TIRANË- Forcimi i disiplinës ushtarake në Forcat e Armatosura për të siguruar përmbushjen e misionit të tyre kushtetues është objekt i një projektligji i miratuar të martën nga komisioni parlamentar i Ligjeve.
Gjatë prezantimit të tij, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, tha se drafti synon disiplinimin sa më të mirë të ushtrisë shqiptare, të rendit ushtarak dhe të autoritetit të komandimit në FA-në, në përmbushje të misionit të tyre kushtetues.
Risitë e ligjit të ri krahasuar me ligjin e vjetër, janë të shumta, duke nisur me subjektet që kanë autoritetin e dhënies së masave disiplinore, që janë: Presidenti i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të FA-së, kryeministri, ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, komandantët e forcave dhe strukturave mbështetëse, etj. Secili prej këtyre autoriteteve ka një rreth të mirëpërcaktuar subjektesh, ndaj të cilave mund të marrë masa.
Risi tjetër e pr/ligjit është shtimi me dy herë i numrit të shkeljeve disiplinore, ku mes të tjerash mund të përmenden shkeljet me karakter politik, si:mbështetja e fushatës së një partie, e një anëtari partie apo e një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht për të ose propapaganda në ambiente ushtarake në favor të organizatave politike apo shoqërore, përjashtim bëjnë ato me karakter humanitar.
Në draft përfshihen dhe shkelje të tjera disiplinore, ku mes tyre veçohet kryerja e ngacmimeve seksuale, një shkelje shumë e ndjeshme kjo, e shkruar në të gjitha ligjet e disiplinës së vendeve anëtare të NATO-s./ATSH/