Monedha evropiane e mbylli muajin qershor më e dobët se kurrë në raport me lekun. Referuar kursit të Bankës së Shqipërisë 1 euro u këmbye këtë të martë me mesatarisht 94.1 lekë, ose gati 4 lekë më pak se 30 qershori i vitit të kaluar.
Në rënie edhe pse më të lehtë është edhe dollari, i cili po këmbehet mesatarisht 82.64 lekë rreth 1% më pak se në 2025-ën.
Institucionet thonë se rënia ka ardhur si rezultat i hyrjeve të larta valutore nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja, dhe se ky forcim i lekut ka ndikuar pozitivisht në mbajtjen e inflacionit në kontroll. Por e kundërta ka ndodhur me të ardhurat, pasi gjatë 2025-ën humbja në të ardhura si rezultat i zhvlerësimit të valutave ishte afro 100 milionë euro.
Nga ana tjetër për të stabilizuar kursin, dhe për të frenuar një zhvlerësim edhe më të fortë, Banka e Shqipërisë po ndërhyn në treg me blerje valute.
Rezerva valutore ka arritur në shifrën rekord prej 7 miliardë e 669 milionë euro, nga 6 miliardë e 780 milionë euro në maj të vitit të kaluar. Pra brenda një viti është shtuar me 889 milionë euro.
Pavarësisht ndërhyrjeve gjasat janë që zhvlerësimi i euros të mos ndalë, pasi me afrimin e sezonit turistik, pritet që presionet mbi kursin të vijojnë, duke mbajtur euron në nivele të ulëta historike edhe në muajt në vijim.
Ndërsa Kuvendi i rekomandon Bankës së Shqipërisë të ndërhyjë në tregun valutor vetëm në rastet kur këto ndërhyrje konsiderohen të nevojshme për rritjen e rezervës valutore, për funksionimin normal të tregut valutor, ose për ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit.
Komente










