Policia ka arrestuar 4 militantë të Sali Berishës, pas protestës së dhunshme të organizuar mbrëmjen e djeshme nga Partia Demokratike.
Ndërkohë Policia dorëzoi materialet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) edhe për deputetin Klevis Balliu, i cili dyshohet se ka shkelur ligjin “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Menjëherë pas protestës së mbrëmjes së djeshme, Policia shoqëroi në Komisariat mbi 10 persona, pas dyshimeve se ishin të përfshirë në akte dhune.
Në protestën e 28 shkurtit mbizotëroi kaosi dhe dhuna, ku militantët e Berishës sulmuan me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha (brenda së cilës ndodheshin 7 artistë dhe disa pjesëtarë të stafit), bizneset private dhe koshat e mbeturinave.
Po ashtu pati edhe përplasje mes militantëve dhe Policisë, përkatësisht përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në zonën e ish-Bllokut, ku efektivët u goditën me gurë dhe sende të forta.
Në protestën e djeshme, ndryshe nga tubimet e organizuara herë të tjera, nuk kishte fjalime politike në podium, por u zhvillua një marshim në zona të ndryshme të Tiranës dhe në një moment kur po mendohej se gjithçka po shkonte më qetë se herët e kaluara, militantët e Berishës zbrazën breshëri molotovësh e fishekzjarresh te vila e Enver Hoxhës.
Kujtojmë se protestat fundit të organizuara nga Berisha janë kthyer në një rutinë ku përdoret dhunë dhe goditen me molotovë dhe sende të forta efektivët e Policisë, por edhe institucionet dhe prona private.
Komente









Sot u arrestuan 4 bandit! Nesĕr bandat e togave tĕ zeza tĕ kapura nga terroristi, krimineli Berisha I liron pĕrsĕri siq boni me protestations tĕ therapy.
Përgjigju