Mirush Kabashi mahnit
OKB-në me “Apologjinë e Sokratit"

Mirush Kabashi mahnit <br />OKB-në me “Apologjinë e Sokratit"
Salla e të Drejtave të Njeriut në OKB, Ambasadori i Shqipërisë në OKB-së, Zoti Sejdi Qerimaj ka organizuar një shfaqje të jashtëzakonshme me rastin e 100 të themelimit të shtetit shqiptar. I ftuar nga misioni shqiptar në OKB, të martën mbrëma në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë u prezantua aktori Mirush Kabashi, me shfaqjen teatrale “Apologjia e vërtetë e Sokratit”.

Shfaqja e luajtur nga Kabashi u prit me interesim nga publiku zviceran. Përveç publikut zviceran e shqiptar, shfaqja e “Sokratit…” u ndoq edhe nga tre ambasadorët shqiptarë në Zvicër - Sejdi Qerimaj (ambasador shqiptar në OKB), Mehmet Elezi (ambasador në Bernë) dhe Naim Balaj (ambasador i Kosovës) – si dhe nga drejtori i OKB-së, Kassym Jomart Tokajev, dhe nga ambasadori grek, Georges J.Kaklikis.

“Shfaqja e “Apologjisë” në Kombet e Bashkuara ka peshën e vetë, është diçka më shumë se një dramë kulturore. Është një ngjarje artistike dhe kombëtare, e aranzhuar nga Misioni shqiptar në OKB, për çka unë e falënderoj nga zemra, njësoj sikurse edhe publikun shqiptar, dhe gjithë stafin e OKB-së, ambasadorët dhe diplomatët botërorë që erdhën të më ndiqnin”, tha aktori MIrush Kabashi pas suksesit të shfaqjes në sallën e OKB-së.

Drejtori gjeneral i zyrës së OKB-së në Gjenevë, Kassym Jomart Tokajev, përshëndeti nismën e një shfaqje të tillë duke dhënë vlerësime të larta për iniciatorët. Pas tij, ambasadori i përhershëm shqiptar në selinë e OKB-së në Gjenevë, Sejdi Qerimaj përshëndeti pjesëmarrësit e mbrëmjes, duke i paralajmëruar se do të befasoheshin me “Apologjinë e vërtetë të Sokratit” të Mirush Kabashit.

Kishte disa dhjetëra shqiptarë që ishin ftuar në shfaqjen e “...Sokratit”. “Një sallë jashtëzakonisht e bukur dhe me një dekor që ndoshta nuk ishte paramenduar asnjëherë të bëhej teatër në të. E vërteta është se kur hyra në sallë u frikova shumë se shfaqja e Mirush Kabashit do të binte nën hijen e një punimi kaq madhështor arkitekturor. Frika ime fatmirësisht ishte e pavend falë aktorit tonë të madh Mirush Kabashit që shkëlqeu edhe përballë një dekori markant, tha ambasadori Qerimaj duke shtuar më pas se “Por, Mirush Kabashi dëshmoi edhe njëherë se është i madh. Shumë i madh dhe padyshim që arrin përmasat botërore. Përcjellja me aq kujdes të monologut, ndjekja fjalë për fjalë e përkthimit dhe duartrokitjet shumë të gjata ishin një mirënjohje për punën dhe profesionalizimin e Mirush Kabashit.”

Dje gjatë takimit me median për suksesin e shfaqjes aktori Kabashi u shpreh se shfaqja arriti të përçojë mesazhin e saj, sidomos duke mbajtur parasysh kontekstin dhe vendin ku shfaqej. Ishte një sallë e mbushur mbi të gjitha me diplomatë, njerëz që kanë në dorë edhe vendimmarrje, në një sallë ku diskutohet për çështje të rëndësishme të politikës në botë. E teksti flet saktësisht për ta, për politikanët. “Kishte edhe nga ata që u ndjenë ngushtë teksa dëgjonin ç’thoshte teksti pasi në atë sallë, nga ata njerëz ka pasur vendime të cilat nuk kanë bërë aq sa duhet për të drejtat e njeriut në botë”-tha Kabashi dje në konfrencën për shtyp.

Alfred Bualoti, pjesë e ekipit të monodramës ‘Apologjia e vërtetë e Sokratit” thekson se shfaqja shënoi një tjetër sukses dhe arriti të flasë shumë. Ishte nisma e përbashkët e dy ambasadorëve, atij shqiptar dhe grek në Gjenevë, ajo që çoi “Sokratin” në sallën e asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në një ndërtesë të rrallë për nga vlerat arkitekturore. Reno Lekyje (Drejtor i Përgjithshëm i “Europe et Cie”) tha pas suksesit të Kabashit se “Fjalët e Varnalisit jehojnë në mënyrë të veçantë në këtë vend prestigjioz dhe simbolik. Publiku duket që është i ndërgjegjshëm për rëndësinë e momentit. Përkthimi në frëngjisht dhe anglisht në dy anët e skenës i lejon gjithkujt të hyjë në këtë botë marramendëse. I dëgjoj këto fjalë për herë të dytë dhe mbetem i tronditur nga aktualiteti dhe forca që transmetojnë. Aktori Kabashi është identifikuar plotësisht me personazhin e tij dhe shumë shpejt në harrojmë se jemi në OKB. Është tmerrësisht tronditëse kur ai i drejtohet “zyrtarëve” që ka para vetes. Më duket vetja sikur jam në Athinë, por jo në kohën e Sokratit, por në kohën e sotme, dhe TROJKA është në bankën e të akuzuarve. Është e habitshme se si “fjala e popullit” merr jetë këtu me një dendësi dhe me një mprehtësi të veçantë, sepse ne jemi në OKB dhe publiku i pranishëm vjen nga të pestë kontinentet e botës. Faleminderit Mirush dhe gjithë ekipit teatror që na ngriti peshë me shpirt e me zemër, e na bëri të dridhemi nën tavanin hyjnor të piktorit Miguel Barçello!”.

Ambasadori grek Georges J. Kaklikis  është befasuar nga kjo shfaqje. “U befasova. Mirush Kbashoi tregon se është një aktor madhështor jo vetëm për shqipërinë por shuam më gjerë. U mrekullova sepse e kam lexuar satirën e “Apologjisë së Sokratit” të Kosta Varnalis, dhe ndjehem shumë mirë që kontribuuam edhe ne që kjo mondramë të shfaqet në këtë sallë të mrekullueshme”.

Rina Cela-Grasset drejtuese e shoqatës shqiptare ‘Iliria’, Lion duke parë me sytë e saj këtë sukses e ngazëlluar shpreht se “Gjatë tërë shfaqjes aktualiteti i kësaj vepre na lë pa frymë. Mirush Kabashi është kaq bindës në rolin e tij sa kemi përshtypjen se kemi vërtet Sokratin përballë nesh, këtë Sokrat që nuk i është shmangur vuajtjes e ka gjetur rrugën e lumturisë, që ka kërkuar të vërtetën dhe e ka gjetur, që nga i akuzuar kthehet në akuzues në gjyqin që i bëhet atij vetë. Tensioni vjen duke u ngritur, derisa mbetemi plotësisht të hipnotizuar ! Mirushi-Sokrat kthen kupën e helmit – ne gëlltitemi hidhurazi në një gjest të përbashkët ! Ky është ARTI ! Ky është ARTISTI ! Pjesa ka mbaruar, zyrtarët e huaj ngrihen në heshtje, njëri pas tjetrit, me ndrojtje, tronditja lexohet në fytyrat e tyre. Ambasadori grek është i ngurtë si statujë antike ! Diplomatët pranë tij gjithashtu ! Ata që pikërisht në këtë sallë kaq simbolike – Salla e të Drejtave të Njeriut në OKB- marrin vendimet për kombet, që shpallin embargo, që deklarojnë luftëra, që bëjnë paqe – ndoshta ndjehen të akuzuar ? Duartrokitjet shpërthejnë nga të gjitha anët e kthehen në një dallgë të vërtetë që dridh muret e kësaj salle, ashtu siç na dridhën zemrën emocionet që na përcolli Mirush Kabashi. Ai buzëqesh, përkulet para nesh, merr lule, shtrëngon duar, njerezit e përqafojnë, e përgëzojnë: të gjithë duan ta prekin këtë legjendë të gjallë të artit shqiptar!”

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm