Avokati Rezart Kthupi është shprehur se gjatë protestës së sotme të PD-së janë konsumuar disa vepra penale.

Komentet Kthupi i bëri në emisionin ‘RePolitix’ në Report TV, ku tha se jemi në kufijtë e ‘goditjes për shkak të detyrës’ të efektivëve të policisë.

Ai shtoi se para proteste diskutohej se kishte disa kamera me rezolucion të lartë të vendosura në vende të caktuara, të cilat sipas Kthupit, do të bëjnë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Teksa foli për hedhjen e molotovëve, Kthupi tha se duke qenë se përdoret për taktika ushtarake, molotovi njihet botërisht si armë që ka sfond luftarak.

“Jemi në kufijtë e goditjes për shkak të detyrës. Nëse goditet një oficer i forcave të rendit, një anëtar i forcave të rendit, është një person që është në detyrë dhe është goditje për shkak të detyrës. Pastaj do hyjmë të diskutojmë nëse molotovi do të konsiderohet si armë luftarake. Edhe fishekzjarrët nuk lejohen të shiten në Shqipëri. Hipotetikisht molotovi është armë. Përsa kohë që është përdorur në taktika luftarake, njihet botërisht si një armë që ka sfond luftarak.

Minimalisht ka disa vepra penale dhe për sa kohë që shkon një grup i kriminalistikës, tregon që vullneti për të hetuar është. Para se të niste protesta, diskutohej që kishte kamera me rezolucion të lartë. Pamjet filmike do të jenë të rëndësishme për të treguar se kush hodhi molotov. Jemi në kushtet kur vepra penale është konsumuar. Tani duhet gjetur kush është autori i veprës penale”, tha mes të tjerash Kthupi.


Lajmi kryesor:

Protesta e PD/ Meçe: Sot Berisha donte vrasje të policëve! Avokati: Dy tubimet e fundit paralajmërojnë se në 20 shkurt do të ketë nivel të lartë dhune