Moisiu: S’do kisha lejuar 21 janarin
Presidenti? Duhet jashtë politikës

Moisiu: S’do kisha lejuar 21 janarin<br />Presidenti? Duhet jashtë politikës
TIRANË - Ish- presidenti Alfred Moisiu, në një intervistë në emisionin e Adi Krastës në Vizion Plus, "A SHOW" ka deklaruar se ai nuk do kishte lejuar të ndodhte 21 janari nëse do ishte president. “Çdo ngjarje ka një prelud, ka zhvillimin, ka edhe post zhvillimin. Unë mendoj që nuk do të kisha lejuar që situata të shkonte deri në atë farë feje,” tha Moisiu.
Sa i takon përzgjedhjes së presidentit të ri, ai sugjeron që kandidatura që do të përzgjidhet duhet të jetë jashtë politikës.

INTERVISTA E PLOTË

Cili mendoni ju është skenari më i keq i mundshëm i zgjedhjes së Presidentit të ri të Shqipërisë?
Për mua Presidenti i Shqipërisë nuk duhet të zgjidhet nga asnjë forcë politike dhe do të ishte shumë mirë të ishte jashtë forcave politike ose nga ndonjë parti e vogël që nuk ka patur ndonjë rol të veçantë në politikën shqiptare dhe për fat të keq ne jemi larg fqinjëve tanë. Më kujtohet kur u zgjodh Presidenti Papulias e propozoi Karabandis, pala kundërshtare që ishte në pushtet në atë kohë, dhe vërtetë pala tjetër sigurisht që i kishte njerëzit e saj dhe e zgjodhi. Pra, e kisha fjalën këtu që Presidenti është një njeri që duhet të vërë interesat e vendit, të popullit, të shtetit mbi çdo gjë.

Ju personalisht në qoftë se i keni dhënë ndonjëherë ndonjë këshillë cila ka qënë këshilla juaj më direkte për Presidentin Topi?
Sigurisht që unë e kam takuar Presidentin Topi, në rradhë të parë qëllimi i këtij takimi ka qënë mbështetja e presidentit e institucionit të presidentit dhe kanë qënë dhe situata të tilla që vërtetë ka patur kuptim takimi im me Presidentin Topi, dhe sigurisht sipas rastit kam dhënë dhe unë mendimet e mia.

Shqipëria do të duhet të kishte një President të fortë apo në kushtetutën e Shqipërisë dhe me fuqitë që kanë Kryeministri apo hallka të tjera nuk ka nevojë të jetë kështu?
Unë mendojë që Presidenti duhet të jetë i tillë që të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet, sepse Kushtetuta krijon hapësira të mëdha dhe të shumta për të zbatuar detyrën. Por çuditërisht dëgjoj këtu tek neve disa politikanë që thonë që presidenti është njeri ceremonial, nuk është njëshi. Ca gjëra, ca shpikje, unë do t'i quaj shpikje, po shpikje monstruoze, në kuptimin e kësaj për të ulur figurën e presidentit. Presidenti është, ne shqiptarët kemi tradita, i pari i konakut dhe familjet tona tradicionale që kanë qënë dikur, ishin me shtatë a tetë anëtarë zgjidhej një, ishte në krye pavarësisht nuk zgjidhej nga mosha ose nga rradha, por ai që ishte më i aftë për të drejtuar ekonominë se ishte puna se do ushqeheshin njerëzit. Në këtë rast ai vlerësohej, respektohej nga të gjithë. Edhe, ne kemi edhe një fjalë tjetër, se unë i kam qejf këto fjalët popullore, se për mua përfaqësojnë filozofinë e popullit tonë, po e vure mos i rruaj mjekrën, kështu nuk shkon kjo punë.

Z.Moisiu, President Moisiu në qoftë se ju do të kishit qënë President i Shqipërisë më datën 21 Janar, çfarë do të kishit bërë?
Kjo është një pyetje shumë hipotetike. Çdo ngjarje ka një preludë, ka zhvillimin, ka dhe post zhvillimin. Unë mendoj që nuk do të kisha lejuar që situata të kishte shkuar deri në atë farë feje.

Domethënë, ju do të kishit marrë, do të kishit patur veprimtari presidenciale para ngjarjes?
Unë po të them një rast konkret në rast se ju kujtohet në 2004 opozita e asaj kohe që sot është mazhoranca kishte planifikuar një manifestim të madh me devizën "Nano Ik", më 20 shkurt të 2004. Dhe, 2 ditë përpara unë kam thirrur përfaqësuesit e opozitës së asaj kohe dhe kam biseduar me ta që më thoni cili është programi juaj? Si do ta zhvilloni ju këtë manifestim? Dhe, i dhashë porosi si Kryetar i Shtetit sigurisht, në emër të ruajtjes së unitetit të popullit, në emër të mbrojtjes së shtetit, në emër të së ardhmes së këtij vendi që çdo gjë duhej bërë me masë.

Z. Moisiu ju do të kishit bërë një të folur publike në datë 21 Janar apo do ta konsideronit jo si një detyrë kushtetuese?
Unë do të kisha bërë çmos që ajo situatë të mos krijohej, edhe…

…në një situatë kur ajo krijohet?
Unë për këtë e solla shembullin e 2004-s…

Domethënë që mund të merren masa në mos për ta parandaluar totalisht për ta kontrolluar?
Sigurisht. Më kujtohet një ditë përpara, treshja e ambasadorëve, dihet që është Ambasadori i Bashkimit Europian, Ambasadori i SHBA, dhe Ambasadori i shtetit që kishte rradhën e kryesimit të Bashkimit Europian, kërkuan takim me mua, dhe i thashë çdo gjë do shkojë në rregull unë jam këtu, në këtë zyrë ku më shikoni këtu do me keni nesër nga fillimi deri ne fund.

Dua të flas tani për situatën e re që ështe krijuar në Ballkan. Keni ju një ndjesi, dhe kjo është e drejtpërdrejtë për ju si një ish-president dhe si një personalitet i këtij vendi, që shteti shqiptar është një shtet I dobët që reagon pak, reagon vonë, nuk reagon ashtu siç duhet dhe nuk e tregon asnjëherë prezencën e tij apo ky është një perceptim I gabuar I imi?
Unë jam shprehur edhe publikisht edhe herë të tjera. Ne kemi 100 vjet shtet dhe ende shtetin nuk e kemi ashtu siç duhet, ashtu siç kërkohet. Dhe, unë them që ne kemi lëshuar shumë. Unë kam qënë, ju e dini, në vitin 1992, Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë Teknike, më vonë Këshilltar dhe Zv/Ministër në Ministrinë e Mbrojtjes deri në vitin 1997. Unë mund të them që ne kemi ecur në atë kohë shumë mirë përsa i përket problemeve të integrimit në NATO dhe integrimit ne BE. Dhe integrimi jonë në NATO do ishte bërë me kohë mos kishte qënë 1997, dhe për fat të keq ky vit e dëmtoi shumë, jo vetëm ekonominë dhe prestigjin e vendit tonë, por dëmtoi edhe të gjithë hallkat e shtetit. Po të marrësh Policinë e Shtetit, unë kam qënë kundra dhe jam kundra për mënyrën sesi emërohet hierarkia e Policisë së Shtetit, sepse te ne dhe një ministër kur vjen edhe ai bën ndryshime jo më kur ndryshohet qeveria, dhe kam thënë që pikërisht kuadrot kryesorë të Policisë së Shtetit janë mirë të dekretohen nga Presidenti i Republikës, sepse janë më të mbrojtur.

Në këtë moshë që keni jeni ne paqe me vehten apo keni diçka që do të kishit dashur ta ndryshonit fort, fjala vjen mund të ishit bërë prapë President i Shqipërisë?
Është shumë pyetje provokues. Por unë gjatë kohës që kam qënë në krye të shtetit kam punuar për Shqipërinë, për shqiptarët, për shtetin shqiptar dhe nuk kam menduar për veten, sepse unë gjykoj kështu që nënpunësi i shtetit që nga i vogli duhet të punojë për shtetin dhe shteti duhet të mendojë për ta.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë