Në vizitën e tij të parë në Shqipëri, numri i dy i qeverisë amerikane, Antony Blinken shmangu takimin me përfaqësues të opozitës, e ndarë mes non gratës së Sali Berishës dhe vulës së Lulzim Bashës. Por për kryedemokratin, PD do të jetë gjithnjë faktor politik krenar për aleancën me SHBA dhe nuk do të përdorë politikisht vizitën e Blinken.
"Dua t’i uroj në emër të Partisë Demokratike mirëseardhjen Sekretarit të Shtetit, Blinken dhe delegacionit të tij. Ta siguroj se Partia Demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhe do të kenë gjithmonë një faktor politik krenar dhe strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Basha.
Edhe aleati i së djathtës, Fatmir Mediu, thotë se vizita është historike dhe nuk duhet të përdoret për interesa politike.
“Agjenda e Blinken bëhet nga DASH. Vizitë e rëndësishme. Tregon marrëdhëniet me Shqipërinë. Kur vjen Sekretari i Shtetit nuk flitet më për palë, flitet për Shqipërinë”, tha Mediu.
Pavarësisht se shpalli non grata, atë që sot i drejton nga arresti i shtëpisë, edhe Rithemelimi e quajti vizitë shumë të rëndësishme. Deputeti Tritan Shehu shkroi se vjen në një moment të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin.
“Veçanërisht e tillë kjo në këto momente te rrezikshme për Rajonin, plot interferenca destabilizuese nga Lindja. Me pasoja forcimin ne Rajon te autokracive e autokratëve të modelit lindor” theksoi deputeti i Rithemelimit në rrjetet sociale.
Shmangien e opozitës në axhendën e tij, deputeti Agron Gjekmarkaj e komentoi kështu: “Nuk e bën PD axhendën e Blinken, por Departamenti i Shtetit”.
Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, thotë se mbështetja e SHBA në këto momente kritike për vendin është jetike dhe mëse e domosdoshme.
Nga ana tjetër kryeministri Rama e nisi ditën me një postim për Blinken, ku i uronte atij mirëseardhjen.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike Flutura Açka ka përshëndetur ardhjen e sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë, ndërsa ka veçuar edhe rikthimin e ambasadores së SHBA-së Yuri Kim.
Açka nënkupton se Yuri Kim, gjatë kohës së të cilës u shpall non grata Sali Berisha nga SHBA, tha se dihet arsyeja se pse ajo është rikthyer, e sipas deputetes është të pastrojë Shqipërinë.
‘She is back! And we know why. U kthye Miss Kim, dhe ne PSE-në e dimë! Shqipëria për 33 vjet u kthye në vendin me kastën politike më të korruptuar në planet, që deformoi demokracinë shqiptare. Vetëm nuk mundëm, u kthyem në klub i vogël shokësh, por me miq mund ta pastrojmë Shqipërinë. Të mos jemi më stallë Egjeu në brigjet e civilizimit.’- shkruan Açka.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në hyrje të Kuvendit ka komentuar vizitën e Antony Blinken në Tiranë. Basha u ndal në marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe SHBA-së duke thënë se dy vendet kanë një lidhje të fortë pavarësisht se kush është në qeveri apo opozitë. Ai tha se këtë vizitë “nuk ka ndërmend ta fusë në çorapet e pista të politikës së përditshme të Tiranës”, duke mos pranuar të japë komente të tjera përtej marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA janë strategjike. Kjo nuk është një fjalë që thuhet lehtë dhe merret leht. Çdo të thotë që marrëdhëniet janë strategjike? Ta përkthejmë pak për njerëzit. Ne e dimë se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria zor se bëhej anëtare e NATO-s. Pra, të fitonte privilegjet që s’i ka gëzuar kurrë si komb, të kombeve më të fuqishme të botës në krah të saj nëse sulmohet. Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova zor se bëhej e pavarur, ose i rrezistonte fushatës genocidale të Sllobodan Millosheviçit. Po u kujtoj dy momente kulmore që i kujtojnë të gjithë, besoj dhe 18 vjeçarët përveç nesh. Pra marrëdhëniet strategjike nuk mund të futen në çorapet e pista të politikës të Tiranës. Janë të tilla sepse transendojnë, kalojnë përtej personave, kalojnë përtej momenteve, kalojnë përtej se kush është në qeveri në atë moment e kush në opozitë. Ndaj sot dua t’i uroj në emër të Partisë Demokratike mirëseardhjen Sekretarit të Shtetit, Blinken dhe delegacionit të tij. Ta siguroj se Partia Demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhe do të kenë gjithmonë një faktor politik krenar dhe strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe siç e ka provuar shpeshherë me një çmim të lartë të gatshëm për të mbrojtur parimet dhe standardet e kësaj aleance që nuk janë thjesht ushtarake apo të linjëzimit të politikës së jashtme së Shqipërisë me atë Amerikane. Kjo është e mirëqenë, nuk ka qeveri shqiptare që të çedojë nga kjo, por ka të bëjë me një mesazh nga një tjetër sekretar shteti i ardhur si sot tetë vite më parë, nga sekretari Kerry, i cili e tha qartë se kërcënimi më i madh ndaj partneritetit strategjik, ndaj aleancës së vlerave që përfaqëson edhe aleanca jonë me SHBA, edhe NATO, edhe BE vjen pikërisht nga autokratë të cilët kufizojnë hapësirat e lirisë, manipulojnë zgjedhjet, vendosin nën presion gjykatat, krijojnë pandëshkueshmëri dhe kulturë korrupsioni, godasin median e lirë dhe kufizojnë hapësirën opozitare.”, tha Basha.
Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, i uron mirëseardhjen Sekretarit Amerikan të Shtetit, Blinken
Përmes një postimi në facebook Tabaku shkruan se mbështetja e SHBA në këto momente kritike për vendin është jetike dhe mëse e domosdoshme; lufta kundër korrupsionit, përpjekja për një drejtësi që funksionon, një parlament eficent dhe forcimi i marrëdhënieve tregtare duhet të jenë synimi.
Postimi: Mirësevjen Sekretari Blinken!
Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur mbështetës më të rëndësishëm dhe partnerë më strategjikë dhe të fortë që prej kohës së pavarësisë se sa SHBA. Që prej mbështetjes së Presidentit Ëilson në 1912 e deri në këtë shekull prania e SHBA ka qenë jetike për vendin tonë dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Vizita e sotme e sekretarit Blinken është një shenjë e qartë e këtij bashkëpunimi që përditë e më shumë forcohet. Në fundin e diktaturës më të egër në Europë, sekretari Baker ishte njeriu që solli erën e ndryshimit në një vend të etur për liri. Ka qenë SHBA që mbështeti procesin e integrimit dhe më tej shtytësja kryesore e hyrjes në NATO. Qe pikërisht presidenti Bush që shqiptoi realitetin e pavarësisë së Kosovës nga Tirana që i dha jetë ëndrrës së shqiptarëve, një ëndërr e mundësuar nga ndihma e presidentit Clinton në vitin e vështirë të 1999. Qe urtësia dhe angazhimi i SHBA në marrëveshjen e Ohrit që i dha mundësinë një kryeministri shqiptar të jetë në krye të Maqedonisë së Veriut.
Ndaj mbështetja e SHBA në këto momente kritike për vendin është jetike dhe mëse e domosdoshme; lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, përpjekja për një drejtësi që funksionon, një parlament eficent dhe forcimi i marrëdhënieve tregtare duhet të jenë synimi.
Detyra jonë është te ngrihemi në një nivel tjetër, për të tërhequr investimet amerikane, për të qenë pol i rëndësishëm në globalizimin dhe zinxhirin e furnizimit. Kjo do të thotë që vendi ka nevojë për të ngritur një skemë për analizën e investimeve të huaja, për të zhvilluar konkurencën dhe meritokracinë!
Koha që të zhvillojmë më tej bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe diversifikimit të saj për të përfituar realisht kapitalin por dhe zhvillimin edhe dijen e sipërmarrjeve amerikane që smund të jenë vetëm në emër të tilla.
Për të qenë një partner realisht strategjik na duhet që të zhvillojmë realisht tregun duke zhvilluar një ekonomi tregu, kulturën e punës dhe fluksin e burimeve! Koha që mos të kënaqemi me vizita përshëndetëse por të ndërtojmë një tjetër kapitull të përbashkët zhvillimi mes vendeve tona!