Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) i udhëhequr nga Nadeem Ilahi ka përmbyllur vizitën në Tiranë. Misioni i FMN-së vizitoi Tiranën gjatë periudhës 26 gusht deri në 9 shtator 2014, ku zhvilloi diskutime në kuadër të shqyrtimit të dytë nën marrëveshjen Fondi i Zgjeruar (EFF). Në një deklaratë për shtyp të zyrës së Misionit të FMN-së në Tiranë, bëhet e ditur se ekipi diskutoi një sërë çështjesh me autoritetet, përfshirë buxhetin e vitit 2015, reformat strukturore, si dhe qeverisjen e Bankës së Shqipërisë dhe kuadrin e politikave. "Diskutimet dhe perfundimi i shqyrtimit do të vazhdojnë nga Uashingtoni dhe misioni do të kthehet për të përfunduar punën e tij në një datë të mëvonshme", thuhet në deklaratën për shtyp./ATSH/