Moikom Zeqo: Shtëpia e Çabejt ka nevojë urgjente për restaurim

Moikom Zeqo: Shtëpia e Çabejt ka nevojë urgjente për restaurim

Shtëpia e Eqrem Çabejt

Harrohet shtëpia monumentale, ku ka lindur. Harrohen fjalët e bukura shqipe që na i mësoi. Por, kur kthejmë kokën pas, vetvetiu, vepra e Eqrem Çabejit e merr të gjithë shkëlqimin e merituar. Mjafton të shfletosh faqe të lexuara më parë apo të zbulosh vepra ende të panjohura të tij. Por këtë e dinë mirë vetëm studiuesit e pasionuar, gjuhëtarët.

Për shumë të tjerë, Eqrem Çabej edhe “mund të harrohet”, aq sa të mos kujdesen për ligjet e gjuhës shqipe. Ja pikërisht dje një bust i ngritur për nder të tij, para Akademisë së Shkencave, nga institucionet dhe mediat u lajmërua “u inagurua” në vend të fjalës shqipe “u përurua”.

Kjo duket një gjë e vogël, por fill pas kësaj mund harrohen edhe gjëra të mëdha. Studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo, në një intervistë për “Shqiptarja.com”, deklaron që shtëpia e Eqrem Çabejit e shpallur Monument Kulture është lënë në harresë.

Ky është 110-vjetori i lindjes së Eqrem Çabejit (1908-1980) dhe Moikom Zeqo apelon se duhej të shpallej edhe viti i tij. Vetë Zeqo po shkruan një libër për Çabejin. Ndërkohë ka shkuar edhe në Gjirokastër për ta parë me sytë e tij shtëpinë e gjuhëtarit të madh, i shpallur Monumenti Kulture. Zeqo pas këtij udhëtimi bën apel se “Shtëpia e Çabejit në Gjirokastër ka nevojë urgjente për restaurim”

Jemi këtu sot para një monumenti të sapongritur të Eqrem Çabejt që na kthen në retrospektivë për të kujtuar studiuesin e shquar të shqipes, gjuhëtarin e madh. Nëse do të kthehemi pas në kohë, cilën cilësi do t’i kujtoje të parën, gjuhëtarit, mësuesit, por edhe mikut tuaj Eqrem Çabej, të cilin keni pasur fatin ta njihni nga afër?

-Duhet të vë në spikamë, një gjë që çuditërisht nuk e kanë përmendur, as Akademia e Shkencave që duhet ta përmendte, e duhet ta bënte subjekt të krejt vitit 2018. Fakti që ky vit është 110 -vjetori i lindjes së Çabejit dhe nuk është pak. Unë prej vitesh kam mbledhur të dhëna e kam shkruar shumë shkrime për këtë unë po bëj një libër sinteze kushtuar Eqrem Çabejit, të cilin kam pasur ta njoh nga afër dhe të kem biseduar me të dhe kam mundur të kem edhe letërkëmbime me të, që do t’i shtrojë në këtë libër, lidhur me shumë probleme, ndoshta në pafundësi të gjuhësisë shqiptare.

Eqrem Çabej është dijetari më i madh i të gjitha kohërave. Asnjë dijetar shqiptar nuk ka atributet e tij, të njihet si themelues i shkollës shkencore të gjuhësisë shqiptare. Para Eqrem Çabejit kemi disa emra të shquar. Do të përmendja këtu Konstandin Kristoforidhin si përkthyes por që kishte nj dije të veçantë linguistike si përkthyes sepse bëri fjalorin shqip-greqisht. Kemi Aleksandër Xhuvanin, por puna titanike që bëri Eqrem Çabej është e pakrahasueshme. Kjo shkollë shqiptare e gjuhësisë bëri shkencëzimin e gjuhësisë shqiptare, duke kaluar nga faza parashkencore në atë shkencore. 

Njëkohësisht theu edhe një tabu, sepse para Eqrem Çabejit, përgjithësisht, gjuhëtarët më të mëdhenj për gjuhën shqipe ishin të huaj, po përmend këtu Lajbnicin, Petersenin, Gustav Majer e Joklin, mbi të cilët u bazua pastaj Eqrem Çabej, por rezultatet e tij janë thelbësisht më të shkencore dhe më të mëdha, më esenciale. Eqrem Çabej përfaqëson gjuhëtarin shkencor të shkencës madhore që është gjuhësia indo-europiane me Franc Bopin, e të tjerë, por rezultatet e tij janë më thelbësore, pavarësisht se nuk cilëson nëse në këtë familje gjuha shqipe është satem apo kentum, e lindjes apo perëndimit si gjuhë indo-europiane. Por Eqrem Çabej në formimin e tij teorik ka dhe gjuhësinë, ose ndryshimet që sjell shkolla e gramatikanëve të rinj, por ka edhe referenca nga shkolla strukturaliste e Ferdinand de Sosyr. Puna e Eqrem Çabej është puna e bërë me substanca. Domethënë ai nuk është marrë thjesht me teorinë abstrakte, por është marrë me analizën konkrete të gjuhës.

Për çfarë e kini fjalën më konkretisht, ju lutem?

-Janë dy botime, dy kryevepra të tij të pashembullta. Është vepra e parë e gjuhës shqipe, e përfunduar që në vitin 1956. Është botimi i Gjon Buzukut në Vitin 1555,  përpunuar në vitin , që i bëri transkriptimin, transliterimin dhe studimin. Dhe  studimit i Çabejit është një kryevepër, sepse është kryevepra e një modeli sesi bëhet studimi i mirëfilltë shkencor i gjuhës. Kontributi i dytë i madh i tij është fjalori me shtatë vëllime i Etimologjisë së Gjuhës Shqipe, ku ai bënë historinë e fjalëve të gjuhës shqipe, prejardhjes, lidhjes me gjuhët e tjera, dhe ky është një kontribut i madh edhe për atë që quhet gjuhësia ballkanike dhe indo-europiane.

Ju po shkruani një libër për Çabejin, cilat  janë të pathënat që do të përqasen në librin tuaj?

-Nuk besoj se do të them shumë gjëra të pathëna , më shumë se ato që njihen, por që nuk janë artikuluar siç duhet. Së pari, pse ky është themeluesi i një shkolle shkencore të gjuhësisë, dhe pse Çabej është i pakrahasueshëm edhe për gjuhëtarët që vijnë më pas. Sot nuk ka asnjë gjuhëtar, ndonjë dishepull të gjuhës që të krahasohem me Eqrem Çabejin. Mendoj se kjo ka një arsye, jo vetëm të kulturës së tij të madhe, të formimit të tij shkencor, por ai  ka një talent të madh, jo vetëm si gjuhëtar, por talent edhe si shkencëtar. Qenia e tij i percepton gjërat në mënyrë shumë sinkretike, shumë të jashtëzakonshme. Ai ka sensin e e historisë e të së vërtetës. Në veprën tij nuk ka ndikime të folklorit nacionalist,që për hir të këtij folklori nacionalist ne të deformojmë të vërtetën e shkencës. Pjesa tjetër që do të thosha është se, ky njeri kishte një aftësi të madhe të njihte,  jo vetëm gjuhësinë, ai ka njohuri multifunksionale.

Ai shkruan edhe për folkloristikën, e njeh shumë mirë. Shkruan për mitologjinë ilire-shqiptare, shkruan për elementë të veçantë, jo vetëm që lidhen me kulturën popullore, por edhe me kulturën e kultivuar. Është një nga njohësit e mëdhenj, të asaj që ai vetë e quan një rilindje të letërsisë, që është kultura letrare e arbëreshëve, që e ka studiuar për Disertacionin e tij që ka mbrojtur në Vjenë, e nuk është i përkthyer në gjuhën shqipe.  Kam idenë, ose më saktë jam i informuar që e ka përkthyer Ardian Klosi dhe pritet ndoshta të dalë në botim në shqip.   Do të shkruaj edhe për diçka tjetër që është lënë krejtësisht në hije, sepse ai fillimet e tij i ka si shkrimtarë. Në librin tim që kam botuar për Lasgushin vjet nga korrespodencat mes Çabejit dhe Lasgush Poradecit, kuptojmë se sa lidhje kishte ai me letërsinë, Çabej ka bërë dy ese për Poradecin, dhe ka qenë vetëm 21 vjeç, por që atëherë tregohen ndjesitë e  holla për konceptimin estetik dhe kritikën letrare.

E dyta ese, më e bukura, është eseja me rastin e vdekjes së Fan Nolit që ai e adhuronte. Çabej ka kontribut edhe si përkthyes, megjithëse përkthimit nuk i kushtoi kohë shumë të madhe, por ai ka përkthyer letërsi për fëmijë dhe poezi nga poetët italianë e gjermanë.

Çfarë pritshmërie tjetër do të kishit ju për të kujtuar këtë 110-vjetor të Eqrem  Çabejit, pas ngritjes së bustit para Akademisë së Shkencave?

-Eqrem Çabej ka lindur para 110 vjetësh dhe shtëpia e Çabejit në Gjirokastër është akoma edhe sot në këmbë. Aty ka një stemë. Është me stemë ajo shtëpi. Unë në vitin 1991, kur isha ministër kulture, krahas shtëpisë së Lasgush Poradecit, të Gjergj Fishtës dhe të Ismail Kadaresë, me vura si Monument Kulture dhe shtëpinë Eqrem Çabejit. Më vjen mirë që u restaurua shtëpia e Kadaresë, por duhet në mënyrë urgjente të restaurohet edhe shtëpia e Eqrem Çabejit, për shkak të monumentalitetit që ka ndërtesa, dhe për atë që përfaqëson Çabej. Unë prisja që ajo të restaurohet. Edhe shkova tani vetë dhe e pashë. Ka nevojë urgjente për restaurim. Figura si Çabej janë figurat më të epërme të kombit tonë. Ato janë figura si Buzuku, Pjetër Bogdani, De Rada, pra ai renditet në nivelin më të lartë të mundshëm të atyre që vunë themelet e gjuhësisë dhe kulturës shqiptare.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja