“Ku ishin inspektorët e IKMT?” është pyetja që zë vend në rastin e një pallati të ndërtuar pa leje deri në 5 kate në një nga zonat më të bukura të rivierës shqiptare në Dhërmi. Ndërtesa sot u prish më në fund nga tritoli i IKMT por gjatë të paktën 1 viti punimesh, autoritetet e tjera shqiptare kanë qenë qorre më keq se vetë IKMT.

Si ka mundësi që për këtë ndërtim pa leje nën hundën e  autoriteteve, inspektorët ndërtimorë, bashkia, strukturat e policisë, kryeplaku e deri autoriteti më i fundit në radhë, jo vetëm nuk e panë, por nuk dinë të thonë se cili është pronari i këtij ndërtimi?

Si ka mundësi që prokuroria dhe policia nuk po hetojnë qoftë duke gjetur të paktën një punëtor që ka punuar për ndërtimin e këtij pallati... me apo pa kontratë qoftë, i siguruar apo jo, ky punëtor mund të çojë drejt emrit që qëndron në krye të këtij ndërtimi pa leje.

Policia dhe prokuroria kanë shumë rrugë për të shkuar drejt pronarit, ashtu siç mjafton të kërkohen kontratat që firma misterioze ka lidhur me kompanitë e materialeve të ndërtimit, hekur, beton, etj.

Është e pamundur që gjithë zinxhiri i autoriteteve dhe elementëve në ndërtimin e një objekti, të mos arrijë që organet ligjzbatuese të gjejnë se kush është investitori i këtij pallati 5 katësh!

Mjafton të kërkohet se si është lidhur energjia elektrike për punimet në kantier, për të parë nëse ka një kontratë të rregullt me OSHEE, apo nëse vjedhja e energjisë me një burim të fuqishëm për të përballuar të tillë ndërtim (tension i lartë) do të jetë një tjetër akuzë që duhet të rëndojë mbi pronarin anonim.

Policia dhe prokuroria duhet të investigojë në zyrat e hipotekës se në pronësi të kujt është toka mbi të cilën u ndërtuan 5 kate pa leje. Edhe ky gjurmim shumë thjesht të çon një hap më pranë pronarit misterioz, i cili me vënien nën akuzë për ndërtim pa leje, rrjedhimisht vihet para përgjegjësisë penale. Të gjitha këto shtigje që policia dhe prokuroria nuk po përdorin për të hetuar, të lënë të besosh se dikush kërkon ta shpëtojë nga burgu pronarin e pallatit fantazmë.