Në një kohë kur tregu është i mbushur me këpucë të importuara, Kreshnik Cena ka zgjedhur t'i krijojë ato me dorë. Që prej moshës 19 vjeçare e deri më sot, ushtron këtë zanat sa të veçantë, po aq të vështirë.
"Të realizosh këpucë çdo ditë është art më vete që do përkushtim dhe dëshirë për të punuar", tregon këpucari teksa në duar mban lëkurën për punimin e radhës.
"Lëkurën origjinale nuk e dëmton zjarri", thotë mjeshtri nga Kukësi. Në këtë qytet mori zanatin ndërsa prej vitesh aktivitetin e ka përqëndruar në Tiranë.
"Realizimi i këpucëve kërkon shumë kohë: nga prerja, qepja, montimi. Kur punon për vete është shumë më mirë, por edhe përgjegjësitë janë më të mëdhaja. Tani i është kthyer vëmendja punëve artizanale sepse e shohin që janë mall më i mirë, punë më e mirë.
Ato që vijnë nga jashtë nuk kanë cilësinë e duhur. Në Shqipëri vijnë firmat e shtrenjta, por cilësia është dora e dytë ose e tretë. Ka një pjesë që investon tek firmat, tek dukja. Është një kategori tjetër që do vetëm t'i rrijë këmba rehat dhe nuk e ka problem markën, duan gjëra cilësore dhe me çmim të arsyeshëm.", shpjegon ai.
Ka zgjedhur të jetojë në Shqipëri dhe t'ia trashëgojë fëmijëve punën e ngritur me shumë mund.
"Një zanat t'a bën jetën të begatë. I është rritur vlera punëve artizanale, nuk janë të ardhurat si dikur që ishin sa për të kaluar muajin. Sfidë për mua është vetëm mungesa e stafit. Deri në fund të jetës do punoj si këpucar. Do ua lë trashëgim dhe fëmijëve të mi që tani janë 14 vjeç. Besoj do t'a trashëgojnë gjatë emrin e kësaj punëtorie.”, përrfundon Kreshniku.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente












