Shkollat në Tiranë do të jenë ndër të parat që do të monitorohen me kamera inteligjente, në kuadër të projektit “Smart City”. Ministria e brendshme ka përzgjedhur 20 shkollat e para, 9-vjeçare dhe gjimnaze, të cilat do të jenë në vëzhgim të vazhdueshëm. Por nuk janë vetëm shkollat. Nga trafiku apo ngjarjet kriminale në rrugët e vendit, gjithçka do të jetë nën vëzhgimin e 5 mijë kamerave që do të instalohen në 20 qytetet më të mëdha. Por çfarë mendojnë qytetarët për projektin ‘smart city’?

“Krimin do e parandalojë se kur e dinë që janë të monitoruar nuk kanë lehtësi të kryejnë veprat. Duhet! Është siguri” thotë një qytetar për Report TV.

“Normal që duhet sepse ka krime, lloj lloj ngjarjesh” thotë një tjetër.

"Nuk ndodhin krimet siç ndodhin. Domethënë, po të bëhet është e mirë. Kudo nëpër shkolla, nëpër rrugë”, shprehet një tjetër qytetar.

Ministria e Brendshme tashmë i ka përzgjedhur 20 shkolla në kryeqytet që do të pajisen me kamera inteligjente dhe teknologji të avancuar, me synim rritjen e sigurisë.

Mes 11 shkollave 9-vjeçare të përzgjedhura, ndër më të njohurat në Tiranë janë “Fan Noli”, “Kongresi i Manastirit” apo “Jeronim De Rada” e “Avni Rustemi”.

Ndërsa në arsimin e mesëm përfshihen 9 gjimnaze, nga ato më të njohur si  “Petro Nini Luarasi” apo “Qemal Stafa” e deri te shkolla profesionale në Kamëz/

Për qytetarët, vendosja e kamerave në institucionet arsimore është një hap i domosdoshëm, sidomos në një kohë kur dhuna mes nxënësve raportohet në rritje.

“Patjetër që duhet të ketë. Fëmijët janë adoleshentë, kanë nevojë për t'i ruajtur, jo për të privatësi të madhe” thotë një qytetar.

 

“Po nxënësit shkolla po çajnë njëri-tjetrin me thika. U bën disa raste edhe këtu në Tiranë. Kështu që është gjë e mirë” thotë një tjetër.

 

“Është shumë mirë për shkollat. Edhe prindi ka sigurinë e vetë. Edhe vetë nxënësi ka siguri” shprehet një qytetar për Report TV.

Megjithatë, nuk mungojnë edhe skeptikët për këtë nismë.

“Më duket me humor kështu. Po brenda nëpër klasë,  është një mësues atje që varet nga aftësia e mësues për mendimin tim" thotë një prej tyre.

Ministria e Brendshme ka përcaktuar gjithashtu edhe numrin e kamerave për çdo institucion arsimor. Ky numër pritet të variojë nga 11 deri 31 kamera.

Në total, në kuadër të “Smart City” do të instalohen mbi 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete të Shqipërisë, të pajisura me sisteme të inteligjencës artificiale. Paralelisht, do të vendosen edhe 3 mijë kamera trupi në uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit, si dhe radarë inteligjentë e censorë për matjen e zhurmës në arteriet kryesore të vendit.

Shkollat ku do të zbatohet projekti Smart City

1. 9-vjeçare “Fan Noli”                                     11 kamera       1125 nxënës
2. E mesme Teknike-Ekonomike                      19 kamera         600 nxënës
3. 9-vjeçare “Marie Logoreci”                          12 kamera         478 nxënës
4. E mesme “Aleks Buda”                                 20 kamera        700 nxënës
5. 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit”                    20 kamera       1460 nxënës
6. E mesme profesionale Kamëz                       17 kamera        1540 nxënës
7  9-vjeçare “Ramazan Jarani”                         17 kamera          478 nxënës
8. E mesme profesionale “Karl Gega”              30 kamera         857 nxënës
9. E mesme “Ibrahim Rugova”                         23 kamera        1116 nxënës
10. E mesme “Isa Boletini”                              22 kamera           410 nxënës
11. E mesme “Qemal Stafa”                             31 kamera         1300 nxënës
12. 9-vjeçare “Ahmet Gashi”                           14 kamera            893 nxënës
13. 9-vjeçare “Gjon Buzuku”                           17 kamera           870 nxënës
14. E mesme “Partizani”                                   12 kamera          582 nxënës
15. 9-vjeçare “Bajram Curri”                            22 kamera          482 nxënës
16. 9-vjeçare “Avni Rustemi”                           24 kamera          752 nxënës
17. 9-vjeçare “Jeronim De Rada”                     13 kamera           710 nxënës
18. 9-vjeçare “Vaçe Zela”                                 15 kamera            502 nxënës
19. E mesme “Petro Nini Luarasi”                    19 kamera           1022 nxënës
20. 9-vjeçare “Hoxha Tahsin”                           17 kamera            635 nxënës