Kryeministri Edi Rama ka kritikuar edhe një herë opozitën në lidhje me mënyrën se si po bën fushatë elektorale, në shkelje totale të masave anti-COVID.
Në facebook, Rama ka postuar një foto nga takimi i tij në Korçë dhe takimi i Bashës në Tiranë ku duket qartë diferenca mes tyre.
Rama thotë se këto “vatra të nxehta infektimi për motive të ulëta politike” rrezikojnë ta godasin pas shpine vendin, ndërsa përmend situatën e rëndë që është krijuar në Kosovë apo në Mal të Zi, si pasojë e rritjes së numrit të infeksioneve.
“Vaksimi masiv cenohet pa distancimin, që duhet të shkojë paralelisht dhe këto vatra të nxehta infektimi për motive të ulëta politike, rrezikojnë ta godasin pas shpine Shqipërinë, teksa po i afrohemi çdo ditë daljes nga tuneli i pandemisë! Kosova po e paguan shtrenjtë fushatën elektorale me njerëzit ngjitur njëri pas tjetrit dhe rreziku i rimbylljes është rishfaqur; Malit të Zi fushata i kushtoi një rritje masive infektimesh, plagosjesh e humbje të jetëve; Maqedonia e Veriut po shkon drejt rimbylljes për mungesë vaksinash dhe ndërkohë vende të tjera më të mëdha po vuajnë shtrëngimet, teksa vazhdojnë vaksinimin që për shkak të numrave të mëdhenj nuk po jep ende efektin e vet!”, thotë Rama.
Ai i konsideron këto mitingje “një turp i madh” dhe “fytyra e vjetër e antishtetit dhe e rrumpallës antiqytetare të PD-së!”.
“Shumëkush e relativizon dëmin e madh shëndetësor që po mbjellin këto mitingje të papërgjegjshme, disa më shajnë e i përqeshin këto postime të miat, të tjerë flasin përçart për uragane imagjinare apo braktisje të Partisë Socialiste nga populli, por unë do të këmbëngul deri në fund: Këto mitingje janë turp i madh, papërgjegjshmëri dhe mungesë karakteri e lidershipit opozitar! Janë fytyra e vjetër e antishtetit dhe e rrumpallës antiqytetare të PD-së! Po mbi të gjitha janë rrezik shumë i madh për shëndetin e njerëzve dhe sabotim i hapur i luftës sonë kombëtare kundër Armikut të Padukshëm! “, shkruan më tej Rama.
Ai bën thirrje më tej për bashkim në luftën kundër COVID.
“Ky armik nuk pyet për parti e për politikë, godet ku të mundet dhe teksa ne po vaksinojmë pa i ndarë shqiptarët, duke luftuar çdo ditë për ta e me ta si një trup i vetëm, unë ju bëj thirrje të gjithëve: Politika le të na ndajë, po lufta për jetën, shëndetin dhe Shqipërinë përballë virusit vrastar duhet medoemos të na bashkojë!”, thekson kryeministri.
Vaksimi masiv cënohet pa distancimin, që duhet të shkojë paralelisht dhe këto vatra të nxehta infektimi për motive të...
Posted by Edi Rama on Tuesday, April 6, 2021