TIRANE- Projektligjin që zëvendëson konkurset me emërimet, për përzgjedhjen e dekanit si dhe shefave të departamenteve në Fakultetin e Mjekësisë, drejtuesi aktual i këtij institucioni Bajram Hysa e cilëson si cënim të autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë. Ai thotë se për hartimin e këtij drafti nuk është marrë asnjë  mendim nga aktorët e interesit, dhe se ai është një hap i nxituar. “Emërimet gjithmonë cënojnë demokracinë ose votën e profesioratit dhe të grupeve të tjera të interesit. Gjykojmë në qoftë se kjo është një fazë e strazitore meqenëse Universiteti i Tiranës, ky është një problem i qeverisë”, tha Bajram Hysa, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë.

Sipas tij, kjo është një shkelje, pasi ndryshimi i ligjit bëhet vetëm për mjekësinë kur të gjithë janë të zgjedhur nëpërmjet konkurseve dhe se kanë një mandat, në bazë të ligjit të arsimit të lartë. “Këtu nuk duhet të preken ata që janë votuar, kjo do të thotë që respektimi i ligjeve dhe i mandatave dhe kur i ndryshojnë ligjet është një vullnet jo i personave që janë zgjedhur, por është një vullnet i përfaqësuar i prefesioriatit dhe i studentëve dhe i administratës. Çdo lloj ligji apo vendimi nuk mund të ketë fuqi prapa vepruese”, tha Hysa. Reagimi i dekanit të mjekësisë erdhi një ditë pasi qeveria miratoi disa ndryshime në ligjin e arsimit  të lartë.

Një nga nenet e tij lidhet pikërisht me mënyrën e ndryshimit se si përzgjidhen titullarët e institucioneve të arsimit të lartë që kanë Qendra Spitalore Universitare. Nëse më parë dekani dhe shefat e departamenteve zgjidheshin me konkurs në bazë të një votimi nga studentët dhe stafi pedagogjik, tashmë ata do të miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)