TIRANË - Pas ankesave të mjekëve, dentistëve dhe farmacistëve, Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim ka publikuar listën përfundimtare të profesionsitëve të shëndetësisë që kanë plotësuar kreditet. Në listën e publikuar nga QEKV janë rreth 7900 mjekë, stomatologë dhe faramcistë që kanë mbyllur fazën e parë të ricertifikimit dhe tashmë do të nisin fazën e dytë, ku duhet të grumbullojnë një numër më të lartë kreditesh. Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim thekson se ka përfshirë në listë edhe emrat e mjekëve që u ankuan pranë këtij institucioni ku pas verifikimeve ka rezultuar se e kanë përmbushur detyrimin për fazën e parë.

Për ata mjekë apo faramacistë që nuk kanë plotësuar numrin e krediteve të kërkuara do të kalojnë në provim riçertifikimi. “Provimi i riçertifikimit kryhet për të vlerësuar nivelin e njohurive dhe kompetencave të profesionistëve që nuk janë angazhuar plotësisht në edukimin e tyre në vazhdim gjatë një cikli ricertifikimi  dhe për të garantuar përputhjen me kërkesat bashkëkohore të  praktikës profesionale. Përmbajtja e provimit hartohet nga Komisioni i Provimit të Ricertifkimit në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale dhe me zhvillimet e reja shkencore në këtë fushë”,- thuhet në rregulloren për organzimimin e provimit të ricertifikimit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë provimi i ricertifikimit do të zhvillohet në muajit shtator-tetor 2015. Përjashtohet nga detyrimi për të dhënë provimin profesionisti i punësuar në shërbim publik shëndetësor, i cili për 2 vjet ose më pak arrin moshën e pensionit dhe profesionisti, i cili ka marrë lejen e ushtrimit të profesionit për herë të parë 2 vjet përpara përfundimit të ciklit të ricertifikimit. Ministria e Shëndetësisë deri në fund të qershorit do të publikojë programet orientuese mbi të cilat do testohen mjekët që nuk kanë plotësuar kreditet në fazën e parë.


Shkrimi u publikua sot (12.05.2015) në Shqiptarja.com versioni print
 
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)