Misteri i zhdukjes së dy djemve të kolonel Muharrem Bajraktarit, pas përpjekjes me Forcat e Ndjekjes në prillin e ’46-ës në Shpatëz dhe...

Misteri i zhdukjes së dy djemve të kolonel Muharrem Bajraktarit, pas përpjekjes me Forcat e Ndjekjes në prillin e ’46-ës në Shpatëz dhe...

Ndëshkimet e regjimit komunist ndaj familjes dhe gjithë fisit të Muharrem Bajkaktarit, qenë të rënda, madje sot – në kufijtë e të papërfytyrueshmes. Përndjekja ndaj Muharrem Bajraktarit, para se të vinte viti tragjik 1946, zë fill qysh me lëshimin e urdhrit të Enver Hoxhës, me 26 gusht ’44, për Shtabin e Divizionit I-rë që ta provokonin Muharrem Bajraktarin e ta likuidonin: “… ose e detyroni Muharremin të nënshtrohet, ose e demaskoni dhe e ndiqni për ta kapur, sipas situatës që të krijohet”! (Libri “Politikë antikombëtare e Enver Hoxhës”, f. 322, ‘Eurorilindja’, 1996). Edhe dëshmia e Manush Myftiut në Plenumin e Beratit, është një konfirmim i plotë në vijim të përpjekjes drastike që u bë, që të zbatohej urdhri i Enver Hoxhës:

“Për Muharrem Bajraktarin, kur kemi dëgjuar se ky kishte filluar të luftonte gjermanët, ne u dëshpëruam se ky element i pa demaskuar dhe i pa kompromentuar, do të fitonte influencë dhe do të tërhiqte turmat me vete. Pas një tentative që u bë për ta futur atë në Front, ky s’pranoi por deshi të luftonte jashtë Frontit. Ky qëndrim i rrezikshëm na e forcoi bindjen për ta zhdukur. Zhdukja e tij ishte e domosdoshme”! (Material i cituar, fq. 92-93).

Në qershor të 1946-ës, pikërisht kur kolonel Muharrem Bajraktari, përndiqej prej reparteve special të Forcave të Ndjekjes, në Kinema “Nacional” (Tiranë), organizohej gjyqi-farsë, kundër 37 kundërshtarëve të regjimit komunist represiv që po vendosej në Shqipëri. Ndërmjet të akuzuarve, ndodhej edhe Musine Kokalari, e cila, veç të tjerave, akuzohej edhe për bashkëpunim me t’arratisur, si për shembull, me nacionalistin e njohur Muharrem Bajraktari:

– “Pse, nuk është kriminel lufte Bajraktari”?
– “Jo”, – thotë e akuzuara.

Populli thërret: Tradhtarë, kriminelë! Ti je ortake me të. (Gazeta “Bashkimi”, 27 qershor 1946, f. 2) Gjykimi bëhej në sallën e improvizuar të gjyqit, në Kinema “Nacional”, ndërsa Muharrem Bajraktari, emri i të cilit përmendej n’atë sallë, po ato ditë, gjendej në Lumë, i rrethuar thuajse hermetikisht, prej Forcave të Ndjekjes. Fisnikja Musine Kokalari, në sallën e gjyqit, përveçse përpiqej të mbronte vetveten dhe idetë e veta, njëkohësisht, po i bënte mbrojtje publike edhe Muharrem Bajraktarit. Fjalët e saj, ishin nji reagim i hapur ndaj diktaturës që po instalohej…! Pra, pranvera e 1946-ës qe tragjike për familjen e Muharrem Bajraktarit.

Kjo familje, pati disa vdekje radhazi; ishin vdekje jo të radhës ose, siç mund të quhen ndryshe, si; “vdekja jashtë radhe”. Format e vdekjeve, ashtu dhe vendet ku u hodhën trupat e të pajetëve, u mbështollën me enigma të shumta, të cilat edhe pas pas mbi 70-vjetëve, kanë mbetur ende të pazbërthyeshme dhe, sapo krijohet përshtypja se dalin sadopak në dritë, prapë çdo gjë zhytet në mistere të tjera.

Pjesëtarët e familjes së tij, veçanërisht në vitet 1944-1946, së bashku me të, mbetën në shtegtim të vazhdueshëm dhe, çdo qetësi e familjes, në çdo rast që u shfaq, ose dhe pritej se mund të shfaqej, mbeti e pakët dhe e përkohshme. Pas verës së 1944-ës, pjesëtarët e familjes, nisën me u pika-derdhë, për të mos u mbledhë më kurrë bashkë.

Në vitin 1946, dy prej pjesëtarëve të familjes, Ibrahim dhe Hamdi Bajraktari (të cilët, për shkak të luftës kishin ndërpre studimet n’Itali dhe ishin kthye në vendlindje), gjetën njëfarë qetësie, por afërmendsh, një qetësi që mund të fitojnë vetëm të vdekurit dhe që mund të rridhte se, të vdekurit (më saktë, të vrarët), tani e mbrapa, do t’u shpëtonin përndjekjeve, ankthit, por në anën tjetër, pjesa e familjes që kish mbetur gjallë, përveç trysnisë dhe përndjekjes shtetërore të regjimit të pasluftës, do mundohej vazhdimisht, prej brengës për të humburit e saj, që do të thoshte se në kulmin e lulëzimit të vet, familja u nda gjysma-gjysma, më shumë se gjysma e gjallë dhe pjesa tjetër, e vdekur.

Të krijohet përshtypja se kreu i familjes, Muharrem Bajraktari, do të rronte gjatë, thuajse pranë 100 vjetësh (Vdiq në Belgjikë, në 1989-n), si një lloj “kompensimi” për një pjesë tjetër të familjes, që s’kish mundur të kapërcente moshën mesatare, të gjysmës së jetës së njeriut. Lëvizja apo shtegtimi i pjesëtarëve të familjes, si dhe i njerëzve më t’afërt të saj, pothuajse mbizotëronte gjatë gjithë kohës. Në dy vjetët e para të pasluftës, lëvizte nëpër Lumë Muharrem Bajraktari, prind i gjashtë fëmijëve, ndërsa me të qëndronin, tre prej tyre: Ibrahimi, Hamdiu, Esati, si dhe i vëllai, Bajrami.

Në vitin 1945 internohen në Berat: bashkëshortja e Muharrem Bajraktarit, Nazifja me Gencin e Lirijen, si dhe bashkëshortja e Bajram Bajraktarit, Huma me djalin, Nezirin, që s’e kish mbushë ende motmotin. Nazifja me Gencin dhe Lirijen, mbetën në internim dhe ajo vdiq aty në vitin 1951, në spitalin e Gjirokastrës. Ibrahimi, zhduket i plagosur pas rrethimit të Shpatzës dhe një ditë më vonë, ekzekutohet i plagosur, por pa gjyq, vëllai i tij Hamdiu, vrasje e cila u komentua gjatë dhe vazhdon të komentohet edhe sot, por sidoqoftë, komentet futen në hullinë e disa versioneve.

ZHDUKJA E IBRAHIM BAJRAKTARIT

Enigma në këtë rast është më e dukshme, përveç faktit se është konsideruar i zhdukur dhe në të gjitha rastet është konsideruar si zhdukje, që bën pjesë në ato pa nam e nishan. Pra, pas mbarimit të rrethimit të Shpatëz (Prill 1946), ai është konsideruar gjithnjë i humbur. Për këtë humbje, u fol shumë pas zhdukjes së tij, sidomos në dy-tri vitet e para dhe komentet u rigjallëruan prapë, pas vitit 1990. Përsëri versionet janë të shumta.

Versioni i parë:

Ibrahimi është plagosur dhe për t’u shpëtuar Forcave të Ndjekjes, e ka kaluar Drinin e Zi, por ka vdekur prej plagëve të shumta, nuk dihet se ku. Më mbrapa, trupin e të vdekurit nga plagët e shumta, e kanë marrë banorë të Surroit dhe e kanë varrosur dikund, por prap s’dihet se ku, gjë të cilën e kanë mbajt jashtëzakonisht të fshehtë. Versioni i mësipërm, është ende i mjegullt, një version i zhytur brenda misterit. Po të kish ndodhur kështu, d.m.th., sipas versionit të parë, një gjë e tillë, së paku deri tani do t’ish mësuar.

Kjo gjë për faktin se, pas përmbysjes së regjimit komunist, shumë njerëz që kishin pasur t’afërm nëpër burgje dhe që ishin dënuar me pushkatim, për arsye politike, nisën odisenë e kërkimit të varreve, ku ishin hedhur trupat e të pushkatuarve. Kësisoj, po të dihej diçka mbi varrin e Ibrahimit, një gjë e tillë, do t’ish mësuar, pasi njerëzit iu larguan frikës së ndëshkimit që ekzistonte më parë që, po të dinin një gjë të tillë dhe të mos e tregonin dhe njëkohësisht po të zbuloheshin, do të kishin pasoja të rënda.

Duhet të jetë më pranë të vërtetës, dëshmia e Bajram Bajraktarit: “Ibrahim Bajraktari, humbi pa shenja, por sigurisht i vdekun, ndryshe do ta kishim gjetë dhe asht hedhë në Drin, përndryshe, do ta kishim hetue se ku ka vdekë. Kur filloi luftimi tha: N’u plagova, do t’i bie Drinit” (Bajram Bajraktari “Promemorje”, f. 80) Megjithatë, shpjegimi i B. Bajraktarit, është i njësojtë vetëm në dy pika, me shpjegimet apo hamendjet e të tjerëve.

Ai e absolutizon vdekjen e Ibrahimit, të cilën gjithsesi e lidh me parandjenjën e këtij të fundit se; nëse do plagohej, do t’i binte Drinit. Shënuam se; shpjegimi i B. Bajraktarit është i njësojtë vetëm në dy pika, me shpjegimet apo hamendjet e të tjerëve. Së pari, Ibrahimi qe plagosur dhe së dyti, ai qe hedhë në Drin dhe qe mbytë. Kur themi se mund të jetë më pranë të vërtetës, dëshmia e Bajram Bajraktarit, nisemi edhe nga fakti se ai, u ndodh vetë në rrethimin e Shpatzës.

Versioni i dytë:

Nga ana tjetër, mori dritë dhe një version tjetër, sipas rrëfimit të mjekut, Zeqir Seferi:

“Në verën e 1946-ës, qarkullonin fjalët se Muharrem Bajraktari, do nisej jashtë shtetit. Por, para se me u nisë, në Buzmadhe kish takue Selim Durrën dhe i kish thanë: Un po largohem, por jo për shumë kohë. Po t’la nji amanet: Interesohu për Ibrahimin, se ka dalë i plagosun prej Shpatze dhe s’e dimë ku gjendet. E kemi kërkue kudo, po s’e kemi gjetë. Interesohu sa të mundesh, ndër miq e shokë! Ban ç’asht e mundshme! Selim Durra qe interesue shumë, kishte pyet te miq e dashamirë, por s’kish mësue gja. Kto gjana, m’i ka tregue vetë Selim Durra, shumë e shumë vjet ma përpara” (Dëshmi e marrë në vitin 1997).

Dëshmia e mësipërme, e mjegullon prap çështjen, por njëkohësisht hedh dritë edhe mbi diçka tjetër: konfirmon faktin që; Miharrem Bajraktari, e dinte se i biri kish dalë i plagosun prej përpjekjes së Shpatzës, por gjithashtu, ai e dinte se qe më tepër i gjallë, se i vdekur, përndryshe, nuk do drejtohej për te Selim Durra.

Nga ana tjetër, Bajram Bajraktari, përmend në shënimet e veta një parandjenjë të Ibrahimit dhe me atë, sikur konfirmonte vdekjen e këtij të fundit. Prap se prap, kjo s’është tejpërtej e besueshme. Atë çfarë ka ditur Muharremi për të birin, Ibrahimin, e ka ditur edhe Bajrami, pasi ata kanë qëndruar bashkë edhe për disa muaj të tjerë, deri n’udhëtimin drejt Greqisë, por në rrugëkalim, Bajrami u kap i plagosur. Ia vlen të besosh se Bajram Bajraktari, duke ditur të njëjtat gjëra për Ibrahimin, sikurse edhe Muharrem Bajraktari, pra duke e menduar ende të gjallë, në dëshminë e vet, mundohet të deformojë të vërtetën, d.m.th., nëse do t’ish gjallë dikund Ibrahimi, informacioni që sillte, ai mund të bëhej pikërisht, që të largonte vëmendjen e Forcave të Ndjekjes.

Ndërkohë, një gjë dihet e sigurt; se humbja e Ibrahimit dhe ekzekutimi i të vëllait, Hamdiut, ndodhi në harkun e dy ditëve ndërmjet. Ndërkaq, shpjegimet e të birit të Bajram Bajraktarit, Nezirit, se pas 1990-ës është kërkuar dhe pyetur shumë për varrin e Ibrahimit, por s’është marrë asnjë përgjigje pozitive, i lënë të gjitha versionet të mjegullta, përveç një pike të kthjellët: atë të humbjes (zhdukjes) së Ibrahim Bajraktarit: Informacionet e asaj kohe, përmbajnë edhe pasaktësi. Kështu, në një informacion të N/Prefekturës Bicaj, të shtatorit 1946, flitet për vrasjen e Ibrahim Bajraktarit: “… edhe djali i madh i Muharremit, Ibrahimi, ka mbet i vramë në Shpatëz, si mbas informatave, duhet të jetë e vërtetë” (Arkivi i Kukësit, f. 51, Dosja Nr. 8, Viti 1946).

MBYTJA E HAMDI BAJRAKTARIT

Në përpjekjen e Shpatzës, u plagos edhe djali tjetër i Muharrem Bajraktarit, Hamdiu. Sipas një dëshmie të Nezir Bajraktarit: “Hamdinë e plagosun në Shpatëz dhe Imer Miftarin, e vramë, i kishin pru qysh at natë në Bicaj. Po at natë, Hamdinë e kanë pushkatu a, e kanë mbytë, nji Zot e di! N’vorr i kanë futë t’nesërmen (vorr po them un, ma mirë me thanë – hape nji gropë e futi mbrenda!). I kanë futë n’gropë te Mbaskodra, te Zalli i Bardhë. Më pat kallzue Qazim Halili prej Cane, po para 30 vjetve, se e dinte ku i kishin futë trupat e Hamdisë e Imer Miftarit.

Kur i erdh vakti kësaj pune, bashkë me nji kushëri tonin, Korab Bajraktarin, shkuem e morëm Qazim Halilin dhe na e kallëzoi vendin. Po t’rrimë shtrembët e të folim drejt, un them se Hamdinë, e kanë mbytë, ia kanë marrë shpirtin me zor, dhe kështu asht folë shumë herë. Kur i nxorëm eshtnat e Hamdisë, me i rivarrosë n’katund, n’Dome, vumë re, se eshtnat e epërme, nuk kishin damtime, ndërsa eshtnat e kambës së majt, ishin të damtueme, aty ku qe folë, se e kish marrë plagën në Shpatëz”.

Dëshmi pak a shumë e njëjtë edhe e Ismail Hajdarit:

“Djalin e Bajraktarit, e kanë mbytë natën. Kët llaf e ka nxjerrë menjëherë ushtari, që e ruante te dera e shpisë n’Cane, aty ku e kishin mshelë dhe e kishin lidhë. Qysh at kohë e kemi marrë vesh dhe kemi folë shpesh ndërveti. E vërteta asht se e kanë mbytë natën, se fjala nuk del kot”. (Dëshmi e marrë në vitin 1997) Prap ia vlen të polemizohet. Në dokumentet arkivorë, mësohet se Hamdi Bajraktari, është pushkatuar me urdhër të Beqir Ndout, shefit të Seksionit të Mbrojtjes së Popullit.

Dokumenti arkivor:

“Në përpjekjen e fundit që u ba me Muharremin Bajraktarin, ku mbeti i plagosur i biri i tij, oficerët që kanë qenë atje, janë treguar mjaft të dobët, në bazë të informatave që japin shokët e organizatës. Nga ana tjetër, shënojmë se i biri i Muharremit, që u kap i plagosur, mbasi u muar në pyetje, me urdhër të shefit të Seksionit të Mbrojtjes së Popullit, Kukës, shokut Beqir Ndou, u vra. Kjo asht mbajtur konspirative. Shoku Beqir Ndou dha urdhër për pushkatim, për këto arsye.

Sepse kishte rënë morali i partizanëve, sepse opinioni i masavet në përpjekje që s’mund të pësojë gjë Muharremi dhe djali i tijë, sepse ay ka lidhje me njerëzit e këtushëm, e të tjera” (Informacion i Komitetit Qarkor të PKSH (Kukës) për Komitetin Qendror të PKSH-së – Arkivi i Kukësit, f. 26, Dosja nr. 20, Viti 1946)

Njëkohësisht, në dokumentin e mësipërm, mësohet se gjithçka ishte mbajtur konspirative dhe pushkatimi ishte kryer (sikurse shkruhet, vetëm me urdhër dhe pa gjyq), për të ngritur moralin e partizanëve dhe për të prishur opinionin e përhapur; se s’mund të pësonte gjë Muharremi dhe i biri i tij. Është tepër e besueshme se Hamdi Bajraktarin, e kanë mbytur natën, por edhe sikur të ketë ndodhur pushkatimi i tij, prapëseprapë përmban një të vërtetë brenda: asgjësimin e Ibrahim Bajraktarit.

Gjithashtu shihet se; s’është treguar as kujdesi më i pakët që Hamdi Bajraktari, të nisej në spital për t’u shëruar dhe më pas t’i jepej gjyqit; duket se është një ngutje që të laheshin sa më shpejt hesapet. Por le t’i kthehemi një dëshmie tjetër, kur Ibrahim Bajraktarin, e kanë sjellë në Bicaj.

Dëshmi e Sami Doçit:

“Më kujtohet fort mirë, ka qenë prill i 1946-ës, dhe kish nisë me çelë gjethi. Them se kish nisë me çelë gjethi, se lajthia kish nxjerrë lapën jo të plotë. Kam qenë në klasën e pestë. Mësimin n’atë kohë, e zhvillonim në kullën e Sulë Hoxhës, në Canaj. Duhet të ketë qenë koha e pushimit të gjatë, aty rreth orës 10 e gjysmë. Ne pinim ujë të Kroi i Verrijshtës. Me do moshatarë të mi, kemi qenë te Lama e Bilalve, kështu quhej Lama e Halit Agës. Vendi aty, ishte brijë teposhtë. Ne kemi qenë në stom. Forcat e Ndjekjes (u thoshin partizanë edhe at’here), rrinin te shpija e Shemsi Medisë.

Dera e saj, komunikonte kah Kroi i Verrishtës. Ishna fëmijë dhe kureshtarë, siç janë fëmijët. Dy vetë, kanë pru dikand me trinë. Trina, ishte thurë me thupra lajthie. E kanë lëshu trinën për toke dhe tre-katër partizanë, e kanë rrethu menjëherë at si rrinte në trinë. Ma vonë e morëm vesh, se ai në trinë, kish qenë Hamdiu, i biri i Muharrem Bajraktarit. Qe i plagosun. Sa me hapë e me mshelë sytë, kanë pru edhe nji njeri tjetër, të lidhun në mushkë, që i vareshin duart. Kish qenë i vramë. Ma vonë do e merrja vesh, se i vrami kish qenë Imer Miftari. Mbas pak kohe, shkuem prap në shkollë.

Kur mbaruem shkollën, morëm vesh se të plagosunin, e kishin lëvizë prej oborrit të shpisë së Shemsi Medisë, për te nji shpi tjetër, 50 metra prej aty. Më ka mbetë në mendje i plagosuni. Ai mbante nji bluzë të hijshme dhe sa e patën lëshu trinën për toke, qe ngritë pak prej trine dhe kur na pa ne, fmijve na e bani me dorë. N’at kohë partizanët e rrethuen dhe s’e kemi pa ma. Si duket, un tashti gjykoj, se ai mendonte se nuk kish me pësue gja.

Thashë se Hamdinë e kishin lëvizë me nji shpi tjetër, si nja 50 metra prej aty. Duke pyetë njani-tjetrin, fjalë mbas fjale, morëm vesh se ku e kishin futë. U afruem te shpija dhe te dera ruente me pushkë, vetëm nji partizan. Nuk na lanë me u futë mbrenda, përveç Cen Domit, si u fut mbrenda dhe doli menjiherë. T’nesërmen morëm vesh se Hamdinë, e kishin nxjerrë prej shpije të vdekun”. (Dëshmi e marrë në janar 1998).

PASAKTËSIA NË LIBRIN E URAN BUTKËS!

Në librin “Mukja – shans i bashkimit, peng i tradhtisë” (Uran Butka, fq. 28, Tiranë 1998), aty ku shkruhet se; “Forcat komuniste të Brigadës V-të, u ranë forcave të Muharrem Bajraktarit, kur këta ishin të organizuar në luftë kundër gjermanëve. Pra, në vend që të bashkoheshin përkundër okupatorëve, u zhvilluan përpjekje të përgjakshme, ndërmjet shqiptarëve, vëllezërsisht të një gjaku, ku u vranë 28 partizanë të pafajshëm, si dhe mjaft luftëtarë të Muharrem Bajraktarit, midis tyre vriten edhe dy djemtë e tij”, ka një pasaktësi. Ibrahim dhe Hamdi Bajraktari, nuk janë vra gjatë kohës së luftës, por të dy, janë plagosur në Shpatëz (Viti 1946). Pas kësaj, Hamdiu u zhduk dhe s’u mësua më kurrë për fatin e tij, ndërsa Hamdiun, e kanë sjellë në Bicaj dhe aty, e kanë mbytur.

EKZEKUTIMI I BAJRAM BAJRAKTARIT

Në gusht të 1946-ës arratisen drejt Greqisë; Muharrem Bajraktari, Bajram Bajraktari dhe Esat Bajraktari, por në rrugëkalim, plagoset Bajram Bajraktari (Person shumë i njohur, me shkollim të lartë në Itali) Sipas dëshmisë së pjesëtarit t’atij udhëtimi, Neshat Bilali:

“Bajram Bajraktarin e mbaj mend mirë, në ditën e parë të përpjekjes me ushtrinë maqedonase (6 shtator 1946). Në ditën e dytë të luftimit, nuk më kujtohet. Dita e dytë e luftimit, (7shtator 1946) ka qenë e tmerrshme. Pas këtij luftimi, kemi udhëtue pothuajse të shpërndamë dhe me disa vetë që kishin shpëtue, jemi takue vetëm në Greqi. Bajram Bajraktari asht nda nga shtabi, gjatë betejës në ditën e dytë të luftimit dhe s’e kemi pa ma.

E patëm mendue të vramë. Afër nji vit më vonë, Muharrem Bajraktari, mësoi prej nji englezi se Bajram Bajraktari, gjendej në burgun e Shkupit. Ma vonë, Bajramin prej Shkupi, e kanë pru n’Shqipni dhe e kanë pushkatue, në shtator të 1949-ës. Bajram Bajraktari, shum shpejt bani emën. E kam njoftë që kur kam qenë i ri, kur kthehej me pushime verore të shkollës në shpi të vet dhe shpesh vinte edhe në shpinë tonë. Kemi qenë kumbari me shpinë e tyne. Un për veti, kam pasë shumë simpati për të, se ish njeri i dashtun, i respektueshëm, i urtë. Ai bante shkollë përjashta vendit, n’Itali.

Ish njeri i admirueshëm. Dallohej edhe kur fliste. Të gjithë n’at kohë thonin, se ish ndër njerëzit ma të squet dhe ma me intelekt, ndër lumjanët që studjoshin përjashta vendit. Shpesh më thoshte se; vetëm demokracia mundet me e shpëtue vendin tonë, por prap Shqipnija po merr për keq dhe diktatura po kërkon ta mbërthejë. Thoshte se e kish si andërr, nji Shqipni etnike demokratike. Kish simpati të madhe për Francën dhe thoshte shpesh se Franca, asht vendi i kulturës dhe i qytetnimit”.

DËSHMIA E HUMES, BASHKËSHORTJA E BAJRAM BAJRAKTARIT:

“E morëm vesh se Bajramin e kishin pushkatue. Me t’afërm të mi, shkuem në Shkodër dhe u paraqitëm në Degën e Punëve të Mbrendshme. U thashë: Kemi ardhë me marrë trupin e Bajramit e, ta vorrosim. Njani prej oficerava tha: Trupin s’ta japim. Shteti ka ligje dhe ne kemi ligje, edhe për t’vdekmit. Boll si e ke marrë vesh, si ta kemi pushkatu. Ai ka qenë armik dhe mos lyp ma tepër. Kujt me iu drejtu, të paktën ta merrshim vesh se ku e kishin vorrosë?! As Zoti s’mund të m’ndihmonte! Krejt dyert i kisha të mshelme. U ktheva n’shpi, e lidha shaminë për fyti dhe me zor e rrita djalin e vetëm, Nezirin. Kur erdh Demokracia, Neziri asht interesue, për vorrin e babës vet, po s’ka gjetë kurgja”. (Dëshmi e marrë në vitin 1997)./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja