Nëpër vite, në plot do vera të nxehta, me vapë e me zheg, bash si kjo e fundit, rrëfente njëherë e një kohë gjyshja ime, ndjesë pastë, s'na u pat nda murtaja.
Katundet qenë zbrazur e qyteti qe shtyer përtej lumit për t’i ikur zisë.

Murtaja e zezë herë kishte ardhur nga minjtë, herë nga turku e herë nga kaurri, por edhe nga soji i sorollopit, që yllin e mbanin të kuq e në ballë edhe kur emrin e kishin shqiptarë!
Krejt e ngjashme si kjo që është sot, veç në vend të yllit të kuq e në ballë, ikonografia dhe gjuha është tjetër dhe tash nuk thuhet "para partizanë" por "luftë për dine e iman"!

Gruaja që i kishte përjetuar disa luftëra, i kishte parë sytë e “farës së keqe”, e sa herë i nuhaste prapë, shkonte e jepte nezër.
Po të ishte gjallë, edhe sot do t'a bëntë të njejtën gjë...
"Nezër për ata që vrasin e s'dinë pse vrasin, për të tjerë që janë si ata, pastorë e imamë që sa herë flasin vrasin e zemër s'kanë të thonë "Fali o zot se s'dinë çfarë bëjnë!"

Dikush tha se po na vërshojnë “lumenjtë e kuq të Sirisë” e tashmë po lëvizin gurët që Kosovën e kishin lënë në mes Lindjes e Perëndimit, dhe se të mjerën, mund ta përbijnë nga “poshtë” ose mund ta shpëtojnë nga “lart”.

Dikush tha se koha është për spektakël, ose ndoshta edhe për luftën e huaj sepse tonën e kemi bërë "fet"!
Dikush tha nuk e di se çfarë dua të them, e të vërtetën nuk e them dot, sepse s'kam bythë ose sepse kjo s'ka rëndësi tash kur edhe kryeminsitri po thotë se këtë punë duhet marrë seriozisht!!! E di "pogllavica" kur duhet marrë gjërat seriozisht.

Ka kohë që një zonjë me taka, por me një pozitë të lartë në Qeveri, ose një akademik deri vonë mjekërzi, e kishin takuar imamin më kontrovers, më të pazakonshëm, e disa po thonë edhe më problematik, Shefqet Krasniqin! Gojëkqinjtë nisën të thonë, se ai mund të kishte pasur fuqi për “magji” elektorale!

Ka muaj, që një burrë me këmishat HTH, që për vite ka qëndruar në krye të makinersië së pushtetit, ishte lidhur me ata që sot nuk i nxjerr dot jashtë, vetëm për të mos rënë nga kali i pushtetit.

E tash gjithçka është kthyer në hajgare të përgjakshme.
Bile dikush tha se presidentja po i kthehet uniformës së polices në mënyrë që t’i ndjekë hajnat e qetësisë. Ose kryeministri, që na e lasht shëndenë, po flasin të jetë i preokupuar me rolin që do t'a ketë në Hollywood.

Por ç'ti bësh ministrit të Policisë, zoti Rexhepit, i cili paskësh deklaruar se kudo që të jetë Thaçi, do të jetë edhe ai. Hollywood-it i mbetet ti hap dyert për të dy ata.
Kjo do të thotë se s'ka krizë për këtë vend më. Dikush në Siri e dikush në Hollywood!

Ndërkaq, gjuha si shtëpi e qenies dhe fjalori “fundamentalist” do të krijonte një skenar të denjë për Oskar. Por, deri atëherë ka kohë, e në ndërkohë po i luftojmë barbarët e po përpiqemi t’i shqelmojmë nga strofulla jonë e pastër.

Dikush po thotë se është kohë pushimesh, por habia është pse të gjithë po punojnë.
Vetëm se nuk po dinë se çka dhe si. Dikush tha se ky model murtaje është vështirë i kuptueshëm...prandaj shpëtimi është në zhegun e kësaj vere e në bregdetin shqiptar, që qenka mbushur me "arnautë kosovarë" menjëherë e pas ramazanit!

Një tjetër bëntë be se është gjynah që në këtë krizë ideologjike të mos lahesh me peshqit e Jonit e të Adriatikut, bile qeveritarët. Në mos për asgjë tjetër, sepse pothuaj të gjithë janë shumë të ngjashëm me ta...trupeshqit qeveritarë!

Të lahen e të shullehen edhe pak ditë e të krekosen si gjelat në pleh se si Globi po urojka Kosovën për luftën e shpallur “murtajës". Well done!

Shyqyr që kjo e mjera për pak po harron preokupimet esenciale dhe po hyn në aleancën e “luftës’ globale. Duke nisur kështu një aventurë të re, për të cilën hoxhën s’e kuptoj se çka po thotë.

Shyqyr që strukturat politike për fron e për tapi për pak ditë mbetën në prapavijë. Por aman, para se të ktheheni nga deti, ktheni pak rrugën kah zonja Meri ose kah Burdushi këndej rrugës së Kombit.