Moderna: Të dhënat paraprake mbi dozat përforcuese, vaksina rezultate të mira ndaj variantit Omicron

Moderna: Të dhënat paraprake mbi dozat përforcuese, vaksina rezultate të mira ndaj variantit Omicron

Vaksina Moderna

Kompania farmaceutike Moderna njoftoi të hënën se doza përforcuese e vaksinës së saj kundër COVID-19-s duket se ofron mbrojtje kundër variantit Omicron që po përhapet me shpejtësi.

Moderna tha se provat laboratorike tregojnë se gjysma e dozës përforcuese e rrit me 37 herë nivelin e të ashtuquajturve antitrupa neutralizues, të aftë për të luftuar Omicron-in. Një dozë e plotë përforcuese ishte edhe më e fortë, duke shkaktuar një rritje me 83-fish në nivelet e antitrupave, edhe pse me një rritje të efekteve anësore të zakonshme, njoftoi kompania.

Për shumicën e dozave përforcuesve të vaksinës Moderna, po jepen injeksione me gjysmë dozë. Por për personat me sistem imunitar të dobët, rekomandohet një injeksion i tretë, me dozë të plotë.

Moderna i njoftoi të dhënat paraprake laboratorike në një deklaratë për shtyp. Ato nuk i janë nënshtruar ende një shqyrtimi shkencor. Por provat e kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, të publikuara javën e kaluar nga Dr. Anthony Fauci, dalin në një përfundim të ngjashëm.

Kompania Pfizer gjithashtu zbuloi se vaksina e saj kundër COVID-19-s nxit një rritje të ngjashme, të madhe, në nivelin e antitrupave që luftojnë Omicron-in. Vaksinat Pfizer dhe Moderna, të dyja të prodhuara me teknologjinë mRNA, përdoren nga shumë vende në mbarë botën për të luftuar koronavirusin.

Provat e kryera nga këto kompani mbështesin qasjen në rritje të autoriteteve shëndetësore që njerëzit të marrin dozat përforcuese.

Nivelet e antitrupave parashikojnë se sa efikase mund të jetë një vaksinë në parandalimin e infeksionit me koronavirus, por vaksinat janë vetëm një shtresë e mbrojtjes së sistemit imunitar. Studime të tjera sugjerojnë se vaksinat ende mund të sigurojnë një mbrojtje të mirë kundër formave të rënda të sëmundjes nëse njerëzit preken nga një infeksion i ri.

Si Moderna ashtu edhe Pfizer, po punojnë për të prodhuar doza që do t'i përshtateshin më mirë variantit Omicron, në rast se do të nevojiteshin./ VOA

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan