'Mizanteksti', libër iniciues
në studimet letrare shqipe

'Mizanteksti', libër iniciues<br />në studimet letrare shqipe
Libri më i ri me studime i Agron Y. Gashit, shënon njëkohësisht një vazhdimësi të kërkimeve të filluara vite më parë me “Autopoetiken”, por edhe një moment të ri, jo vetëm në krijimtarinë e tij. Hulumtimet e tij për zhanrin autobiografik, të iniciuara vite me parë, tashmë jo vetëm se kanë krijuar identitetin e vet në studimet e sotme shqipe, por janë orientuar drejt një horizonti krejt të ri në studimet e letrave shqipe. Mizanteksti shenjon procesin me delikat të krijimtarisë letrare, të lindjes së tekstit, të atij momentit më tundues e krijues, të kalimit nga shkrimi në tekst. Studimet shqipe, me pak përjashtime, ende nuk i kane bërë hapat e parë në këtë truall kaq të rrëshqitshëm, por edhe po aq sfidues të analizës tekstore. Agron Y. Gashi e bën sprovën e parë, për aq sa kemi informacion, në këtë fushë të studimit të letrave shqipe.

Andaj, duhet konstatuar menjëherë se pikërisht kjo është vlera e veçantë e këtij libri, te cilin ua rekomandojmë, jo vetëm specialistëve të letërsisë, por edhe një publiku të gjerë kureshtar për letërsinë, por edhe për mendimin letrar e kulturor.

Ky libër, nuk është një sprovë teorike mbi problemet e tekstit, dhe veçanërisht të tekstit letrar, siç mund të fitohet përshtypja e parë, por një mjet operimi, të cilin autori e afishon që në hapje të tekstit. Ai nuk përkufizohet tek gjeneza e tekstit, ashtu siç bën kritika gjenetike, dhe e ndjek evoluimin e shkrimit nëpër të gjitha etapat drejt një finaliteti që është teksti, respektivisht teksti letrar në variantin të cilin e has lexuesi. Agron Y. Gashi operon me mizantekst në analizën e pothuaj te të gjitha zhanreve diskursive dhe formave të mundshme që mund t`i marr ai. Një herë analizon organizimin e brendshëm të narracionit në funksion të hulumtimit të vlerave letrare të krijimit romanesk, të cilën e aplikon me veprën e Zejnullah Rrahmanit; herën tjetër analizon dispozitivin tekstor në funksion të hulumtimit të vlerave stilistike të krijimi poetik, siç e hasim në analizën e poezisë së Lasgush Poradecit, Zef Zorbës, apo të Ag Apollonit. Mandej, mizanteksti aplikohet edhe si mjet i privilegjuar i analizës së mizanskenës së fiksionit të dramaturgëve shqiptarë.

 Në të gjitha rastet, interpretimi që buron nga ky tip i analizës prodhon rezultate të matshme, të argumentuara nga një proces i gjatë i shkrimit pararendës të tekstit respektiv.
Mizanteksti, në rastin tjetër, bën prezantimin e dijeve, veçanërisht, të dijeve letrare. Kështu, dijet letrare realizohen në formën e shkrimit metakritik, siç e bën me poetiken dhe kritikën e Arshi Pipës, me “Albanizmën” e Sabri Hamitit dhe te kritikeve tjerë. Situimi i “Mizantekstit” të Agron Gashit vetëm përbrenda repertoarit të tekstit të thjeshtë metakritik do të reduktonte esencën e tij. Ai synon të thellohet në transmetimin e dijeve me subjektive për mënyrat e të qenit, të mendimit, ideologjive dhe vlerave. Mandej, ai merr karakter me sistematizues në diskutimin e sistemeve poetike të Lasgush Poradecit, Sabri Hamitit, Beqir Musliut, Musa Ramadanit, Kujtim Shalës, Ag Apollonit dhe te autoreve tjerë bashkëkohorë shqiptarë.

Agron Gashi, mizantekstin e vë edhe në raport me analizën teorike të teksteve klasike, ku shquhet studimi për Longinin, por edhe të teorive bashkëkohore letrare. Studimet intertekstuale të mizanteksti gjejnë një truall shumë të frytshëm në dialogimin ndërmjet teksteve dhe autoreve të kulturave, zhanreve dhe periudhave, shpesh, shume të ndryshme. Studimi i Pipës për Montalen dhe Danten, i vënë edhe si apendiks në gjuhen italiane, në fund të librit, e zgjeron edhe me tej gamen e interesimeve dhe e shpreh ambicien e Gashit për zgjerimin e frekuentimit të publikut edhe jashtë kontekstit shqiptar.

Siç u theksua që në fillim të këtij diskutimi, padyshim, pjesa me e realizuar e këtij libri është mizanteksti i diskursit autobiografik. Analiza e bërë “Sagës së fëmijnisë” së Zef Pllumit dëshmon edhe një herë për profilin specifik që ky tekst zë në letrat shqipe.

Dhe krejt ne fund, Agron Y. Gashi operon me dije bashkëkohore letrare, veçanërisht me ato franceze. I aplikon ato me saktësi në analizën dhe interpretimin e teksteve, të cilat e shquajnë atë si zë të veçantë të brezit të ri të studiuesve dhe krijuesve.

*AVDI VISOKA Autori është profesor i Letërsisë frënge në UP


Shkrimi u publikua në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit