motrat,
-ungjërit,
-emta,
-nipërit,
-mbesat,
-fëmijët e vëllezërve dhe të motrave,
-vjehrri, vjehrra,
-dhëndri, nusja, kunata, kunati,
-bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka.
Sipas nenit 6 të këtij ligji, siç zbatohen dispozitat për bandat dhe organizatat kriminale për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë do të zbatohen dhe për veprat penale të korrupsionit dhe janë objekt verifikimi:
-mjetet financiare,
-pasuritë,
-veprimtaritë ekonomike,
-tregtare dhe profesionale,
-niveli ekonomik,
-si dhe burimet e të ardhurave të tyre.
Sidomos kur këta persona janë zotërues:
- të lejeve,
- licencave,
-autorizimeve,
-koncesioneve dhe të drejtave të tjera për të ushtruar veprimtari ekonomike, tregtare dhe profesionale,
-si dhe për të verifikuar nëse ata përfitojnë kontribute,
-financime ose kreditime të çdo lloji,
-të dhëna apo të përfituara nga shteti,
-ente a persona juridikë publikë,
-organizma ose institucione ndërkombëtare,
-si dhe për të verifikuar nëse pasuritë, veprimtaritë apo të drejtat pasurore janë të përligjura.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)