Monumentet, Ceka kundër Forumit
“Të korruptuar e jashtë profesioneve”

Monumentet, Ceka kundër Forumit<br />“Të korruptuar e jashtë profesioneve”
TIRANË - Neritan Ceka, këshilltari i kryeministrit për Trashëgiminë Kulturore, ka reaguar dje, ndaj pesë specialistëve e përfaqësuesve të Forumit për mbrojtjen e Monumenteve. Artan lame, Gjerak Karaiskaj, Lorenc Bejko, Mustafa Nano e Iris Pojani
parashtuar shqetësimet e tyre të hënën, në një seancë dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik lidhur me iniciativën e fundit të rijetëzimit të monumenteve, nismë e cilësuar si privatizim i monumenteve.
Ceka e quajti absurde këtë seancë dëgjimore, duke i cilësuar 5 anëtarët e Forumit, si individë që vetëm specialistë të fushës nuk janë. Në këtë intervistë për Shqiptarja.com, Ceka flet për çështje nevralgjike të debatit të çelur këto ditë, ka zbuluar disa mëkate të drejtuesve paraardhës të monumenteve dhe ka ofruar sipas tij zgjidhjen ideale për monumentet në këtë pikë degradimi të tyre.

Debati mbi privatizimin e monumenteve u zhvendos dje në Kuvendin e Shqipërisë, ku u zhvillua një seancë dëgjimore, e kërkuar nga përfaqësues të Forumit të Monumenteve, për problematikat e kësaj nisme që kanë gjeneruar edhe debat publik. Si e shihni ju këtë reagim?
Mendoj se organizimi i një seance të tillë dëgjimi nuk është në nivelin e parlamentit. Nuk tregon seriozitet në radhë të parë të atyre që e organizojnë, sidomos kur në media jepet lajmi që komisioni ka pyetur ekspertë. Unë do të pyesja komisionin se ku u bazuan për të konsideruar ekspert Artan Lamen që është inxhinier minierash dhe koleksionist. Pra nuk ka asnjë kompetencë, asnjë njohuri mbi monumentet e kulturës.
Nuk ka shkruar kurrë asnjë studim, s’ka bërë kurrë ndonjë restaurim dhe nuk është marrë asnjëherë as me vlerësimin dhe as me punën direkt me monumentet e kulturës. Natyrisht ka qenë një nëpunës i Ministrisë së Kulturës për arsye krejt të tjera nga ato profesionale, por kjo nuk i jep dot titullin e ekspertit.
Së dyti Lorenc Bejko është një prehistorian, i takon një periudhe kur s’ka pasur monumente. Sot s’bëhet fjalë për të dhënë objekte prehistorike me qira por bëhet fjalë për monumente që i takojnë periudhës antike apo mesjetare.
I treti është Gjerak Karaiskaj që ka njohuri vetëm mbi kështjellat. Pra nuk ka njohuri për tërë gamën e monumenteve. Natyrisht është profesor, ka qenë drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, por kjo nuk e bën ekspert mbi të gjithë temat që diskutohen.
Veç kësaj, këta persona janë në konflikt të hapur me vetveten. Ka qenë vetë Gjerak Karaiskaj që ka bërë projektin e dhënies me qira të kalasë së Petrelës. Ai është autori i asaj kullës që duket nga të gjithë anët, mbi kalanë e Petrelës, për të cilën ka pasur shumë diskutime. Prandaj nuk është e hijshme që të bëjë sot rolin e të penduarit.
Veç kësaj Lorenc Bejko është i vetmi arkeolog që ka privatizuar një objekt që e ka gërmuar po ai vetë, në Tumën e Kamenicës para disa vjetësh. Ai ka blerë tokën rreth tumës dhe ka privatizuar monumentin dhe e ka kthyer në një muze privat. Nisur nga kjo nuk e kuptoj se me çfarë morali tani kundërshton jo privatizimin e monumenteve por privatizimin e disa aktiviteteve në territoret e monumenteve të kulturës.
Këtë do e thoja edhe për disa persona të tjerë, që dalin kundër një politike më fleksibël në menaxhimin e monumenteve të kulturës, me argumente foshnjore, siç janë “Shqipëria s’është ende e përgatitur për një bashkëpunim shtet privat në fushën e monumenteve, që përvoja e deri tanishme e menaxhimit të këtyre objekteve nga privatët ka qenë jo e mirë, etj. Por këto janë gjëra që me eksperiencën e tanishme nuk provohen.
Përkundrazi mendoj që dy përvojat, rasti i Petrelës por edhe i Lëkursit, të dhëna në kohën kur ata kanë qenë në krye të monumenteve, kanë qenë dy përvoja pozitive ku monumentet kanë përfituar, janë vlerësuar, janë vizituar më shumë, pra nuk janë shkatërruar më tej siç ka ndodhur me një varg kalash si ajo e Kaninës, e Borshit, apo e Lezhës, të cilat kanë pësuar një varg dëmtimesh të rënda këto 10 vitet e fundit.
Pra përshtypja ime është se kemi më tepër një kontestim të natyrës politike të një grupi që ka qenë dikur i punësuar në qeverisjen socialiste, e tani është kundra të njëjtave gjëra por vetëm se po bëhen nga një qeverisje e një partie tjetër.

Në rastin e Kalasë së Lezhës kontestimet më të mëdha janë për faktin se do të bëhen ndërtime mbi një zonë, e cila është ende e pagërmuar dhe e pastudiuar... Sa qëndron ky argument?
Kjo nuk qëndron aspak sepse pjesa që do të rindërtohet është një pjesë e gërmadhave që ka qenë shtëpi banimi brenda kalasë deri në vitin 1912, kur u dogjën nga serbët gjatë rrethimit të Shkodrës. Janë gjithsej 600 metra katrorë, ndërkohë që gjithsej sipërfaqja brenda kalasë është rreth 12 mijë metra katror. Së dyti është në pjesë shkëmbore, ku nuk ka shtresë shkëmbore. Dhe së treti do ti pyesja zotërinjtë, nëse shtëpitë nuk do të ishin djegur nga serbët, por do të ishin ende të banuara siç janë në Berat p.sh. a do të kishte të drejtë banori i kësaj shtëpie ta përdorte banesën e tij si një hotel siç ndodh në Gjirokastër apo Berat, ku ne po i inkurajojmë banorët që t’i përdorin banesat e tyre për qëllime turistike. Pra argumente të tilla nuk kanë vlerë, nuk i përshtaten realitetit dhe krijojnë një tymnajë të gënjeshtër.

Problemi tjetër që u ngrit dje në këtë seancë dëgjimore ishte fakti se në të gjithë Evropën monumentet jepen me qera, por nuk bëhet fjalë për monumente që janë të një rëndësie të veçantë si kalatë...
Këto janë argumente të tipit “Shoku Zylo”, që me emfazë çdo gjë e shenjtëron. Edhe gjermanët kanë traditat e tyre, edhe austriakët, francezët etj...nuk janë vetëm shqiptarët që kërkojnë rrënjët e identitetit të tyre. Së dyti çdo rast duhet marrë si rast i veçantë. Do të ketë një trajtim të veçantë, do të ketë projekt më vete. Për rastin e Lezhës, që është më e diskutueshmja, mendoj se është modeli më i mirë i bashkëpunimit shtet-privat sepse përmban këto gjëra: së pari ndërhyn vetëm mbi rrënoja që kanë qenë të banuara deri në 1912, nuk ndërhyhet jashtë këtij territori dhe rijetëzohet jo vetëm kalaja por i gjithë territori i parkut arkeologjik. Kjo është pjesë e një strategjie që kemi lidhur me kalanë e Lezhës, kemi çuar deri në kala rrugën e asfaltuar dhe do të inaugurohet në ditën e Kuvendit të Lezhës. Kjo është pjesë e një përfshirje e gjithë kësaj zone turizmin kulturor duke mënjanuar edhe presionin ndërtimeve pa leje që i është afruar shumë kalasë. E nga ana tjetër nxit aktivitete të shumta të banorëve të Lezhës në këtë drejtim. Jo vetëm një restorant i thjeshtë pa kuzhinë të nxehtë siç është parashikuar, por edhe një muze etnografik e arkeologjik aty ku ka qenë më parë xhamia. Po ashtu projekti përfshin edhe restaurimin e mureve të Kalasë, të cilat po bien bllok pas blloku. Pas këtij kompleksi që ngrihet, duke u bazuar edhe në fotot e vitit 1913, gjendet një pjesë e murit që është rrëzuar, e që s’mund ta ringremë më, por gjendet edhe një pjesë tjetër muri që ka nisur të mënjanohet e që mund të rrëzohet. Investitori ka marrë përsipër që ta rikthejë në vend e ta stabilizojë.

Çfarë ofrojnë konkretisht investitorët? Mbështetje financiare apo edhe specialistë?
Natyrisht çdo ndërhyrje bëhet në bazë të një projekti që ka kaluar në Institutin e Monumenteve që është organi më i specializuar, ku këta zotërinj nuk bëjnë pjesë sepse nuk janë ekspertë, miratohet në Këshillin Kombëtar të Restaurimit dhe projekti hartohet nga një arkitekt. Si rrjedhim, përshembull në rastin e Lezhës, kemi një projekt, i cili është parë në të gjithë aspektet, është korrekt me ambientin nuk shtrihet në zona të tjera, që të dëmtojë dhe peizazhin, por që do t’i japë një gjallërim që nuk e kishte më parë.

