TIRANE- Kandidatët të cilët po plotësojnë dokumentacionin për të aplikuar pranë Fakultetit të Mjekësisë mbi specializimet e hapura pas 3 vjetësh mungesë janë përballur me një vështirësi në pajisje me dëshmi penaliteti. Kjo sipas tyre, sepse për të tërhequr dokumentin në Postë nevojiten të paktën dy javë kohë, ndërkohë që afati për dorëzimin e dokumentacionit është më i shkurtër vetëm një javë kalendarike.

Të gjendur përballë këtij fakti një numër i madh kandidatësh nuk kanë nguruar të telefonojnë drejtues të dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë në mënyrë që të informoheshin për mënyrën e dorëzimit të dokumentacionit. “Afati për dorëzimin e dokumenteve ishte shumë i shkurtër, vetëm një javë, ndërkohë që për të marrë dëshminë e penalitetit në Postë duhen të paktën dy javë. E gjendur përballë këtij fakti mu desh të shqetësoja dekanen e fakultetit për tu informuar e cila më pohoi se priste një udhëzim nga Ministria e Arsimit” pohon Elona kandidate për specializante në Fakultetin e Mjekësisë.