Mjeku i njohur Sallabanda në Report Tv: Shqiptarë, mbani maskën! COVID-i s'e prek trurin, zbuloni infeksionin nga ujërat e zeza

TIRANE- Mjeku shqiptar Kita Sallabanda, profesori i neurokirurgjisë në Universitetin Complutense të Madridit ishte i ftuar ditën e sotme në studion e Report Tv në një bisedë me gazetarin Andi Kapxhiu për të folur për situatën e shkaktuar nga koronavirusi në vendin tonë, menaxhimin dhe atë që pritet që të ndodhë në vjeshtë. Mjeku u shpreh i shqetësuar nga ajo që kishte konstatuar nga turi që zhvilloi në Shqipëri. Sipas tij, njerëzit nuk janë të ndërgjegjësuar për rrezikun duke mos respektuar masat.

"Nuk ka një ndërgjegjësim të popullatës. Në Tiranë, në Himarë, Vlorë, Livadh, në Berat, në Belsh, kam parë që njerëzit nuk janë të ndërgjegjësuar, për mbajtjen e maskës. Një qytetar më tha se të pashë në një rrugë dhe ishim vetëm ti dhe unë që kishim maskën. Për të ardhur keq që njerëzit nuk janë të ndërgjegjësuar. Mortaliteti në Shqipëri është 3-5%, më i lartë se në Europë. COVID-i lë pasoja dhe ata që nuk e kanë kuptuar është problem serioz. Ata që mendojnë se COVID do të zgjidhet me masa mjekësore gabohen. Kjo është cështje sociale, e shoqërisë, politiko-shoqërore. Me masa administrative mund ta përballojmë, nuk mund ta përballojmë me ilaçe dhe reanimacion për momentin".

Kita Sallabanda deklaroi se shifrat në vendin tonë janë të ulëta në krahasim me pakujdesinë që ka popullata shqiptare. "Numrat mund të rriten me numrin e paktë të testeve që bëhen aktualisht, që gjithsesi është shtuar. Por për atë që pashë dhe shifrat që keni janë relativisht mirë. Në gusht janë shtuar se janë shtuar testimet. Është shtuar numri i atyre që humbin jetën, në Shqipëri është 6-10 herë më tepër se në Europë. Shifrat në krahasim me ndërgjegjësimin e popullatës janë në favorin e njerëzve".  

Mjeku i njohur kishte në apel për të gjithë qytetarët shqiptarë. "Ju lutem mbani maskën në cdo ambient ku ka njerëz, në rrugë, kur ka disatancë 1.5 metra mos e mbani. Maska, distancimi dhe higjiena, nuk kemi asnjë mjet tjetër. Mos e harroni këtë që po u them, jam mjek" theksoi ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:35
Pasojat e COVID-it, a e prek trurin? Mjeku: Ja çfarë tregoi studimi, në Shqipëri ka nisur analiza

Mjeku shqiptar Kita Sallabanda u shpreh se nga studimi që kanë bërë në Spanjë ka rezultuar se truri i njeriut nuk preket nga COVID-i. Personat që e kalojnë, tha ai, kalojnë në depresion, por shtoi se nuk kemi parë dëmtime organike të trurit. Sallabanda theksoi se edhe në Shqipëri ka nisur analiza e autopsive të të sëmurëve që kaluan COVID-in për pasojat që la sëmundja.

"Kemi filluar studimet për pasojat me autopsitë e të sëmurëve me COVID. Dje isha në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe kolegët në Shqipëri, kanë filluar të bëjnë autopsinë e të sëmurëve, më treguan një zemër dhe një mushkëri, kanë hyrë në rrugën e drejtë të analizës se cfarë po ndodh. Ishte shumë interesante. Ne në Spanjë kemi një studim mbi 90 të sëmurë për të parë se cfarë ndodh në tru. Nuk kemi parë dëmtime organike të trurit, por nervave periferikë, kemi parë dëmtim nervit, që të sëmurët të mos kenë nuhatjen dhe cefale kronike, por jo dëmtime organike të trupit.

Kemi parë depresionin, ata që e kaluan COVID-in  kanë kaluar në depresion, por nuk është dëmtim organik i trurit. Por nuk është dëmtim organik. Pamë trompoz, por nuk pamë dëmtime të trurit. Nuk e kemi mbaruar studimin. Ka shumë publikime por konkluzione te sakta nuk kemi. Nuk kemi arritur akoma në fazën e analizës, konkluzionet mund të dalin nga muaji tetor" tha ai.

Ora 12:30
Mjeku: Bëni vaksinën e gripit! Ja si të zbuloni vatrat e infeksionit nga ujërat e zeza

Mjeku Kita Sallabanda kërkoi që të gjithë qytetarët të bëjnë vaksinën e gripit pasi COVID-i mund të bëhet më agresiv në vjeshtë me uljen e temperaturave,prandaj duhet të jemi më të përgatitur.

"Për fundin e virusit ka disa teori. Një është që nuk do të kemi një valë të dytë, por do të shuhet në mënyrë graduale. Ka dy teori, një që një grup mjekësh që virusi do të kthehet në grip normal, një tjetër është që do të kemi shtim agresiviteti, por unë mendoj se asnjëherë nuk ka për të qenë si në muajin mars-prill.

Do të bien temperaturat do të përzihet me gripin normal, ka mundësi të shtohet. Të gjithë duhet të bëjnë vaksinën e gripit për mbrojtje. Do të jemi më të përgatitur. Nëse ka një përhapje masive kjo tregon se shoqëria dhe shteti nuk kanë marrë masat e duhura, kanë pasur 4 muaj kohë për t'u përgatitur".

Por cfarë po ndodh në Spanjë? "Spanja ka probleme të mëdha ekonomike, humbja nga turizmi është 73%, por ka atë fatin e mirë që ndodhet në BE, që i jep një stiuml ekonomik. Anglia ka reaguar më keq, pastaj vjen Spanja dhe vendet e tjera. Qeveria veproi keq në fillim nga ana ekonomike, tani mirë. Nga ana mjekësore po bëhet testime masive" tha ai.

Ai kishte edhe një sugjerim për autoritetet shqiptare. "Ne po kontrollojmë ujërat e zeza në Spanjë, pasi mund të përcaktojmë ku kemi burimet e infeksionit, lagje, grup pallate, ku janë vatrat e infeksionit, duhet ta bëni edhe këtu. Në një lagje të Madridit u pa se në ujërat e zeza kishte përqendrim të virusit, të gjithë njerëzit bënë testim. Për izolimin selektiv. Këtë po e bëjmë në mënyrë sistemaike" tha ai.  

Ora 12:26
Mjeku: Udhëtimi me urban i dyti më i sigurt, por mbani maskën! Shkollat? E panjohur e paparë

Mjeku Kita Sallabanda u kërkoi qytetarëve shqiptarë që të mbajnë maskën kur të udhëtojnë me urban për të shmangur rrezikun e infektimit. "Kemi bërë studime që transporti më i sigurt është ajror, i dyti është urbani me autobus, pasi hapen dyert dhe ka qarkullim në cdo stacion, nëse shkojnë të gjithë me maska, risku për t'u infektuar është i vogël. Treni është më i komplikuar se kolon orë të tëra pa u hapur.

Sa i përket shkollave. Jemi në një situatë të paparë dhe të panjohur. Një ide është që duhet të dyfishohen ambientet, që klasa të ketë 15 dhe jo 30 nxënës. Gjë tjetër, kontrolli i profesorëve në mënyrë të vazhdueshme cdo 2-3-4 ditë dhe ndërgjegjësimi i nxënësve. Si mund të mendohet që fakulteti i inxhinierisë dhe mjekësisë të bëhen online?! Si mund të bëhet praktika klinike online?!" tha ai.

Ora 12:20
Kurimi i pacientëve me COVID me plazmën e gjakut, mjeku: Jo zgjidhje definitive, ja si bëhet

Në Shqipëri dy ditë më parë nisi trajtimi me plazmën e gjakut. Mjeku Kita Sallabanda tha se në Spanjë e kanë përdorur këtë metodë kurimi që në mars. "Plazmën e gjakut e kemi përdorur që në mars dhe prill në Spanjë. M'u duk e çuditshme që Trump e trumbetoi me arritje të madhe. Ne kemi dy elementë bazikë mbrojtës, antikorpet dhe qelia T. Antikorpet janë elementi i parë mbrojtës, reagimi i trupit ndaj virusit, nëse marrim antikorpe të gatshme te një që e ka kaluar këtë sëmundje dhe ia injektojmë pacientit, e ndihmojmë. Është një element më tepër për ta ndihmuar, por nuk është zgjidhja definitive duke dhënë antikorpe të gatshme. Antikorpet e gatshme janë barriera e parë mbrojtëse" tha ai.

Ora 12:17
Masat anti-COVID, Sallabanda: Rrisni testimet, gjurmimin dhe ndërgjegjësimin

Mjeku Kita Sallabanda kërkoi nga institucionet shqiptare që të rrisin numrin e testimeve për të zbuluar të prekurit me COVID. Ai tha se testimet nuk shërojnë, por të ndihmojnë në marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. "Testimet nuk shërojnë, kjo është një gjë shumë e qartë, nuk bëhet politikë me testimet. Na ndihmojnë sa kemi të sëmurë dhe ku të marrim masat, na bëjnë të zbulojmë rastet. Duhet të rritet numri i testimeve, kapaciteti i gjurmimeve dhe duhet të rritet fuqishëm propaganda për ndërgjegjësimin e shoqërisë" tha ai.

Ora 12:17
Sallabanda: Masat e Shqipërisë ishin efikase, por lehtësimi duhet të ishte bërë më gradual

Mjeku Kita Sallabanda vlerëosi masat që mori qeveria shqiptare në fillim të pandemisë, por e kritikoi për rihapjen që duhet të ishte më graduale. "Unë mendoj se qeveria shqiptare në fillimin e pandemisë mori masa të sakta, serioze dhe efikase. Këto masa patën një goditje ekonomike, si në të gjitha vendet dhe nuk mund të vazhdonin. Për mua lehtësimi duhet të ishte bërë në mënyrë më graduale. Sot duhet të përpiqemi që të rrisim numrin për të kontrolluar. Por problemi më i madh është ndërgjegjësimi i popullatës. Maska, higjiena dhe distancimi fizik, jo social duhet të respektohen deri kur të kemi vaksinën" tha ai.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja