SPECIALE/ Mjalti, biznesi i ëmbël që prodhon produkt të shtrenjtë

Bletët janë shpallur gjithmonë “qenia më e rëndësishme e gjallë në planet”. Jo vetëm se janë prodhuesit e mjaltit, por ato janë edhe polenizuesit kryesorë të botës së kafshëve, gurthemeli i procesit natyror që lejon gjenerimin e farave dhe frutave.

Pa këtë transport polen, prodhimi i kulturave bujqësore në botë do të ulet me 30 për qind dhe bimët lulëzuese do të zhdukeshin me 90 për qind. Në listën e 115 prodhuesëve më të mëdhenj të mjaltit natyror në botë është edhe Shqipëria sipas një raporti të publikuar nga FAO, në vitin 2023.Ndonëse pothuajse e gjithë Shqipëria ka mjatin specific sipas krahinave, Ministria e Bujqësisë ka certifikuar mjaltin e Bedunicës në Përmet.

Në fshatin Argovë të bashkisë Përmet, Romeo Kristo sot ka 130 koshere, të përqendruara në zonën malore të Përmetit në kufi me Zagorinë e Gjirokastrës, në një lartësi gati 700 metra mbi nivelin e detit.  

Lulja e Bedunicës, aq e rrallë, ndodhet me shumicë në zonën e Frashërit dhe parkut kombëtar të Bredhit të Hotovës, në rreth 1500m mbi nivelin e detit. Bletët që jetojnë në një zonë me bimësi krejtësisht të egër e bëjnë këtë mjaltë kaq të veçantë me aromën, shijen dhe veçoritë e tij të rralla.

Mjalti bedunicës është ndër më të kërkuarit , megjithatë konkurrenca e pandershme dhe mjalti i përpunuar mbeten pengesë për bletërritës e kësaj zone. Jo vetëm kaq por edhe mosfunksionimi i pikave grumbulluese për eksport pengon nxjerrjen e të ardhurave nga puna e një sezoni të tërë.

Kalvari i problemeve të prodhimit dhe tregtimit të mjaltit, shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Skema Kombëtare 2024 ka mbështetur bletarët në vlerën 1 mijë lekë për zgjua, për fermat mbi 50 zgjoje. Ndërsa fermat me mbi 150 zgjoje bletësh, do të financohen me 50% të masës, për çdo zgjua mbi tavanin 150 zgjoje.

Këtë vit në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2024, janë shënuar 4 322 aplikime në masën e bletarisë. Megjithatë këto subvencione janë të pamjaftueshme për bletërritësit.

“Neve na japin 10 mijë lekë për koshere në vit, ndërkohë që Kosova që është nja 50 vite shtet pas nesh merr 30 euro si shtetet e perëndimit”- tha Frrok Prenga.

Gjatë 5 viteve të fundit kemi një shtim me 80% të numrit të koshereve (518,790 koshere) që përkon me një rritje prodhimi prej rreth 36% (5,633 ton).

Çmimi i mjaltit përcaktohet edhe kostot e mirëmbajtjes së bletëve dhe materialeve për ndërtimin e koshereve.

15 deri në 20 mijë lekë të vjetra për kg e shet mjaltin bletërritësi Brahim Tahiraj nga Amonica e Vlorës, i cili prej më shumë se 50 vitesh, e nis njësoj mëngjesin e tij.

“15 deri në 20 mijë lekë kg. unë kam shumë kërkesa e nuk dal dot nga shtëpia sepse e njohën mjalitin e morën për fëmijët në kurbet. Ai të jep lekët, mjalti duhet mjaltë, sepse dikush e do për hall e dikush për qef”, tregon bletërritësi Tahiraj.

77 vjeçari vlonjat, nuk i reziston asnjë ditë zakonit që të jetë mes gumëzhimës së bletëve për t’i shërbyer.

“Unë vij pothuajse çdo mëngjes, ngaqë nuk rri dot në shtëpi. E kam qejf këtë punë, edhe vij kam apo skam punë unë do shikoj diçka do ketë nevojë ndonjë bletë për shërbim, qoftë për pastrim apo diçka tjetër”, thotë Brahim Tahiraj.

Mbarështimi i bletëve për Brahimin ka qenë një mundësi dhe burim i domosdoshëm për të rritur fëmijët, por sot edhe pse ata janë rritur e larguar nga vendlindja, pasioni i tij vazhdon i njëjti si prej dekadash me të njëjtin përkushtim e dashuri, për të ruajtur traditën.

Pavarësisht moshës për 77 vjeçarin kjo punë e përditshme nuk e lodh.

“Sot po u bëj kurën ndaj këtyre sëmundjeve të kohës, siç është paraliza. Është herë e tretë, që duhet tua bëj për 7 ditë. Nuk të lodh, më shumë të mërzit kur stë jep prodhim. Nuk të mundon, se më mirë këtu se më çlodh sesa të rrija në shtëpi”.

“Bletaria është mirë ti shtegtosh, mirëpo ngaqë ne nuk kemi mundësi se jam vetëm unë me bashkëshorten se fëmijët janë larguar”.

Për bletërritësin nga Amonica e Vlorës, e rëndësishme është që blerësit të mos mbeten të zhgënjyer por të rikthehen çdo sezon. Sot nuk është shumë i kënaqur nga prodhimi që merr nga bletët, pasi sipas tij kullota ka ndryshuar dhe sasia e mjaltit është shumë pak krahasuar me atë të viteve më parë.

“Më përpara i kishim primitive me ndryshimin e kohës i kthyem pastaj në modern. Me atë sistem kishim 30-40 koshere i mbanim te avllia te shtëpia, pastaj i shtuam 150. Nuk japin ndonjë mjaltë kush e di, tani sa për fëmijët e për të shitur tek ndonjë mik sa për të heq këto shpenzimet. Më herët bleta vilej 3-4 herë në vit, tani mezi e vjel 1 herë sepse nuk ka kullotë”, thotë bletërritësi nga Vlora.

Kullotat e munguara kanë bërë që vitet e fundit shumë bletarë t’i drejtohen Kukësit. Por ky fakt ka shkaktuar pakënaqësi te bletërritësit vendas sipas të cilëve bletët shtegtare sjellin edhe sëmundje infektive.

Klima, livadhet me bimë medicinale dhe përrenjtë me ujë të bollshëm e favorizojnë Kukësin për mbarështimin e bletëve. Sektor ky i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë lokale.

Varroatoza është sëmundja me infektive që prek bletët. Nëse ato nuk kurohen në kohë rrezikojnë mbijetesën e bletës në vendin tonë.

Kanë teknikë sa të duash se këto kanë dy gjëra kryesore: Problem është varratoja, pra nëse nuk i ke hequr varronë nuk ke bërë asgjë me bletën. Dhe pastaj janë këto produktet e tjera. Ndjek sistemin dy herë, në pranverë dhe vjeshtë. Po nuk ndoqe sistemin e kurimit nuk mbahet bleta”- rrëfeu Frrok Prenga nga Mirdita.

“Në farmaci bujqësore marrim ilaçet por s'janë të sakta. S'bëjnë efekt", tregon bletari Avdi Gjabri nga Bushtrica.

Edhe Frrok Prenga nga Mirdita është i detyruar t’i shtegëtojë bleët. Ai u shërben prej 44 vitesh bletëve. 60-vjeçari nga Bukmira nisi të merret që në moshën 16-vjeçare me këtë punë, por pas viteve 90 u angazhua edhe më shumë. Aktualisht ka 120 koshere dhe krahas pasionit, rritja e  bletëve është kthyer në burim jetese.

Teksa tregon mbi shtegtimin e tyre, Frrok Prenga thotë se ky zanat ka mund dhe sakrifice.

“I shtegtoj, ua kam parë hajrin si i thonë asaj shprehjes.”

Për Frrokun prodhimi i mjaltit është i kënaqshëm dhe tregu i sigurt, por nuk mund të sigurojë çdo vit të ardhurat e pritura.

“Tani varet me vite, se ka nga ato vite që nuk nxjerrim as shpenzimet. Po ka vite që dalim shumë mirë. Unë vjet kam dal shumë mirë. Vjet me 60 copë kam marr rreth  700 kuintal mjaltë, 10 kg mjaltë për koshere. Ma shumë nuk të lë shpirti se duam me e pa një gjë të bukur. Bleta të bënë vetë me punuar, edhe nëse nuk do ti. Deri në pikë të fundit që s’jam më i zoti me luajt as këmbë e as duar nuk i lë bletët. Jam i pasionuar. Të punosh me bletët është si me qenë duke rritur një fëmijë.

Në Mirditë është hapur për herë të parë edhe një qendër bletarie e cila përpos tregtisë së mjaltit synon të zhvillojë dhe kurat popullore me ane të bletëve.

Terapia me anë të thumbimit të bletëve, e njohur ndryshe si “apiterapia” është një metode e lashtë e mjekësisë popullore që përdoret për kurimin e disa sëmundjeve të brendshme.

Zakonisht bletërritësit e kanë aplikuar në kushte shtëpie, por tashmë ka një qendër të mirëfilltë për terapinë e bletëve. Gjendet pranë Info Kullës në anë të Rrugës së Kombit. Bletërritësi Gjovalin Gega thotë se procedura realizohet me bletë që lëshojnë thumbin e tyre në pjesë të caktuara të trupit.

“Terapia e bletëve, ajri që ka bleta hyn në organizmin e njeriut. Ndihmon në ftohje. Nëse të dhemb gjuri, e pastron me vendos bletën. Duhet ta dije njeriu a ka alergji më  para. Zgjat 15 ditë terapia. Përdoret shumë”, tregoi Gjovalin Gega, bletërritës në Mirditë.

Specialisti Preng Pepa tha se Mirdita ka potencial te madh për zhvillimin e sektorit te Bletarisë dhe prodhimin e  mjaltit me cilësi të lartë.

Rëndësi ka të sensibilizohen ata që kanë dorë në zhvillimin e bletarisë. Duke shtuar fondet. Duke pasur mundësi me shërbyer në energji, ujë të pijshëm, etj”, tha Preng Pepa , specialist bletarie.

Sensibilizimi është krye thirrja e të gjithë bletërritësve anembanë Shqipërisë.

Më shumë vëmendje për ta do të thotë kujdes i shtuar për konsumatorin, për më tepër që zonat ku zhvillohet bletaria janë braktisur nga banorët.

“Kur e shoh një duke iku, që vendos plaçkat (rrobat) në makinë, them ku je duke shkuar se nuk është vendi ynë me e braktisë. Pra është shumë e zorshme. Çohuni o popull ta mbajmë këtë vend, se janë lodhur brezat e të parët tonë. Çohuni t’i dalim Zot, e mos ta lejmë me u shkretuar”- ishte apeli i bletërritësit Frrok Prenga.

Më e ndryshme duket situata në Korçë e cila njihet si ferma më e madhe në Ballkan për prodhimin dhe përpunimin e mjaltit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se prodhimi vjetor i mjaltit në Shqipëri arriti në 5,633 tonë për vitin 2023, rreth 5% më shumë se një vit më parë. Janë eksportuar 40-50  tonë në vit deri në vendet më të largëta të botës. Megjithatë viti 2024 nuk është aq prodhues, përkundrazi. Ndikim kanë pasur temperaturat e larta dhe moti i thatë. Si rrjedhojë pritet jo vetëm rritja e çmimit të mjaltit vendas por edhe favorizim të produkteve të importit pasi shqiptarët janë konsumatorë të rregullt duke e renditur vendin tonë të gjashtin në botë në konsumin e mjaltit, me rreth 1.9 kg mjaltë/frymë.

G.K/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protesta e opozitës, Erion Braçe: Të bllokosh Tiranën, njësoj si ato makinat e ekstremisteve që hyjnë në tregjet e krishtlindjes

Protesta e opozitës, Erion Braçe: Të bllokosh Tiranën, njësoj si ato makinat e ekstremisteve që hyjnë në tregjet e krishtlindjes