Është kontestuar shumë gjithashtu edhe mbështetja ligjore e kësaj iniciative...
Këtu nuk bëhet fjalë për privatizim. Ka vetëm një rast privatizimi të një monumenti kulture, që është jashtë çdo ligji dhe ky është rasti i Tumës së Kamenicës, i bërë nga Lorenc Bejko që është sot lideri i lëvizjes anti-privat, kjo iniciativë mbështetet po në ato ligje ku është mbështetur dhënia me qira e kalasë së Lëkursit nga z. Artan Shkreli, që është sërish një nga liderët e kësaj lëvizje dhe Kalaja e Pertrelës, e dhënë nga z.Gjerak Karaiskaj.

Në ç’kontekst është thënë shprehja në “Top Show” nga ju se “Gjerak Karaiskaj nuk është më..”?
Unë kam thënë vetëm një gjë aty në kuptimin që kur nuk janë ata nëpër komisione, në KKR çdo gjë është keq. Ama kur ata janë gjërat shkojnë si duhet. Në të gjithë rastet unë ju përmenda se keni dopio standard. Përkundrazi, pyetja juaj me nxit të them diçka tjetër: ne duhet ta miklojmë biznesin që të futet në monumentet e kulturës sepse rastet që kemi janë të favorshme jo të disfavorshme. Pothuajse të gjithë rastet me pak përjashtime janë të riparueshme. Edhe rasti i Petrelës është ndërhyrje që mund të riparohet. Po të duam një ditë ia heqim kullën. Por ajo, pak nga pak duke kaluar vitet fillon e identifikohet, e të mos harrojmë se ajo është ndër kalatë e rralla të ndriçuara. Është një nga rastet pozitive të përdorimit. Këto raste na nxisin për ta inkurajuar në disa drejtime bashkëpunimin me privatin e komunitetet.

A mund të zbulojmë diçka me tepër në listën e përfolur të monumenteve që do të përfshihen në këtë nismë? Deri tani dimë kalanë e Lezhës, e të Ndroqit..
Tani për tani janë miratuar tre projekte nga Këshilli Shkencor i Institutit të Monumenteve dhe nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit: është kalaja e Lezhës, kalaja e Ndroqit, një kala e paarritshme ku askush nuk shkel. Aty është ofruar një investim shumë i madh nga një privat, i cili meqë ka shtëpinë pranë kalasë kërkon të kontribuojë. Është më shumë një nismë patriotike. Po ashtu është edhe rindërtimi i kullës së Kalasë së Elbasanit, kullës së rrugës Egnatia që është nga ana lindore. Ndërkohë që kur ishin këta drejtues të monumenteve kanë dhënë leje ndërtimi mbi kullat perëndimore. Ky është një kontrast midis politikës agresive që është marrë, duke përkrahur privatë shkatërrimtar dhe asaj që po bëjmë sot në një fazë të zhvillimit të turizmit kulturor.

A është shteti i përgatitur për ti përballur e kontrolluar të gjithë këto iniciativa private që janë në plan të ndërmerren në monumentet e Kulturës?
Shteti është i përgatitur sepse i ka sot të gjithë instrumentet. Ka një ushtri punonjësish e krijuar kryesisht nga këta zotërinj. Janë 250 tavolina, që duhet të merren me monumentet e kulturës dhe pak, shumë pak prej tyre punojnë vërtet me monumentet. Në Lezhë ne kemi një grup prej katër vetësh, që s’bëjnë asgjë, në Tiranë kemi një drejtori të tërë me thuajse 20 punonjës, kemi në Gjirokastër 40 punonjës të monumenteve dhe asnjëri prej tyre s’ka punë, s’është në punë. Këta zotërinj kanë krijuar dhe po mbrojnë një sistem shkatërrimtar për monumentet e kulturës. Shqetësimi i vërtetë nuk është se çdo të bëjmë me kalanë e Lezhës, por si do të shkojë historia e monumenteve të kulturës që janë në prag të katastrofës. Për fat të keq komisioni parlamentar, në vend që të trajtoje gjendjen e vërtetë të monumenteve e të gjendet një rrugë zhvillimi, të hapen vende të reja pune, e të përfitojmë nga kultura, merret me diskutime që kanë qenë tipike për shek. XIX. Jemi në një kohë, që monumentet e kulturës duhen restauruar, jo vetëm mirëmbajtja e tyre por edhe rindërtimi i tyre i pjesshëm dhe veçanërisht angazhimi i tyre në jetë. Ky rijetëzim është garancia më e mirë për ruajtjen e tyre edhe për brezat e ardhshëm.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve