Artan Lame, një prej iniciatorëve që kanë marrë përsipër të ndërrojnë fytyrën e institucioneve shtetërore, duke nisur me kryeministrinë, na zbulon kështu disa detaje mjaft kurioze për objektet e rralla që ishin hedhur pa kujdes dhe lënë në kushte të mjerueshme, objekte që u ekspozuan këto ditë përmes fotove të bëra publike nga kryeministri Edi Rama. Por kur janë prodhuar këto mobilje? Të çfarë rëndësie janë dhe cila është historia e tyre në Kryeministri? Lame thotë se ato kanë qenë pikërisht aty që nga koha e ndërtimit të godinës. Historia e tyre lidhet me emrin e Mehmet Shehut, me periudhën e ndryshimeve të mëdha, dhe vitet e demokracisë derisa përfunduan si sende pa vlerë në magazinat e Kryeministrisë…
Z.Lame, Po flitet shumë për një grup mobiljesh të degraduara gjetur në magazinat e kryeministrisë. Pse gjithë kjo zhurmë, çfarë vlerë kanë këto mobilje, cila është historia e tyre?
Bëhet fjalë për mobiljet që janë dizenjuar që në kohën kur u projektua godina e kryeministrisë në vitin 1940 dhe kanë qëndruar në këto ambjente deri në vitet ’80, në zyrat kryesore të kryeministrisë. Pas vdekjes së Mehmet Shehut, ndoshta edhe për atë ngarkesë që kishin, u hoqën nga pjesa kryesore dhe u kaluan në zyra të tjera të një niveli të dytë, por sërish në të njëjtën godinë. Kjo deri në vitin 2005-2006, kohë kur janë hequr nga këto ambjente dhe janë lënë në mëshirë të fatit pa asnjë kujdes, si diçka pa vlerë, për tu hedhur. Kështu, në këtë gjendje u zbuluan.
Dimë se tani këto mobilje do të restaurohen. Do të rikthehen sërish në përdorim?
Po do të restaurohen. Kjo, qoftë për estetikën e tyre, qoftë për ngarkesën historike që kanë. Më pas ato do të rivendosen në pozicionet origjinale, gjithmonë në kuadër të nismës së kthimit në identitet. Është diçka e jashtëzakonshme, mjaft e rrallë, sidomos në Shqipëri, që mobiljet origjinale të prodhuara për një ambjent të caktuar ti kesh akoma. Aktualisht në Shqipëri janë ruajtur vetëm ato në Pallatin e Brigadave. Por tani kemi edhe këto që u zbuluan në Kryeministri.
Kush i ka dizenjuar? Dihet cila është firma që i ka prodhuar?
Jo, për prodhimin s’kemi ende të dhëna, ende nuk janë analizuar por dihet, që një nga dizajnerët që kanë punuar për godinën e kryeministrisë ka qenë edhe Gio Ponti, i cili konsiderohet si babai i dizajnit modern në Europë. Ai ka dizenjuar gjithashtu edhe mobiljet e Hotel Dajtit, të cilat u shkatërruan pa mëshirë pikërisht në periudhën 2008-2009, kur u mbyll Hotel Dajti dhe u shkatërrua i gjithi. Në të vërtetë ky është një rast, që në Europë do të kishte bërë shumë bujë. Është e paimagjinueshme që mobiljet e Gio Pontit të shkatërrohen në këtë mënyrë.
Ku janë mbajtur gjithë koto vite mobiljet e Kryeministrisë?
Në një magazinë. Nëse i keni parë fototgrafitë duket qartë se në ç’gjendje të mjerueshme janë lënë.
Ku po restaurohet këto objekte, kush po i restauron?
Restaurimi po bëhet në një studio të specializuar. Kaq mund të themi tani për tani.
Pas restaurimi ku do të vendosen? Do të ketë prej tyre në zyrën e Ramës?
Jo jo nuk do të vihen në zyrën e Ramës. Ne kemi marrë projektet origjinale të godinës, që gjenden në Arkivin Qëndror të Ndërtimit dhe duke iu referuar atij projekti këto mobilje do ti vendosim në po ato pozicione që janë dizenjuar në atë kohë, pra sipas dizenjimit që ka bërë arkitekti i godinës së asaj kohe Gherardo Bosio.
(Në foto: Mobiljet e dizenjuara enkas për Kryeministrinë në vitin 1940 nga mjeshtri Gio Ponti, të cilat ishin lënë në mëshirë të fatit në magazina. Objektet po restaurohen dhe do të rikthehen në kryeministri)
KUSH ËSHTË DIZENJUEZI I KRYEMINISTRISË
Gio Ponti është arkitekt dhe dizajner i njohur në fushën e industrisë dhe imobilimit, i njohur si babai i dizajnit modern në Europë. Ai ka lindur me 18 nëntor 1891 në Milano dhe është diplomuar në degën e Arkitekturës në Universitetin Politeknik në Milano. Është autor i një sërë veprash të njohura në fushën e arkitekturës dhe dizajnit industrial. Në Shqipëri Gio Ponti është bashkëautor si dizenjues i ambjenteve të kryeministrisë dhe Hotel Dajtit. Është ndarë nga jeta me 16 shtator 1979.
Shkrimi u publikua sot (24.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)