Mjeda, tri letra surprizë, skandali
i rinisë? Ja shjegimet në dokumente

Mjeda, tri letra surprizë, skandali<br />i rinisë? Ja shjegimet në dokumente
Letra e parë është një letër autograf e Ndre Mjedës 12-vjeçar, i cili i shkruan nga Shkodra  më 28 korrik të vitit 1879,  padre  Zef Pacit ose padre Jak Jungut, ku Mjeda flet për një letër që ka marrë një muaj më parë  nga padre Altini. E gjithë kjo  letër dëshmon për një reputacion të madh  që ka ky student 12-vjeçar dhe një mendje gjeniale.  Një vit më parë  profesori i tij në një relacion mbi përparimin e Mjedës e kishte quajtur  një fëmijë 11-vjeçar me talent të jashtëzakonshëm.

Në këto rrethana  studenti Ndre Mjeda gjendej në qendër të vëmendjes së jezuitëve të Shkodrës dhe të gjithë Provincës Venete.
Letra është shkruar me një kaligrafi të përsosur  dhe me një stil klasik, çka tregon formimin e tij klasik.  Përmes kësaj letre Mjeda kërkon rekomandime  për t’u regjistruar sa më parë në shkollën e jezuitëve. Atij i ishte kërkuar miqësisht  që të shkruajë një letër latinisht të pakorrigjuar nga askush si dhe një poezi latinisht kushtuar Zonjës Marie dhe kjo, vepër origjinale tij. Ndre Mjeda  e shkruan letrën latinisht, ndërsa për poezinë  justifikohet se  nuk mundi ta bënte ngase nuk  kishte studiuar prozadinë.

Në letër Mjeda vijon me një seri lutjesh  për ta regjistruar sa më parë, siç thotë ai, “për ta kënaqur më në fund këtë zemër të mjerë që nuk do të jetë e tillë pa vajt në kuvend”. Mendimi ynë është se kemi të bëjmë me një përshpirtje të Mjedës për të hyrë në rrugën e shkollave jezuite. Paramendojmë se  Mjeda i ri ka kuptuar nivelin e lartë të shkencave dhe arteve që mësoheshin në shkollat jezuite dhe që ai me gjenialitetin e tij  kishte etje të madhe për përfshirjen në këtë sistem arsimor  të përsosur për kohën.

Kjo mund të vërtetohet edhe nga letrat e tjera si dhe nga vetë jeta aktive e Ndre Mjedës, i cili  vazhdimisht punoi dhe krahas karrierës fetare synonte të kishte lirinë dhe kohën e duhur për t’u marrë me krijime letrare dhe në përgjithësi me kulturën dhe çështje kombëtare shqiptare.
 
Letra e dytë  i takon padre Luigj Kataneos S.J. një provincial i Provincës Venete nga varej edhe Mjeda, drejtuar gjeneralit të përgjithshëm të jezuitëve në Romë me datën 8 dhjetor 1895. Kjo letër paraqet interes mbi raportet e Ndre Mjedës me jezuitët. Në këtë letër  tregohet se padre Kataneo ka vajtur për vizitë provinciale në seminarin e Portoresë (Kroaci) për të shqyrtuar çështjen e Pader Andrea Mjedës.  Bëhet fjalë për një akuzë që i është bërë Mjedës gjatë kohës  që ai studionte në Goricia në vitin e 4-të të Teologjisë (1894-1895). Padre Luigji ka vajtur në Portore ka biseduar me Padre Mjedën  dhe  i kthen përgjigje gjeneralit të përgjithshëm se nuk ka gjetur aq shumë prova sa për të gjykuar Mjedën nëse është vërtet fajtor.  Madje, Mjeda ka protestuar se  nëse do të kishte mundur të ishte më i matur e më i kujdesshëm përsëri nuk kishte ndërmend  të bënte gjë tjetër. Ai nuk ka lënë asgjë tjetër për t’i sqaruar Gjeneralit të Përgjithshëm.

Por ajo që është më e rëndësishmja, gjenerali ka paralajmëruar Mjedën në mënyrë serioze se për të parën herë që ai do t’i jepte shkak për akuzën e tij, në mënyrë të veçantë në lidhje me kursin e dytë do të shkarkohej menjëherë dhe do të mbetej i pezulluar konform  dekretit të kongregacionit të shenjtë.
Tashmë pyesim se cili mund të ketë qenë  problemi për të cilin akuzohet Mjeda në Goricia? Mendojmë se tri janë arsyet.

Njëra mund  të jetë letra e shkruar nga Mjeda me 5 gusht 1895 dërguar albanologut Gustav Majer, ku ai ka ironizuar etërit jezuitë të Shkodrës, të cilët vazhdonin të ngulnin këmbë për drejtshkrimin e vjetër të përdorur prej tyre rreth 300 vjet më parë dhe  deri në kohët e fundit në shtypshkronjën e tyre në Shkodër.  Kjo bëhej për shkak se Mjeda mendonte se alfabeti i autorëve të vjetër, apo siç quhej alfabeti i jezuitëve  nuk i përshtatej natyrës së tingujve të gjuhës shqipe.

Së dyti mendojmë  që Mjeda  kishte hartuar një poezi kushtuar mikut të tij Anton Xanoni,  i cili në këtë vit shkollor që Mjeda vazhdonte në Goricia është emëruar profesor në seminarin e Shkodrës. Poezia ka një karakter të theksuar atdhetar.
Së treti,  mendojmë se mund të jetë edhe një poezi e padre Spilopinit S.J. më 13 qershor 1895 kushtuar Ndre Mjedës, në të cilën  ai  e uron Mjedën për gradimin e tij si padre jezuit dhe gjithashtu shpreh shpresën që Mjeda të shkojë sa më parë në Shkodër dhe të bëhet një apostull për ta udhëhequr popullin shqiptar.

E gjithë kjo që përmendëm bëhet si i tillë, një problem sepse dihet se shoqëria jezuite në Shkodër kishte një statu quo me qeverinë lokale në Shkodër dhe  këto veprime patriotike të Ndre Mjedës  ai tregonte se po thyente rregullat dhe disiplinën e brendshme të jezuitëve. Sipas kësaj letre, si dhe sipas praktikave të mëparshme  kur Mjeda kishte sjellë trazime në këtë drejtim, eprorët  parashikojnë se padre Andrea do të bënte edhe skandale të tjera në drejtim të thyerjes së disiplinës.
 
Letra e tretë është një letër autograf e Mjedës,  e shkruar me kaligrafinë e tij karakteristike nga Shkodra më 21 shtator 1911, në atë kohë kur ai ishte famullitar i Kuklit. Letra i drejtohet padre provincialit në Venedik. E gjithë letra është e  përshkruar me një ndjenjë faji për të gjitha ato ngjarje që i kishin ndodhur në të kaluarën kur ishte student në seminarin e jezuitëve. Tashmë ai është një prift i fshatit,  dhe  i rëndësishëm është fakti se ai përshkruan çastin e rëndë që ka përjetuar kur etërit jezuitë i kanë komunikuar  përjashtimin nga shoqëria e jezuitëve, të cilin ai e përshkruan në mënyrë tragjike dhe e quan fatkeqësi të madhe për të. 

Ai sqaron  se  nuk ka qenë i gatshëm për t’iu nënshtruar këtij vendimi po të kishte qenë e mundur.  Mjeda dëshmon gjithashtu se asnjëherë në jetën e tij deri në ditët e mëvonshme nuk e ka ndryshuar këtë mendim të tijin. Ai madje  dënon ashpër vetveten se ka përbuzur edukatën dhe amanetin për të ndjekur rrugën e  shoqërisë jezuite.  Sqarojmë se këto terma që përdor Mjeda lidhur me ndarjen e tij prej shoqërisë jezuite, ndodhur në shtator të 1898 i gjen për herë të parë të dokumentuar në një letër autentike me autograf të Mjedës.

E themi këtë sepse jep informacion të ndryshëm  nga ai që është dhënë  nga studiuesit lidhur me këtë moment të veçantë të jetës së Mjedës. Gjithnjë nga mungesa e dokumentacionit, studiuesit janë përpjekur të gjejnë gjithfarë arsyesh, duke përdorur terma ekstremiste nga të dyja krahët, herë-herë me karakter eufemik.
Gjithashtu në këtë letër gjejmë edhe informacione të rëndësishme për ndihmesën e madhe që luajti Mjeda në Kongresin e Manastirit për çështjen e alfabetit.

Ai sqaron se ka pasur edhe mundësi të tjera që kërkonte të ripranohej në shoqërinë e jezuitëve, por e kanë këshilluar të kalonin disa vite prove.
Lidhur me Kongresin e Manastirit, Mjeda flet edhe për peripecitë që ndodhën më vonë dhe që lidheshin  me kontributet e dy vëllezërve Mjeda, njëri në Shkodër e tjetri në Manastir dhe që u zgjidhën nga vetë Ndre Mjeda. Madje pas Kongresit të Manastirit dhe pas këtyre peripecive që e ndoqën ndodhi transferimi i imzot Lazër Mjedës në selinë e Shkupit.  

“Çdo kërkesë tjetër e mëvonshme mund të interpretohej si frikë nga ana ime dhe si braktisje për personin tim, kurse tani jam në qetësinë e shpirtit tim”, thotë Mjeda për të kërkuar një rekomandim nga ana e provincialit për t’u pranuar në shoqërinë e jezuitëve.

Pas këtij dokumenti kemi në dorë dhe një skedë që ka shoqëruar protokollin e mbledhjes të komisionit  të përgjithshëm të jezuitëve mbajtur më 15 nëntor 1911 lidhur me kërkesën për ripranim të Mjedës dhe ku kancelari i mbledhjes ka shënuar përgjigjen negative. Ky komplet letrash jep një tablo të re që do tu shërbejë studiuesve në të ardhmen për të kuptuar tre gjëra: që Mjeda hyri në seminarin jezuit në moshë fëminore, me devocion, se ai kishte plane për t’u marrë më shkencë e letërsi e për të gjetur hapësira e mundësi dhe lirinë e duhur  dhe së treti sepse ai e ndjente brenda vetes  gjeninë e tij për ta vënë atë në shërbim të çështjes kombëtare, sidomos  tek çështja e tretë, ai herë pas herë ai hyri në konflikt  me disiplinën e shoqërisë së jezuitëve dhe se herë pas here, mendoi të vetëmbrohej përmes talentit të tij por edhe një strategjie me protesta, justifikime të herë pas hershme.

Si përfundim theksojmë se Mjeda pas pak ditësh gëzoi mbështetjen e gjeneralit të ri të përgjithshëm të jezuitëve Padre Vladimir Ledohovskit, bashkënxënës i tij në seminarin e jezuitëve. Me këtë rast Mjeda erdhi profesor në Seminarin e Jezuitëve në Shkodër më 1929 dhe u bë këshilltari nr.1 i revistës së jezuitëve “Leka

Shkrimi u publikua sot (20.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan