Banorët në kompleksin “Kadiu” të biznesmenit Fatmir Bektashi në zonën e “Ali Demit” janë tmerruar mbrëmjen e së dielës për shkak të një zjarri që ka rënë në një prej pallateve.
Dyshohet se flakët mund të kenë nisur nga një shkëndijë elektrike që ka përfshirë kabinën e automateve elektrike. Ambientet e pallatit janë mbushur me tym duke vënë në rrezik jetën e banorëve, të cilët pas aktivizimit të alarmit, kanë dalë me nxitim dhe të frikësuar.
Në pamje, shihet teksa shërbimet zjarrfikëse evakuojnë banorët. Nuk raportohet për të lënduar. Fatmirësisht, zjarrfikësit kanë arritur të neutralizojnë flakët, ndërsa ende nuk ka një informacion zyrtar mbi dëmet e shkaktuara.
Fatmir Bektashi është ortak i Jamarbër Malltezit, të dy të pandehur për dosjen e aferës 'Partizani'.
Njoftimi i policisë:
-Rreth orës 22:45, në rrugën “Pasho Hysa”, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kabinën elektrike të një kompleksi pallatesh. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit.
Ngjarja në pallatin e kompleksit “Kadiu” vjen vetëm një muaj pas zjarrit te “Arlis” përballë QSUT që shkrumboi gjithë pallatin duke rrezikuar dhjetëra banorë, ndërsa një pjesë prej tyre përfunduan në spital.
Komente









